E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kasapi i Ballkanit Ratko Mlladic ne spital

Kasapi i Ballkanit, Ratko Mlladiç është shtruar në spital. Nga Burgu i Gjykatës së Hagës bëhet e ditur se i pandehuri  për krime  lufte vuan nga pneumonia. Gjenerali 69-vjecar, për herë të fundit  u paraqit në sallën e gjyqit javën e kaluar, kur edhe dukej me humor të mirë ndërsa përshëndeste një mik të tij të pranishëm në sallë.

Mlladic është akuzuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Zyra e shtypit në gjykatën e krimeve të luftës së OKB-së nuk ishte në gjendje të konfirmonte menjëherë problemet e shëndetit të Mlladicit. Kjo edhe për faktin se ankesat e të pandehurit në lidhje me gjendjen e tij shëndetsore kanë qenë të shumta; përfshirë këtu edhe dhimbje nga një gur në veshka.

Familja e tij ka pohuar se gjatë 16 viteve në arrati ai ka pësuar dy herë infarkt. Ish-komandanti i ushtrisë serbe të Bosnjes, ka thënë se është i vendosur për të qëndruar gjallë për sa kohë të duhet që të lihet i lirë. Ai u ekstradua në Holandë nga Serbia më 31 maj për t'u përballur me akuzat për rolin e tij gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnje. Mlladic është akuzuar për masakrën e rreth 7.500 njerëzve në Srebrenicë - mizorisë më të rëndë të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore - si dhe për rolin e tij në rrethimin e Sarajevës, ku humbën jetën 10.000 vetë.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›