E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kasapi i së majtës ndalon deputetët të takojnë grevistët

Edi Rama ka lëshuar urdhër që deputetëve të LSI-së të mos u bëhet asnjë lëshim në Kuvend, bile as të mos takohen e t’u jepet dora gjatë zhvillimit të seancës plenare. Deklarohet publikisht se interesat e klanit të kryetarit të PS-së janë mbi interesin për zhvillimin e zgjedhjeve brenda standardeve. Teza “Përtej së majtës e së djathtës” u konfirmua në parlament si ideologji e Edvinit për të eliminuar të gjitha fraksionet e pabindura të së majtës

Rezistenca e deputetëve grevistë për të mos lëvizur nga salla e Kuvendit, ashtu sikurse ishte vendosur nga konferenca e kryetarëve një ditë më parë shkaktoi
shtyrjen me mbi dy orë të fillimit të punimeve të Kuvendit. Ashtu si ditët e shkuara
dhjetëra protestues u tubuan para hyrjes së parlamentit më parulla në mbështetje
të deputetëve në grevë dhe kundër ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Përmes një komunikimi me telefon, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka shprehur vendosmërinë e tij për të vazhduar grevën deri në plotësimin e kërkesave të parashtruara. “Jemi sot më të bindur se edhe dje se kërkesat tona janë të drejta, dhe misioni ynë është një mision që i shërben qytetarëve shqiptarë dhe kjo tirani dhune duhet ndalur. Ne jemi këtu në Parlament, në këtë grevë urie, që ka hyrë sot në ditën e katërt, jo për të bllokuar Parlamentin, por për të shpëtuar parlamentarizmin, i cili u godit aq fort në themele në Republikën Parlamentare, në 21 Prill me ndryshimet kushtetuese dhe që synohet të varroset me konsensusin Rama-Berisha me Kodin e Ri Zgjedhor, i cili është një kod
që shkatërron dhe që i jep fund pluralizmit demokratik në Shqipëri, demokracisë dhe votës së lirë. Ndaj ne do të qëndrojmë deri në fund”, deklaroi Meta.
Në kundërpërgjigje të kësaj deklarate grupi Parlamentar i Partisë Socialiste pas një mbledhjeje të zhvilluar në ambientet e Kuvend është shprehur i vendosur për vijimin normal të seancës plenare. Ajo që ra në sy, ishte fakti se asnjë nga anëtarët e Grupit Parlamentar Socialist nuk pranoi të shkonte t’u jepte dorën deputetëve grevistë, përjashto deputetin disident Luan Memushi, i cili edhe formalisht po bëhet gati të deklarojë aderimin e tij në fraksionin disident të Petro Koçit, PS’91. Qëndrimi armiqësor ndaj metistëve dhe grevistëve të tjerë ishte një porosi e veçantë e Edvin Ramës, i cili drejtuesit kryesorë të grupit parlamentar i pat mbledhur në selinë e partisë, pikërisht për t’u përçuar këtë qendrim. Përfundimet e kësaj mbledhjeje u artikuluan edhe në sallën e Kuvendit, pak minuta më pas, nga nënkryetari i grupit Erion Braçe, i cili deklaroi pubikisht se Partia Socialiste kishte interesat e saj specifike dhe se nuk mund të hiqte dorë prej tyre. Më qartë se kaq, s’bëhej. Edvini tashmë kishte elaboruar se jo zgjedhjet e lira, se jo standardet e kërkuara nga KE e aq shumë të trumbetuara nëpër tryeza ndërpartiake, por interesat e ngushta partiake (lexo, interesat ngushtësisht të lidhura me Edvinin dhe klanin e tij) ishin në krye të gjithçkaje. Krejt demagogjia e standardeve dhe e një Shqipërie më të mirë, përtej së majtës e përtej së djathtës, tashmë po lexohet qartësisht si strategjia e një politikani që është para së gjithash jo patrioti e përbashkuesi, por Kasapi i Së Majtës. Sjellja e djeshme e deputetëve socialistë ndaj grevistëve majtistë që ishin në ditën e katërt të grevës së urisë (pasi ndokistët pak kanë lidhje me kauzën) ishte edhe shpjegimi më i mirë se kriza e vërtetë po provokohet nga Edi Rama për interesat e ngushta të Edi Ramës.
Sa për kronikë, mund të shtohet se me nisjen normale të punimeve të seancës, dhjetë deputetët grevistë u rreshtuan poshtë radhës së kabinetit qeveritar. Deputetët mbështetës të grevistëve kanë kërkuar disa herë ndërprerjen e seancës plenare, në një kohë që duke ruajtur qetësinë mazhoranca dhe opozita kanë deklaruar se puna duhet të vijojë normalisht. Deputeti i LSI-së, Dritan Prifti duke mbështetur grevën ftoi deputetët e Kuvendit të zgjidhin krizën e votës së lirë, duke e bërë Kodin e ri Zgjedhor transparent dhe të pakontestueshëm. “PD e PS ka sjellë në komision një Kod Zgjedhor, i cili parashikon që në të gjitha nivelet, komisionet zgjedhore të kenë 7 anëtarë, 5 prej tyre nga PD e PS, ndërsa dy të tjerët i zgjedh Kuvendi, përsëri nga votat e këtyre dy partive”, tha Prifti. Në fjalën e tij deputeti demokristian Nikollë Lesi i kërkoi kryeministrit Berisha, si drejtuesi i reformave kryesore në vend, të marrë përsipër fatin e Kodit Zgjedhor. “Opozita është e përçarë. Ju nuk e meritoni të vini në pushtet edhe për katër vjet të tjera me këtë përçarje që keni. Çfarë garancie mund të kenë qytetarët te ju, ndaj ju nuk e meritoni të vini në pushtet”, iu drejtua Lesi deputetëve të PS-së.
Policia e shtetit hedh poshtë spekulimet për ushtrim dhune ndaj protestuesve para Kuvendit të Shqipërisë
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›