Kasat fiskale, Ministria e Financave hap tenderin ndërkombëtar
Pajisja me kasa fiskale e të gjitha subjekteve të biznesit duket se do të përfundojë brenda këtij viti. Ministria e Financave ka shpallur zyrtarisht njoftimin e saj lidhur me tenderin ndërkombëtar që synon sigurimin e kasave për të gjitha subjektet në vend. Në faqen e saj zyrtare të internetit, Ministria e Financave ka bërë të njohura edhe kushtet që duhet të plotësojnë kompanitë. Për të vendosur dhe kontrolluar funksionimin e kasave do të jenë 5 kompani në të gjithë vendin. Kasat janë mjetet që mbajnë në mënyrë elektronike xhiron e biznesit. Funksionimi i tyre do të bëjë që tatimet në linjat e biznesit të vilen në bazë të xhiros dhe jo me vlerësime apriori. Burimet në Ministrinë e Financave pohojnë se “brenda 6-mujorit do të bëhet e mundur pajisja me kasa fiskale e biznesit të madh në qytetet kryesore Tiranë dhe Durrës dhe deri në fund të 6-mujorit procesi do të përfundojë në të gjithë vendin për biznesin e madh, ndërsa për biznesin e vogël ky proces do të fillojë në periudhën në vijim. Aktualisht në Ministrinë e Financave është ngritur grupi i punës, i cili do të organizojë tenderin për përzgjedhjen e kompanisë, e cila do të bëjë të mundur importin si dhe sigurinë e kasave fiskale, proces i cili pritet të përfundojë brenda dymujorit të parë të vitit. Burimet në Financa njoftuan se pajisja me kasa do të funksionojë normal, pavarësisht pretendimeve të biznesit se ka probleme me furnizimin me energji elektrike. Gjatë periudhës kur nuk ka energji elektrike biznesi do të përdorë metodat alternative si faturat e dorës apo alternativa të tjera dhe në rastet kur gjatë kontrollit do të gjenden parregullsi, atëherë do të ketë penalizime për biznesin. Qeveria ka përcaktuar si afat të fundit për pajisjen me kasa regjistruese për biznesin e vogël në të gjithë vendin, qershorin e vitit 2009. Vendimi i qeverisë përjashton nga përdorimi i pajisjeve fiskale sipas kërkesave të këtij vendimi, profesionet e lira, ambulantët dhe shërbimi i transportit. Rregullat dhe procedurat e instalimit dhe të përdorimit të pajisjeve fiskale janë njësoj të aplikueshme si për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin, ashtu edhe për tatimpaguesit e biznesit të vogël. Sipas vendimit të qeverisë, bizneset që ushtrojnë veprimtari në Bashkitë e Tiranës, Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës, Fierit, Lushnjës, Beratit, Sarandës, Korçës, Pogradecit, Elbasanit, Shkodrës e Lezhës, duhet të përdorin kasën regjistruese që këtë vit.
14 Mars 2008