Banesat sociale, ja bashkitë e para ku do të nisë ndarja
Shpërndarja e kredive për banesat fillon në muajin prill
Ervin Koçi
Enti Kombëtar i Banesave pranë Ministrisë së Punëve Publike do të nisë së shpejti në disa bashki të vendit shpërndarjen e banesave sociale për të pastrehët. Shtresat sociale në nevojë aktualisht janë duke aplikuar, përveç dokumenteve, edhe për marrjen e kredive të buta me qëllim pagesën e shumës së banesës që do të përfitojnë. Burime zyrtare pranë sektorit të Politikave të Strehimit pranë Ministrisë së Punëve Publike sqarojnë për gazetën “Albania” se “janë fiksuar tashmë kategoritë, të cilat do të përfshihen të parat në projektin primar, ku bëhet fjalë për projektin e banesave sociale që do të jepen pas ndërtimit me kosto të ulët”. Kështu, sipas këtyre burimeve, “do të përfitojnë familjet që plotësojnë dy kushte bazë: 1) Nuk disponojnë banesë në pronësi (këtu mund futen edhe ata që banojnë në banesat e ish-pronarëve); 2) që kanë të ardhura të ulëta”. Gjithashtu nga MPPTT-ja bëhet e ditur se brenda këtyre kushteve në kategoritë që do të përzgjidhen me përparësi do të jenë ato familje që në përbërjen e tyre kanë: invalidë ose persona më aftësi të kufizuara, persona që kanë statusin e jetimit, gra të divorcuar që kanë në ngarkim fëmijë, të moshuar pa përkrahje, çifte të reja deri në moshë totale 55 vjeç.
Afati për strehim
Mësohet se zbatimi i projektit në fjalë do të nisë me disbursimin e kredisë, e cila do të bëhet gjatë muajit prill, sipas gatishmërisë së bashkive. Më tej bashkitë do të përfundojnë projektet, realizojnë prokurimet dhe do të fillojnë nga ndërtimi. Pra, sipas burimeve nga ministria, përafërsisht nga mesi i vitit pritet të fillojë ndërtimi i banesave. Sipas statistikave, ndërtimi i një godine banimi zgjat nga 11 deri në 18 muaj. Projekti në fjalë është konsideruar si pilot, pasi do të shërbejë si shembull për ecurinë e mëtejshme, në kuptim të mënyrës së planifikimit të fondeve, bashkëpunimit me bashkitë, nevojat që mund të dalin për plotësime ligjore etj. Mësohet se për vitin që vjen janë planifikuar fonde jo vetëm për vazhdimin e projektit me financim të CEB-së (TVSH-ja e kosto lokale), por edhe për fillimin e projekteve të reja.
Kredia për banesa
Të gjitha familjet e pastreha që kërkojnë të kenë sa më parë një banesë sociale të gjithën për vete, në rast të mospasjes gjendje të lekëve për blerjen e saj, mund të aplikojnë pranë bashkive edhe për kredi. Nga informacioni i MPPTT-së mësohet se kredia për këtë projekt është marrë nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës (CEB) me garanci shtetërore. Kredia shlyhet për 20 vjet, nga të cilat 1–5 vjet janë “grace period”, periudha pa interesa. Principiali i kredisë shlyhet nga bashkitë, ndërsa interesi nga buxheti i shtetit. Kredia financon deri në 60 për qind të vlerës totale të projektit (pa TVSH-në). Kjo e fundit (TVSH-ja), rimbursohet nga buxheti i shtetit, i cili financon gjithashtu edhe një përqindje të caktuar për kosto lokale për bashkitë e vogla dhe të mesme (jo për Tiranën dhe Durrësin).
Kushtet për përfitimin e një banese sociale
Përfitojnë të parat familjet që:
1. Nuk kanë banesë në pronësi
2. Kanë të ardhura të ulëta
3. Kanë invalidë ose persona më aftësi të kufizuara
4. Kanë persona që mbajnë statusin e jetimit
5. Kanë gra të divorcuara që mbajnë fëmijët
6. Kanë të moshuar pa përkrahje
7. Kanë çifte të reja deri në moshë totale 55 vjeç
Projekti, parashikohen edhe banesa që lihen me qira
Banesat që do të ndërtohen për të pastrehët parashikohet t’u jepen familjeve në nevojë me një qira vjetore vetëm prej 4 për qind të kostos së ndërtimit. Kjo qira do të përdoret vetëm për të mbuluar koston e administrimit dhe mirëmbajtjes së banesave. Të pastrehët, për të përfituar banesën e domosdoshme për ta, duhet që më parë të trokasin nëpër dyert e bashkivë për të marrë një të tillë me qira të ulët. Nga ana tjetër, vetë bashkitë do të jenë të kushtëzuara nga qeveria për të sistemuar të pastrehët në banesa sociale. Për ndërtimin e 1000 apartamenteve deri në vitin 2009, qeveria duhet të sigurojë që gjatë këtij viti, në formë kredie, rreth 25.989.270 euro, aq sa përllogaritet edhe vlera e plotë e këtyre apartamenteve. Në këtë vlerë parashikohet edhe vlera e tokës, në rreth 5.152.000 euro, e llogaritur me një vlerë prej afro 200 eurosh m2, 500 mijë euro kostoja administrative dhe e studimeve, ndërsa 20 milionë euro llogaritet kostoja e ndërtimit, ku futen kostoja e projektit dhe e infrastrukturës, studimi gjeologjik, taksa për lejen, kolaudimi dhe taksa e regjistrimit. Qeveria shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Financave dhe asaj të Punëve Publike, do të bëjë derdhjen e kredisë në llogari të bashkive, të cilat do të jenë përgjegjëse që nga ndërtimi i 1000 apartamenteve, deri në shlyerjen e plotë të kredisë prej 25.989.270 eurosh.
Ndërtimet për të pastrehët në periferitë e qyteteve
Apartamentet me qira të ulët parashikohen të ndërtohen në periferi të qyteteve, aty ku dhe çmimi i truallit për metër katror është më i ulët. Bashkitë e përzgjedhura, të cilat do të përfitojnë nga fondi për ndërtimin e 1000 apartamenteve, duhet të realizojnë një seri kushtesh me qëllim përfitimin e parave. Ato duhet të sigurojnë troje ndërtimi, të cilat, për uljen e vlerës së kredisë duhet të jenë pronë shtetërore. Vlera e tokës që do të vënë në dispozicion bashkitë do të vlerësohet me vlerën e tregut për efekt të llogaritjes së shumës së kredisë. Në rastin kur bashkitë nuk kanë në dispozicion tokë në pronësi shtetërore, investimi do të kryhet në tokë prone private, jashtë qendrave të qyteteve, ku çmimi i tokës nuk duhet të kalojë 200-220 euro m2, ose në marrëveshje me pronarët e tokës jo më shumë se 20 për qind e sipërfaqes së ndërtuar. Për mirëmbajtjen e këtyre banesave bashkia, nëpërmjet procedurave të tenderit, do të përzgjedhë një kompani apo ndërmarrje publike ose private. Çdo bashki do të kontribuojë me shlyerjen e kredisë për vlerën e investimit dhe numrin e apartamenteve që do të ndërtojë. Mbi bashkitë rëndojnë jo pak detyra, të cilat nëse i realizojnë, do t’i bëjnë përfituese të fondeve për ndërtimin e banesave me qira për të pastrehët.
Qiraja për banesat sociale
Banesat që do të jepen me qira do të administrohen nga bashkitë. Ato do t'u jepen me një qira që varion nga 3000-6000 lekë në muaj dhe me një afat prej 10 vjetësh familjeve në nevojë
Vlera e një banese sociale
Pas caktimit të emrave të përfituesve, qeveria dërgon emrat pranë EKB-së. Enti, në bazë të numrit të apartamenteve që ka në dispozicion, lidh kontratën me familjet, sipas radhës së përcaktuar nga këshilli bashkiak. Bëhet e ditur se vlera e apartamenteve të ndërtuara apo të blera llogaritet sipas këtij udhëzimi nga Enti Kombëtar i Banesave. Ai shlyhet nga familja me këste për 25 vjet, me normë interesi 2 për qind në çdo vit.
Shuma që arkëtohet për qira
Për mbulimin e shpenzimeve operacionale, Enti Kombëtar i Banesave aplikon një shumë 4 për qind të vlerës së apartamentit, e cila do të paguhet nga blerësi dhe do të arkëtohet menjëherë në momentin e nënshkrimit të kontratës. Për rastet që parashikohen në aktet ligjore e nënligjore në fuqi, shpenzimet administrative përballohen nga fondet e buxheti të shtetit.
Përfituesit e banesave sociale
Me përfundimin e investimit dhe marrjen në dorëzim të objektit nga firma ndërtuese, paralelisht me procesin e regjistrimit në zyrat respektive të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, duhet të merret lista e përfituesve nga bashkitë. Enti Kombëtar i Banesave duhet t’i njoftojë bashkitë dhe t’u kërkojë atyre dorëzimin e listës së plotë të familjeve, të cilat do të përfitojnë strehim. Mënyra se si do të përllogariten të ardhurat mujore që duhet të ketë familja, shumën e pagesës së menjëhershme etj., do të përcaktohen kur ta kërkojë bashkia.
14 Mars 2008