E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legisi-Islami përplasen për reformën zgjedhore

Deputeti i LSI-së: “Topalli të sjellë në Komision PS-në dhe PD-në”. Bashkëkryetari socialist: “Nisma e PS-së nuk ka për qëllim bllokimin e Komisionit”
Shaban Sulçe
Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ndre Legisi dhe deputeti i Partisë Socialiste, Kastriot Islami, kanë debatuar ashpër dje në Parlament për çështjet e reformës zgjedhore.
Legisi e quajti antikushtetuese nismën e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, që kërkon ndryshimin e Kushtetutës për të vendosur sistemin proporcional rajonal, ndërkohë që, sipas tij, PS-ja së bashku me PD-në kanë bojkotuar prej kohësh Komisionin e posaçëm Parlamentar, në të cilin duhet të diskutohej reforma zgjedhore. I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit socialist Islami, i cili është edhe bashkëkryetar i këtij komisioni. Islami sqaroi se nisma kushtetuese e PS-së nuk ka të bëjë me bllokimin e këtij komisioni, ndërkohë që përsëriti ftesën e PS-së për të negociuar dhe diskutuar rreth reformës zgjedhore.
Legisi
Në fjalën e tij deputeti i LSI-së, Legisi, tha se bllokimi i komisionit parlamentar ku duhej të diskutohej reforma zgjedhore ka ndodhur për shkak të marrëveshjes së fshehtë PD-PS, të cilat janë të interesuara për të zhvilluar zgjedhje jo të ndershme në Shqipëri. “Gjatë këtij viti ky komision është mbledhur vetëm tri herë dhe sikurse e kanë parë të gjithë shqiptarët, funksionimi i tij ka qenë i pamundur. Kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së vullnetit politik të PS-së dhe PD-së, të cilat kanë bashkëkryesimin e këtij komisioni. Kjo tregon se ka përpjekje për t’i imponuar Kuvendit të Shqipërisë vendimin e këtyre subjekteve politike, të cilat në të gjitha rastet që kanë qenë bashkëkryetarë të komisioneve zgjedhore kanë prodhuar kode zgjedhore që kanë deformuar vullnetin e të gjithë shqiptarëve, kanë prodhuar Dushkun e vogël, Dushkun e madh, të pavarurit dhe shumë mostra të tjera parlamentare që dhunojnë në mënyrë të tmerrshme vullnetin e qytetarëve shqiptarë”, - tha Legisi. Deputeti i LSI-së i kërkoi kryetares së Kuvendit që të vendosë për mbledhjen urgjente të komisionit. “Kërkoj nga kryetarja e Kuvendit të mblidhet në mënyrë urgjente të Komisioni i Reformës Zgjedhore. Nëse ky komision nuk do të mblidhet, do t’i mbani përgjegjësitë ju për gjithçka që mund të ndodhë në këtë Kuvend. Dhe për çdo gjë që bashkëpunimi PS-PD, i cili pavarësisht konflikteve të vogla, paraqesin ndaj njëra-tjetrës për gjëra të rëndësishme janë bashkë, nuk ka për ta miratuar dhe nuk keni për ta kaluar kaq lehtë sa mendoni”, - tha Legisi.
Islami
Deputeti socialist deklaroi se nisma kushtetuese e PS-së nuk ka për qëllim bllokimin e komisionit, ndërkohë që ai akuzoi partitë e vogla se po e përdorin këtë komision për ta shfrytëzuar në dhënien e deklaratave. “Nisma kushtetuese s’ka të bëjë fare me ndalimin e komisionit. Nisma kushtetuese ka një teknologji të shkruar qartë në Kushtetutë se si zhvillohet. Pra se si zhvillohet nisma kushtetuese për cilindo ndryshim të Kushtetutës dhe kjo i vjen komisionit si direktivë për të vazhduar punën e tij, që do të vazhdojë normalisht për implementimin e kësaj dispozite të ndryshuar kushtetuese, për përkthimin e kësaj dispozite në terma konkretë dhe detaje, si përsa i përket sistemit zgjedhor, ashtu edhe për gjithë pjesët e tjera të ndryshimeve që lidhen me reformën zgjedhore. Dhe ne jemi shumë të hapur për të vazhduar jo në mënyrë obstruktive për të penguar punën e komisionit, meqenëse ai komision është shumë lehtë për t’u bllokuar, por për të debatuar dhe në qoftë se nuk do të arrihet në vendimmarrje, për të ardhur dhe për t’ju thënë: ‘Ju lutem, merrni përsipër opsionet që ka diskutuar ky komision, gjykojini, shqyrtojini dhe miratojini, sepse nuk ka të drejtë komisioni të kthehet në një podium deklaratash apo në një podium, apo në një institucion që frenon dhe pengon reformën zgjedhore’”, - tha deputeti i PS-së, Kastriot Islami.

14 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›