E Diel, 1 Nëntor 2026

Këngë shqip me lavde për Osama Bin Ladenin dhe Mulla Omarin



TIRANË - Një këngë në gjuhën shqipe e krijuar nga një grup të rinjsh që prezantohen si “Forum islamik” i bën lavde dhe ngre rolin e luftës së shenjtë të Osama Bin Ladenit dhe organizatës së tij. Videoja e një kënge shqip kushtuar Osama Bin Ladenit, kreu i Al Kaedës, po qarkullon këto ditë në uebin më të madh në internet, Youtube. E krijuar nga një forum islamik, gjatë këngës i thuren lavde personit më të kërkuar në botë, i njohur dhe si kreu i talebanëve. Në tekst bëhet thirrje për shkatërrimin e ushtrisë amerikane në luftën që po zhvillohet në Afganistan dhe Irak, ku marrin pjesë dhe ushtarët shqiptarë, të cilët vetëm para pak ditësh u nisën për të luftuar në terren. Gjatë vargjeve të këngës të kënduar nga disa të rinj (zërat që dëgjohen në sfond të bëjnë të mendosh se janë një grup të rinjsh) i thurin lavde personit më të kërkuar në botë nga të gjithë shtetet, e jo vetëm nga SHBA-të. Në këtë video përshkruhet rruga që ka ndjekur Osama Bin Ladeni, duke u bërë kreu i talebanëve. Në video flitet dhe për 11 shtatorin 2001 dhe sipas tekstit, ai ishte momenti kur shteti më i fuqishëm në botë u rrëzua, u përul.
Kënga
Kënga kushtuar Bin Ladenit ka më shumë se pesë muaj që është hedhur në internet. Që në fillim kënga bën thirrje për zhdukjen dhe shkatërrimin e ushtrisë amerikane që po lufton në Afganistan dhe Irak. Nëpër rreshtat e këngës kushtuar Osama Bin Ladenit flitet për largimin e tij nga vendlindja dhe përkushtimi për luftën e shenjtë (xhihadin). Në këngë thuhet se Osama Bin Ladeni e kalon jetën bjeshkëve dhe se për Allahun ka flijuar gjithçka. Ndërkaq, refreni i këngës është me emrin e kreut të talebanëve. Më pas bëhet thirrje për zhdukjen e ushtrisë amerikane. Në këtë mënyrë, sipas tekstit, rritet nderi i myslimanëve. Në tekst u bëhen jehonë dhe ngjarjeve të vitit 2001. “Në shtator 2001 ti e mposhte një fuqi/ bëjmë të gjithë duva për ty”. Në këngë bëhet thirrje për shuarjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në rreshtat e fundit të këngës, që zgjat 2 minuta e 54 sekonda, flitet dhe për Mulla Omarin, një tjetër eksponent i Al Kaedës (numri dy i saj), për luftën e shenjtë që po bën kundër ushtarëve amerikanë në Afganistan dhe në Irak. Kënga mund të dëgjohet në këtë link: http://ëëë.youtube.com/ëatch?v=thpEFRsUMJI&feature=player_embedded#!
Komentet
Bie në sy se shumë prej shqiptarëve nuk e kanë miratuar këtë këngë. Në forume të ndryshme dhe në komentet që janë bërë në Youtube, të gjithë personat kanë deklaruar se kjo këngë nuk përfaqëson shqiptarët dhe Shqipërinë. Kundër këngës janë gati të gjithë komentuesit, të cilët e konsiderojnë diçka që nuk u përket qytetarëve shqiptarë t’i bëjnë këto veprime për shkak dhe të ndihmës së dhënë në çlirimin e Kosovës. Nuk dihet nëse prokuroria dhe strukturat e tjera policore kanë nisur hetimet në lidhje me këtë video dhe thirrjet që bëhen me anë të saj.

Arrestimi i Artan Kristos
Policia arrestoi më datë 12 tetor 2009 Artan Kriston, të akuzuar për "nxitje, thirrje publike dhe propagandë për kryerjen e veprave me qëllim terroriste". Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, ndaj të ndaluarit ishin grumbulluar të gjitha provat e nevojshme. Hetimet e këtij procedimi penal janë kryer nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe për hetimin sa më të plotë të çështjes, janë shfrytëzuar një numër i madh mjetesh për kërkimin e provës, përfshi dhe ato karakterit teknik. "Deri në këtë fazë të hetimit, në një analizë të të gjitha të dhënave të grumbulluara, është konkluduar se ka të dhëna të mjaftueshme që shtetasi Artan Kristo ka kryer veprën penale të mësipërme", - thanë burimet e prokurorisë. Kristo ishte përfaqësues i fondacionit "Al Haramain", i konsideruar si ndër financuesit kryesorë të terrorizmit ndërkombëtar.

Ushtarët shqiptarë, pjesë e luftimeve në Afganistan

Ushtarë shqiptarë janë nisur para disa ditësh për në Afganistan ku do të përfshihen drejtpërdrejt në luftimet kundër forcave terroriste. Deri tani misioni i trupave tona paqeruajtëse ka qenë kryesisht ruajtja, sigurimi i objekteve të rëndësisë së veçantë, si dhe shoqërimi i personaliteteve afgane dhe nuk ka pasur angazhime direkte në luftë. Që prej pak ditësh ushtarët shqiptarë janë pjesë e operacioneve luftarake në terren përkrah marinsave amerikanë dhe kolegëve të vendeve anëtare të NATO-s. Në relacionin që shoqëron këtë projektligj sqarohet mes të tjerash se “në rrethanat që gjenden trupat tona, sipas rastit, mund të lindë nevoja e përdorimit të forcës ndaj subjekteve të ndryshme”. Më shumë se 40 oficerë të ushtrisë shqiptare janë prej më shumë se një jave në Afganistan në koalicionin antiterror.

Aksidentet, 51 të vdekur në korrik, në 151 aksidente
TIRANË - Në muajin korrik kanë vdekur 51 persona në 151 aksidente të ndodhura në të gjithë vendin. Shifra e frikshme e viktimave në rrugë është bërë e ditur dje gjatë analizës 1-mujore të veprimtarisë së Drejtorisë së Policisë Rrugore. Takimi u bë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në këtë analizë ishin të pranishëm drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, drejtori i Përgjithshëm i Policisë Rrugore, Vullnet Topalli, si dhe drejtuesit e 12 njësive rajonale për sigurinë rrugore në qarqe. Në qendër të diskutimeve ishte ecuria e punës në Drejtorinë e Policisë Rrugore dhe funksionimi i strukturës së re, si dhe njohja e problematikës me të cilën përballet kjo strukturë në fushën e sigurisë rrugore. Gjatë kësaj analize është theksuar se deri tani struktura e re ka funksionuar mirë. Masat e marra për parandalimin e aksidenteve rrugore kanë qenë të shumta dhe forca goditëse ndaj shkelësve të Kodit Rrugor ka qenë e madhe, pavarësisht ngjarjes fatkeqe të ndodhur në Pukë gjatë këtij muaji. Po ashtu janë evidentuar problemet kryesore me të cilat përballen çdo ditë efektivat e Policisë Rrugore, siç janë përdorimi i pijeve alkoolike nga drejtuesit e mjeteve, shpejtësia tej normave të lejuara, mosvendosja e rripave të sigurimit etj. Gjatë muajit korrik rezultojnë të kenë ndodhur 151 aksidente në rang Republike me 51 persona të vdekur, shifra këto thuajse të njëjta me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me gjithë hyrjen e madhe të mjeteve gjatë sezonit turistik, (rreth 131 mijë automjete më shumë krahasuar me korrikun e një viti më parë). Ndërkohë, për shkeljet e konstatuara ndaj drejtuesve të automjeteve janë marrë rreth 59 760 masa administrative gjobë, si dhe janë bllokuar rreth 2017 automjete. Po në kuadër të këtyre kontrolleve, është marrë masa e pezullimit të lejes së drejtimit në 1784 raste për drejtuesit e automjeteve. Në fund të analizës, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka kërkuar forcimin e punës së strukturave policore në drejtim të parandalimit të aksidenteve si dhe të rritet gjithnjë e më shumë forca goditëse me tolerancë zero ndaj shkeljeve të Kodit Rrugor, që bëhen burim aksidentesh duke marrë jetë njerëzish.

I dënuar me 13 vite në Itali, kapet në Shkodër Limani
SHKODËR - Kapet i dënuari në Itali për trafik droge. Burime zyrtare nga Policia e Shkodrës kanë bërë të ditur se mesnatën e duke u gdhirë dita e djeshme kanë mundur të ndalojnë Alert Limanin, 35 vjeç, pasi ishte i shpallur në kërkim që prej vitit 2009. “Në orën 23:30, nga shërbimet e Drejtorisë së Policisë Qarkut Shkodër u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim, Alert Limani, 35 vjeç, banues në lagjen ‘Kongresi i Përmetit’ të qytetit Shkodër”, - thanë burime zyrtare nga policia lokale. Sipas tyre, arrestimi i tij është bërë pasi ky person është dënuar me 13 vite burg nga Gjykata e Apelit në Breshia, Itali. Vendimi është dhënë në datën 24 prill 2009, për veprën penale “trafikimit të lëndëve narkotike”. Kapja e tij u bë e mundur rreth orës 23:15 të mbrëmjes së djeshme në lagjen “Kongresi i Përmetit”, në afërsi të banesës së tij. Nga ana e policisë janë kryer veprimet proceduriale dhe dosja me materialet në ngarkim të Alert Limanit, për llogari të Gjykatës së Apelit në Breshja, Itali, do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “trafikimit të lëndëve narkotike”.

Digjet motori i tragetit Korfuz-Sarandë
SARANDË - Panik në tragetin e linjës Korfuz-Sarandë rreth orës 18:00 të pasdites së djeshme, pas zjarrit të rënë në një nga motorët e anijes. Lajmi është bërë i ditur nga vetë pasagjerët. Ata kanë treguar se trageti Kaliopi Finikas ndodhej në ujërat greke në momentin kur në njërin nga motorët u vunë re shtëllunga tymi. Mësohet se pjesëtarët e ekuipazhit arritën të shuajnë zjarrin, ndërsa mjeti mbërriti në Sarandë duke lundruar vetëm me një motor. Pasagjerët tregojnë momentet e tmerrit duke theksuar se për këtë ngjarje u mobilizuan edhe forcat greke, ndërsa nga pala shqiptare nuk pati asnjë lëvizje. “Nuk kishte asnjë mjet sigurie, në traget u përhap alarmi. Gjithë rrugën e kemi i bërë me një motor, madje trageti anonte. Nga të gjitha anët dëgjoheshin fëmijë që qanin e gra që ulërinin” - rrëfeu njëri nga pasagjerët. Fatmirësisht të gjithë pasagjerët zbritën në Sarandë dhe nuk pati asnjë të lënduar.

13 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›