Të dënuarit jashtë shtetit, si do të transferohen në Shqipëri
Shteti që e ka dënuar duhet të japë pëlqimin. I dënuari duhet të ketë më shumë se gjashtë muaj burg për të vuajtur
Shtetasi shqiptar që vuan dënim me burgim në një shtet të huaj, me kërkesë të tij, mund të transferohet në Shqipëri për vazhdimin e vuajtjes së dënimit të dhënë në shtetin e huaj. Ligji “për marrëdhëniet juridiksionale me shtetet e huaja në çështjet penale” që ka hyrë në fuqi në fillim të muajit shkurt, parashikon se shtetasi shqiptar i dënuar me burgim mund të transferohet vetëm me pëlqimin e shtetit që e ka dënuar, me kusht që shtetasi shqiptar i dënuar të ketë shprehur pëlqimin për transferimin dhe që pjesa e mbetur e dënimit të mos jetë më pak se gjashtë muaj. “Për procedurat e transferimit vlejnë dispozitat për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të huaja. Vendimi i gjykatës vendase për njohjen e një vendimi penal të huaj i komunikohet personit të dënuar në shtetin dënues dhe i paraqitet gjithashtu autoriteteve kompetente të shtetit dënues”, thuhet në ligj. Sipas tij, pasi personi i dënuar të ketë nënshkruar marrjen e vendimit të komunikuar, konfirmimi i marrjes i paraqitet gjykatës që ka dhënë vendimin. Nëse vendimi merr formë të prerë dhe autoritetet kompetente të shtetit dënues të kenë rënë dakord me të, fillon marrja e masave për transferimin e personit të dënuar nga shteti dënues në Republikën e Shqipërisë.
Njohja e vendimit të huaj
Një gjykatë shqiptare procedon me njohjen e një vendimi penal të huaj, kur ajo kërkohet nga Ministria e Drejtësisë mbi bazën e një kërkese nga shteti dënues për njohjen dhe ekzekutimin e vendimit penal. Vendimi penal i huaj mund të ekzekutohet si ndaj shqiptarëve, të huajve apo edhe personave pa shtetësi. Vendimi i një gjykate të huaj për dënimin me burgim mund të ekzekutohet: me kërkesë të një shteti të huaj, në rastin kur personi i dënuar nuk mund të ndalohet nga ai shtet; me kërkesë të një shteti të huaj kur personi i dënuar është shtetas shqiptar dhe ka vendbanim në Shqipëri dhe me kërkesën e një shtetasi shqiptar që vuan dënimin në shtetin dënues për transferim dhe vazhdim të vuajtjes së dënimit në vendin mëmë.
#