E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis shitja në treg e kasave fiskale sipas sistemit të ri

Procesi Pas testeve, Ministria e Financave jep autorizimin për tregtimin

Pas dy muajsh bllokim për shkak të vendimit dhe udhëzimit që përcaktonte sistemin e ri, Ministria e Financave ka autorizuar shitjen e kasave fiskale në treg. Prej dy ditësh, shoqëritë e autorizuara kanë nisur lidhjen e kontratave sipas modelit të ri të kasës, përcaktuar në vendimin e qeverisë të muajit mars. Autorizimi për shitjen e kasave erdhi pas testeve të bëra në ministri për certifikimin e pajisjeve, ku mësohet se deri tani vetëm një shoqëri ka mundur të marrë lejen e tregtimit.

Sipas sistemit të ri, kasat fiskale duhet të jenë të pajisura me modem që transmeton të dhënat si dhe qark shiriti elektronik, me një rul letër, që bën të mundur memorizimin e të dhënave.
Ministria sqaron se me modelin e ri të kasës, vendoset siguri më e madhe në pajisjet fiskale, ku mundësia për të manipuluar të dhënat është zero.

Sakaq, vijon të testohet lloji i kasës që do t’u instalohet pikave të shitjeve për karburantet. Mësohet se modeli që do t’i përshtatet tregut të karburanteve vjen nga Turqia dhe Izraeli, por deri në instalimin e tij ministria duhet të përmbushë detyrimet për testimin e tij.

Sa u takon afateve, sot është dita e fundit e vendosjes së kasave për biznesin e vogël të qyteteve qendër-qark. Pas kësaj dite, në korrik e tutje, tatimet kanë të drejtë të nisin aksionet për vendosjen e gjobave, që shkojnë deri në 500 mijë lekë. Por mësohet se tatimorët do të jenë më dorëlëshuar për shkak të vonesave të shkaktuara nga vetë vendimet e qeverisë.

Deri në treg janë shitur rreth 11 mijë kasa, ku gati 2 mijë copë kanë rezultuar skarco, që nuk i përmbahen vendimit të qeverisë, për shkak se nuk transmetonin të dhëna në sistem.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›