Qeveria arkëton 3. 6 milionë euro, paratë iu konfiskuan krimit
në disa vendime konfiskimi radhazi, gjykatat kanë bllokuar pasuritë e anëtarëve të pesë grupeve kriminale, duke u marrë atyre pasuritë me vlerë totale 3.6 milionë lekë.Pronat, nën kujdesin e Prokurorisë, janë lënë në administrimin e Agjencisë së Posaçme të Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Pjesa dërrmuese e këtyre pasurive, siç bëhet e ditur janë llogari bankare të cilat janë gjetur dhe konfiskuar në bankat e nivelit të dytë. Sipas Ministrisë së Financave, në rrethin e pasurive të sekuestruara bëjnë pjesë struktura biznesi por edhe troje ose toka në bregdet, të cilat ishin blerë nga anëtarët e bandave kriminale me të ardhurat e siguruara prej tyre gjatë aktivitetit të paligjshëm. Më 25 janar 2010, hyri në fuqi ligji Antimafia i cili parashikon sekuestrimin e pasurive të personave që kanë të ardhura nga burime kriminale financimi. Objekt i ligjit "Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar", janë personat që kanë një standard jetese të pajustifikuar nga të ardhurat e deklaruara. Në këto kushte, dyshohet se mënyra e të jetuarit të personit dhe paratë e shpenzuara prej tij janë krijuar nëpërmjet aktivitetit kriminal. Kështu, ligji parashikon konfiskimin e pasurisë në rastet kur dyshohet për pjesëmarrje në organizata kriminale ose në grupe te strukturuara kriminale; pjesëmarrje në organizata terroriste ose në banda të armatosura; kryerjen e veprave të tjera për qëllime terroriste apo kryerjen e krimeve për qëllime të fitimit të pasurive të paligjshme. Të gjitha këto janë të parashkruara në disa nene të Kodit Penal.Në rastet kur dikush dyshohet se kryen veprimtari kriminale, organet hetimore verifikojnë nëse ai është zotërues i një licence, autorizimi apo i një të drejte tjetër që lejon ushtrimin e një veprimtarie ekonomike. Në këtë mënyrë verifikohet nëse personi në fjalë përfiton të ardhura apo financime nga kjo veprimtari apo edhe nga shteti, si një rrugë për të parë nëse të ardhurat e tij janë ose jo të ligjshme. Sipas dispozitave ligjore, pjesë e hetimit janë edhe të afërmit, si bashkëshorti apo bashkëshortja, fëmijët, vëllezërit, prindërit, etj., duke shkuar edhe deri tek nipërit apo vjehrri dhe vjehrra. Ajo që është më e rëndësishmja si dhe një ndër pikat më të kundërshtuara ka të bëjë me procedurat e sekuestrimit të pasurisë ku përfshihet edhe e ashtuquajtura barra e provës. Në këto raste, sipas pikës 3 të nenit 21, është personi i dyshuar ai që duhet të vërtetojë se në ç'mënyrë e ka vënë atë pasuri dhe jo organet hetimore.