Kasat regjistruese, Financat gati zbatimin e projektit te biznesi
Pas vendimit të qeverisë për të kaluar pagat nëpërmjet sistemit bankar, Ministria e Financave ka gati masën e dytë për të formalizuar ekonominë. Sipas ligjit tashmë në fuqi “Për kasat regjistruese”, të gjitha bizneset detyrohen që deri në fillim të vitit 2009 të pajisen me kasa regjistruese. Pesë kompani private do të ofrojnë këtë shërbim në të gjithë vendin, duke ua instaluar dhe shpjeguar bizneseve procedurat për përdorimin e kasave. Çmimi i një kase regjistruese është minimalisht 100 euro dhe kjo kosto do të paguhet nga çdo biznes. Një pjesë e bizneseve që kanë blerë kasat vite më parë dhe që aktualisht nuk i kanë vënë në punë, nuk do të jenë të detyruara të paguajnë sërish, por në rast se kasa i plotëson standardet e kërkuara nga Financat. Këto pajisje do të përshtaten me teknologjinë e kasave të reja. Por një nga shkaqet kryesore për të cilat ky proces po vihet në pikëpyetje, është mungesa e energjisë elektrike. Që një biznes të regjistrojë çdo shitje në kasën fiskale do të thotë që ai të tatohet për xhiron reale që kryen. Nëse ky proces realizohet, shmanget debati më i madh mes biznesit dhe Tatim-taksave: vlerësimi apriori për pagesën e tatimeve.
2 Korrik 2008