Komisioni i Kodit Zgjedhor, lihen jashtë PAD, PDS dhe PBLD
Pas miratimit në Parlament është strukturuar dhe ka marrë formë komisioni më i ri parlamentar, i cili do të ketë për detyrë dhe mision hartimin e Kodit të ri Zgjedhor brenda 30 korrikut, datë kjo që përkon me fundin e legjislaturës aktuale të Kuvendit. Interesant është fakti se jashtë këtij komisioni kanë mbetur tri parti parlamentare, të cilat janë Aleanca Demokratike, Partia Demokracia Sociale si dhe Partia e Bashkimit Liberal Demokrat. Si të mos mjaftonte kjo, mes partive të vogla ka lindur pakënaqësia për shkak se vota e tyre nuk do të jetë e barabartë me votën e dy partive të mëdha, PS dhe PD. Përfaqësuesi i Partisë Republikane në këtë komisioni, deputeti Arian Madhi, akuzoi dy partitë e mëdha se kanë ndjekur dy standarde. “Kuvendi ua hoqi të drejtën partive të vogla për veton dhe ua u dha atë Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste”, - tha kryetari i grupit kuvendor republikan, Madhi. Reagim ka pasur edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi, u shpreh se mënyra se si dy partitë e mëdha kanë konceptuar punën dhe mënyrën e vendimmarrjes në këtë komision bie ndesh me parimet dhe udhëzimet e dhëna nga Bashkimi Europian. “Sipas vendimit të Kuvendit, në komision nuk ka të drejtë barazie në vendimmarrje, pasi fjalën kryesore e thonë PS-ja e PD-ja. Përvoja e bashkëpunimit të këtyre dy forcave politike kanë sjellë vendimmarrje të gabuara”, - tha Xhufi. Dje kanë reaguar edhe dy partitë e tjera të opozitës, PAD e PDS, të cilat nuk do të kenë të drejtën të përfaqësohen në Komisionin Parlamentar për Kodin e ri Zgjedhor. Presidenti i PAD-së, Neritan Ceka, tha se ky vendim është jashtë çdo parimi të demokracisë dhe mohon të drejtën e votës. Sekretari Politik i PDS-së, Artur Duçkollari, tha: “Për PDS-në Komisioni për Reformën Zgjedhore është një vazhdim i keq i paktit të errët PD-PS për Kushtetutën. PD-ja dhe PS-ja do të shfrytëzojnë ditët e fundit të sesionit parlamentar për të miratuar ndryshimet në Kod, në një orvatje të ngjashme me atë të dy viteve me parë, kur u votua për KQZ-në. I bëjmë thirrje PS-së të kthjellohet dhe të rigjejë guximin për t’u bashkuar në radhë të parë me opozitën, përpara se të ndjekë rrugën pa krye ku po e fut Sali Berisha. Presionet me dosje nuk duhet t’i detyrojnë “strategët” elektoralë të vulosin çarjen e së majtës dhe zgjatjen e ditëve në pushtet për kryeministrin e Gërdecit”.
2 Korrik 2008