E Diel, 1 Nëntor 2026

Konsumi i mishit, tregu vendas “pushtohet” nga produktet e importit dhe OMGJ-të

Kasapët dhe tregtarët kanë më leverdi me mishin e jashtëm

Ervin Koçi

Ashtu si në fillim të viteve ’90, tregu shqiptar i mishit dhe nënprodukteve të tij po “mbytet” nga mishi i importit. Ky i fundit vjen në tre lloj kategorish, që janë: 1) i gjallë (nga tregtia dhe shkëmbimi i kafshëve midis fermerëve vendas dhe atyre të shteteve fqinje); 2) i ambalazhuar dhe i ngrirë (në kallëpe të mëdha brenda konteinerëve frigoriferikë); 3) i përpunuar (nënprodukte mishi, sallame, proshuta, qofte etj.). Këtë gjë e kanë konfirmuar dhe ekspertët e Ministrisë së Bujqësisë, të cilët kanë konstatuar praninë e mishit të importit përherë e më të madhe në vendin tonë. Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në statistikat e së cilës, në tre vitet e fundit mishi i jashtëm tregon një rritje të nivelit të zhdoganimit në vendin tonë së bashku me nënproduktet e tij dhe me peshkun. Sipas DPD-së, “Shqipëria ka importuar rreth 100 milionë euro mish, kafshë të gjalla dhe nënprodukte të tij, gjatë vitit që lamë pas”. Por këtë gjë së fundi e pranojnë edhe pronarë të restoranteve apo dhe shefa kuzhinash, që nën zë pranojnë se gatuajnë me mish të jashtëm pasi ka më tepër leverdi në çmim nga ai vendas. Por përpos kësaj, realiteti flet ndryshe. Në çdo dyqan që të pyesësh në kryeqytet apo në rrethe për mishin që tregtohet, përgjigjja është e njëjtë: “Është mish i freskët vendi”. Por në të vërtetë, tregu i mishit vendas sa vjen e po ngushtohet.

Mishi i jashtëm

Sipas të dhënave zyrtare edhe nga Qendra Kombëtare e Tregtisë, konfirmohet se “Shqipëria ka importuar vitin e kaluar rreth 100 milionë euro mish, kafshë të gjalla dhe nënprodukte të tij, përfshi këtu edhe peshk”. Por në mënyrë paradoksale me këto të dhëna, ato të paraqitura zyrtarisht nga Ministria e Bujqësisë flasin për një situatë pozitive dhe në rritje të fortë të prodhimit vendës në treg. Ministria e Bujqësisë bën të ditur se, “gjatë vitit 2007 janë importuar rreth 25 mijë tonë mish importi, ndërsa prodhimi vendas është 75 mijë tonë”. Por pretendimet e MBUMK-së bien poshtë pikërisht nga grosistët e mishit, që të pyetur nga “Albania” bëjnë të ditur se, “në vend mungojnë shifrat e sakta të prodhimit vendas, në një kohë që rritja e importeve ka qenë shumë e lartë, sidomos në dy vitet e fundit”. Po kështu edhe të dhënat që vihen në dispozicion nga ana e DPD-së flasin se gjatë 3 viteve të fundit importi i mishit ka pësuar një rritje prej më shumë se 50 për qind, apo në shifra, 30 milionë euro.

Kafshët e gjalla

Kafshët e gjalla (kryesisht gjedhët), që importohen nga jashtë për t’u therur në vend, kapin një vlerë që për vitin 2007, sipas doganave, mbërrin në 24 milionë euro. Pjesa dërrmuese e kafshëve të gjalla që vijnë për t’u therur në Shqipëri dhe për t’u shitur në tregun vendës, kanë si vend të origjinës Bullgarinë. Nga ky vend vijnë vetëm gjedhët e gjallë, ndërsa kategoritë e tjera të kafshëve kanë destinacione të tjera, si Greqinë ose Hungarinë. Sipas grosistëve të mishit, “çmimi i këtyre kafshëve që vijnë të gjalla është 3 herë më i lirë se ai i atyre që rriten në vend”. Shkak për një kosto kaq të ulët për mishin e prodhuar jashtë, mbetet teknologjia e zhvilluar dhe metodat e rritjes artificiale ose të njohura edhe si OMGJ. Gjedhë të gjalla që vijnë në Shqipëri për t’u shitur më pas në tregun vendas si prodhime vendi, janë edhe nga Rumania, Kosova dhe Maqedonia. Kategoria më e madhe e mishit që futet në vend ka si destinacion përpunimin dhe një pjesë tjetër vjen e gatshme për t’u shitur në formën e nënprodukteve të tij. Mishi që vjen i gatshëm për t’u shitur ose në formën e nënprodukteve, vlerësohet në një import vjetor prej 50 milionë eurosh. Një pjesë tjetër të rëndësishme në pjesën e produkteve që vijnë nga jashtë dhe që futen në këtë kategori janë edhe peshqit dhe molusqet e tjera. Volumi i importeve të kësaj kategorie shkon në 100 milionë euro.

Mishi brazilian

Duke qenë se blihet me një kosto tejet të ulët në Brazil, vetëm 1-3 euro kilogrami, të dhënat tregojnë se nga ky shtet vjen lënda e parë për pjesën më të madhe të industrisë së përpunimit të mishit në vend (sallameve). Shkak për këtë penetrim të shpejtë të këtyre produkteve mbetet çmimi i ulët që konkurron prodhimin vendës që mbetet i një cilësie të lartë, por që nuk mund të identifikohet më, në këtë kaos që ndodhen tregjet shqiptare.

Box//////////////////////////////
Frika nga mishi me sëmundje, nisin inspektimet në tregjet blegtorale

Grupe të inspektimit ushqimor kanë ndërmarrë kontrolle intensive për gjendjen e tregut blegtoral dhe mishit të shpendëve në të gjithë vendin, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit dhe sigurisë ushqimore. Sipas specialistëve të Ministrisë së Bujqësisë, nga kontrollet e ushtruara gjatë këtij sezoni, është ndaluar shitja e produkteve blegtorale të pa ambalazhuara dhe pa certifikatën e kontrollit të cilësisë. Gjithashtu, është parashikuar gjobitja e tregtarëve të palicencuar dhe të pa pajisur me leje shëndetësore. Sipas burimeve të mësipërme, mësohet se produktet blegtorale do të lejohen të shiten vetëm në njësitë e rregullta tregtare, ndërkohë që është ndaluar shitja e shpendëve të gjallë. MBUMK-ja bën të ditur se të njëjtat kritere do të ndiqen edhe për tregtimin e prodhimeve shtazore dhe detare, të cilat janë më të rrezikuarat nga temperaturat e larta. Ndërkohë grupet e inspektimit ushqimor po mbikëqyrin me vëmendje edhe tregjet e tjera të shitjes së produkteve ushqimore kryesisht në zonat turistike dhe qendrat kryesore të vendit.

Tregu i mishit, i gjithi në kaos prej mungesës së merkatove

Duke mos pasur asnjë shenjë dalluese, etiketë apo çdo certifikatë që mund të bëjë identifikimin e produktit, mishit që shitet ngado në këtë vend, askush nga blerësit nuk mund t’ia dijë origjinën. Çmimet e tij janë të njëjta, duke e bërë edhe më të vështirë vlerësimin e cilësisë së tij nga ana e blerësit. Kudo ku shitet mish i freskët, përgjigja e vetme është “kemi mish vendi”. Por e vërteta është tjetër, pasi gjatë një viti kemi një sasi të madhe mishi që vjen nga jashtë, dhe duke mos pasur statistika të sakta për ata që prodhohet dhe shitet nga vendi, ndarja e tregut mbetet e vështirë. Specialistët e Ministrisë së Bujqësisë bëjnë të ditur se ky mish përdoret për përpunim në pjesën më të madhe të sasisë së importuar, ndërsa nga ana tjetër rezulton se 30 për qind e tij vjen nga kafshët e gjalla që importohen dhe theren e shiten për mish vendi në tregjet tona.

Shkurt///////////////////////
BE-ja u vendos afate për ulje çmimesh kompanive celulare

Komisionarja e Bashkimit Europian për operatorët e shërbimeve telefonike kishte kërcënuar se do të urdhërojë uljen e tarifave për mesazhet jashtë vendit nëse operatorët nuk i ulin çmimet deri në 1 korrik 2008. Ajo vlerëson se, “tarifat e mesazheve me tekst dhe shërbimi “roaming” janë shumë të lartë dhe jo transparente, kështu që çmimet duhet të ulen sepse konsumatorët po zhvaten prej tyre sapo kalojnë kufirin e shtetit të cilit i përkasin”. Për këtë arsye, industrisë së telefonisë celulare i është vendosur një afat: të ulen çmimet e komunikimit ndërkombëtar deri në 1 korrik. Që nga shtatori 2007 kur Komisioni Europian urdhëroi uljen e tarifave kostoja e telefonatave me celular ka rënë me 60 për qind. Kjo ka ngjallur reagimin e kompanive celulare të vendeve të BE-së, të cilat e quajnë normën “jo në përputhje me realitetin e tregut”. Por reduktimi i çmimeve nuk ka përfshirë telefonat e lidhur me internetin dhe 200 miliardë mesazhet me tekst që dërgohen çdo vit në Europën Perëndimore. Raporti i Bashkimit Evropian thotë se me kalimin e kufirit brenda 27 vendeve anëtare, kostoja e një mesazhi rritet 25 herë.

Ankandi: BSH-ja hedh për shitje 13.9 miliardë lekë bono thesari

Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, përfundoi dje ankandin e radhës për shitjen e bonove të thesarit. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në ankand janë shitur bono me maturim 3, 6 dhe 12 mujor, që do të përdoren për bankat e nivelit të dytë dhe për Bankën e Shqipërisë. Vlera totale e shitur në ankand është 13.9 miliardë lekë. Për bonot me maturim 12 mujor u pranuan të 19 kërkesat konkurruese të paraqitura. U kërkuan për shitje bono me vlerë 4,546,260,000 lekë dhe u shitën bono me vlerë 5,500,200,000 lekë. Yield-i maksimal i pranuar është 7.48 për qind, yield-i minimal i pranuar është 7.20 për qind, yield-i mesatar i thjeshtë është 7.37 për qind dhe ai mesatar i ponderuar është 7.43 për qind. Këto bono maturohen më 02.07.2009. Për bonot me maturim gjashtëmujor u pranuan të 9 kërkesat konkurruese të paraqitura, dhe vlera e shitur shënoi 4,300,000,000 lekë nga 4,389,980,000 leke që u kërkua. Ndërkohë që Yield-i maksimal i pranuar është 7.44 për qind, yield-i minimal është 7.24 për qind, ai mesatar i thjeshtë është 7.29 për qind dhe ai mesatar i ponderuar është 7.33 për qind. Këto bono do të maturohen në 16.12.2008. Për bono me maturim 3 mujor, u shit e gjithë vlera e kërkuar në shumën 3,928,870,000 lekë, ndërkohë që u pranuan të 5 kërkesat e paraqitura. Këto bono do të maturohen në 03.10.2008. Yield-i maksimal i pranuar është 6.34 për qind, yield-i minimal i pranuar është 6.20 për qind, yield-i mesatar i thjeshtë është 6.26 për qind dhe ai mesatar i ponderuar është 6.32 për qind.

2 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›