Konkurrencë brenda PD-së për paraqitjen në Kuvend të projektligjeve për spiunët
Me rihapjen e debatit politik mbi dosjet e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit gjatë regjimit komunist, duket se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike po bën gati një tjetër draft konkurrues. Ka qenë deputeti Aleksandër Biberaj i ngarkuar për hartimin e një projektligji, i cili është depozituar prej kohësh në Kuvend në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Ky projekt mban titullin “Për pastërtinë e figurës së të funksionarëve, zyrtarëve dhe të zgjedhurve”. Por një grup tjetër deputetësh nga Partia Demokratike ka nisur së fundi të hartojë një tjetër projektligj për hapjen e dosjeve të spiunëve. Një nga deputetët e këtij grupi, Fatos Hoxha, shpjegon për gazetën “Albania” projektin e nisur. Sipas tij, projektligji mbi të cilin ai është duke punuar do të synojë dënimin e të gjithë bashkëpunëtorëve të regjimit komunist. Sipas Hoxhës, është një domosdoshmëri miratimi i një ligji para zgjedhjeve të vitit 2009, pasi nuk duhet të lejohet kandidimi i ish-spiunëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Hoxha gjithashtu shton se së shpejti do të përfundojë këtë projekt të cilin do t’ia paraqesë Grupit Parlamentar të PD-së për diskutim dhe më pas do të diskutohet në komisionet parlamentare përkatëse. “Për hir të së vërtetës edhe unë jam bashkë me një grup kolegësh dhe po punojmë mbi një draft tjetër, të cilin shumë shpejt do t’ia paraqesim Grupit Parlamentar për të bërë korrigjimet e nevojshme. Drafti ynë është një draft i gjerë, që përfshin të gjitha funksionet e larta, të cilat duhet t’i nënshtrohen këtij kontrolli parlamentar. Këtu nuk përjashtohen as rektorët apo kryetarët e bashkive të zgjedhur dhe kandidatët. Sigurisht që dhe gjyqtarët do të jenë pjesë e këtij kontrolli”, - është shprehur deputeti Fatos Hoxha.
E. Ballhysa
2 Korrik 2008