E Shtunë, 31 Tetor 2026

60 deputetët që përfitojnë pagë shtesë për shkak të gradave

Ndryshon ligji “Për statusin e deputetit”, me propozim të një grupi deputetësh

Deputetët përfitojnë shpërblim mujor për shkak të kualifikimit shkencor

Eljona Ballhysa
Rreth gjashtëdhjetë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë do të përfitojnë shtesë mbi pagën mujore për shkak të titujve shkencorë që kanë fituar. Në Kuvend është depozituar një ndryshim në ligjin “Për statusin e deputetit”, i propozuar nga një grup deputetësh. Ndryshimi i ligjit konsiston në nenin 13 të tij, pika 6. Sipas propozimit në fjalë, “deputeti do të gëzojë një shtesë shpërblimi mujor për kualifikimin e tij shkencor. Kuvendi e vendos masën e këtij shpërblimi në përputhje me gradën apo titullin shkencor”.
E drejta
Grupi i deputetëve që kanë firmosur amendamentin që i është bërë ligjit për statusin e deputetit shpjegon në relacionin që i bashkëlidhet se deri në vitin 2007 deputetët e kanë përfituar të drejtën e shpërblimit financiar për shkak të gradës apo të titullit shkencor. Përfitimi bazohej në vendimin e qeverisë të vitit 2001. Por ky vendim i qeverisë është ndryshuar së fundi dhe në vendimin e ri nuk është parashikuar trajtimi i deputetit sipas gradës shkencore. Vendimi i qeverisë, i miratuar më 18.01.2008, nuk e trajton deputetin sipas kualifikimeve dhe gradave shkencore, por vetëm personelin administrativ dhe mbështetës të Kuvendit. “Ky vendim ka sjellë si pasojë një boshllëk ligjor dhe heqjen e një të drejte të fituar”, - konstatojnë deputetët firmëtarë. Sipas tyre, miratimi i propozimit të tyre përbën vënien në vend të një të drejte të fituar si dhe mosrënien e deputetëve nën nivelin e administratës publike. “Gjithashtu ky amendament do të krijojë mundësinë që të nxisë prurjen në politikë dhe në organin më të lartë përfaqësues të popullit, njerëz me kualifikime dhe grada shkencore, të marra në vend apo jashtë shtetit, dhe do të ndikojë pozitivisht në përmirësimin e legjislacionit të miratuar prej tyre”, - shkruhet në relacionin që i bashkëlidhet amendimit të ligjit.
Përfituesit
Duke iu referuar jetëshkrimeve të deputetëve të botuar në faqen zyrtare në internet të Kuvendit të Shqipërisë, rezultojnë të paktën 60 deputetë të cilët kanë grada të larta shkencore, por dhe grada ushtarake, ndërkohë që shumë deputetë të tjerë kanë kryer kurse të ndryshme kualifikimi pasuniversitare. Shumë deputetë kanë përfituar tituj shkencorë gjatë periudhës që ata kanë mbajtur mandatin e deputetit, ndërsa të tjerë para se të zgjidhen deputetë. Në ligjin “Për statusin e deputetit” përcaktohet se në trajtimin financiar të deputetit duhet të gjejë pasqyrim edhe shpërblimi i tij për kualifikimet dhe gradat shkencore që ka marrë në profesionin e tij para se të bëhet deputet. Duke u bazuar në këtë ligj, pritet që shpërblim financiar të përfitojnë deputetët e graduar me “Master” apo “Doktor shkencash”, “Profesor” etj., para se të jenë bërë deputetë.

Deputetë me tituj shkencorë dhe grada ushtarake
Ndriçim Babasi Doktor i Shkencave Policore
Gilman Bakalli Doktoraturë në Grac
Ilir Bano Doktor i Shkencave dhe mjeshtër kërkimesh
Lulzim Basha Master në të Drejtën Europiane dhe Ndërkombëtare Publike
Fatos Beja Doktor i Shkencave Filologjike
Marko Bello Doktor i Shkencave Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare
Sali Berisha Profesor Doktor i kardiologjisë
Aleksandër Biberaj Master në administrim biznesi
Ridvan Bode Doktor Shkencash
Majlinda Bregu Doktoreshë në shkencat sociale
Ylli Bufi Doktor i Shkencave
Aldo Bumçi Magjistër në Marrëdhëniet Ndërkombëtare
Astrit Bushati Master në Administrimin Publik
Blerim Çela Doktor i Shkencave Ekonomike
Taulant Dedja Master në manaxhim ekonomik
Leonard Demi Doktor
Sami Gjergji Doktor i Shkencave Zooteknike.
Skënder Gjinushi Profesor Doktor në Matematikë
Flamur Hoxha Doktor i Shkencave në fushën e Mbrojtjes Urbane
Mehmet Hoxha Master ne mjeksi
Kastriot Islami Doktor i Shkencave, profesor në fushën e Fizikës Atomike e Molekulare
Genc Juka Master në Pathologjia e Bimëve, Fakulteti i Agronomisë
Gëzim Karapici Profesor Doktor
Bujar Leskaj Doktor i Shkencave Ekonomike
Piro Lutaj Gjeneral
Arben Malaj Master në Harvard Qendra për biznes dhe qeverisje
Ermelinda Meksi Doktor i Shkencave Ekonomike; Doktor në Demografi; Asistente Profesor Doktor
Ilir Meta Master në Ekonomi
Luan Memushi Profesor Doktor
Osman Metalla Master Administrim Publik.
Paskal Milo Doktor i Shkencave në Histori, Profesor
Fatos Nano Doktor i Shkencave; Profesor në Shkencat Ekonomike
Nikollaq Neranxi Master
Bujar Nishani Master për Studime Europiane
Ylli Pango Profesor, Doktor i Shkencave Psikologjike
Lajla Pernaska Master për Studime në Marrëdhënie Ndërkombëtare
Genc Pollo Sudime pasuniversitare Vjenë
Dritan Prifti Master në Administratë Publike, Shkolla e Qeverisë Kennedy, Universiteti Harvard,
Gramoz Ruçi Studime Pasuniversitare
Genc Ruli Profesor Doktor në Ekonomi
Ilir Rusmali “Max-Planck” të së drejtës Ndërkombëtare në Heidelberg dhe në Univeristetin e Heidelbergut, Gjermani
Baki Shehu Gjeneral Major
Sali Shehu Kolonel
Tritan Shehu Profesor Doktor i Shkencave
Leonard Solis Specializim pasuniversitar, diplomë për "Sëmundje të brendshme"
Edmond Spaho Studime pasuniversitare në Administrim Biznesi
Bukurosh Stafa Doktor i Shkencave
Arian Starova Doktor i Shkencave
Paulin Sterkaj Mjeshtër Sporti"; "Mjeshtër i Merituar Sporti". Dekoruar me Medaljen "Shqiponja e Artë"
Ymer Tola Doktor i Shkencave
Jozefina Topalli Master “Administrim publik”
Arenca Trashani Studime doktorature, Universiteti "Karl Franzens", Fakulteti Juridik, Graz – Austri
Rexhep Uka Marrja e gradës së PhD në fushën e Entomologjisë në Universitetin Bujqësor të Athinës
Gjokë Vuksani Doktor i Shkencave
Ferdinand Xhaferaj Dr. i Shkencave për Çështjet e Sigurisë Kombëtare
Mehmet Xheka Specializim në Kardiologji
Fatmir Xhindi Master për Shkencat Penale
Idriz Xhomara Master, Bachelor
Pëllumb Xhufi Profesor Doktor
Lefter Xhuveli Profesor Doktor i Shkencave

Qamil Murati, kandidati demokristian për komunën e Kasharit

Kryetari i PDK-së, së Tiranës, Emin Saraçi, deklaroi dje se Partia Demokristiane do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme për kryetar komune në Kashar. Saraçi tha se i kandiduar për këtë post do të jetë Qamil Murati, aktualisht kryetar i Këshillit të Komunës. “Kandidatura e Qamil Murati është përzgjedhur midis pesë kandidaturave si kandidati që gëzon mbështetjen më të madhe në komunitet, i njohur për përkushtimin e tij në shërbim të banorëve të zonës, korrektësinë e tij në zbatim të ligjit, aftësitë e tij për të menaxhuar zgjidhjen e problemeve, cilësinë e tij për të qeverisur me ndershmëri dhe drejtësi. Kandidatura e paraqitur nga PDK-ja gëzon mbështetje të gjerë publike edhe për shkak të profesionit të mësuesit dhe punës së tij që ka lidhje të forta me zonën”, - është shprehur Saraçi. Më tej ai ka kërkuar mbështetjen e PD-së për këtë kandidaturë dhe të aleatëve të tjerë të koalicionit të djathtë. “Për këto arsye Partia Demokristiane beson se kandidati i saj meriton mbështetje të plotë jo vetëm nga strukturat e saj të Tiranës, por edhe nga një spektër më i gjerë politik sidomos nga spektri e djathtë. PDK-ja fton partitë politike të koalicionit qeverisës ta mbështesin kandidatin e saj Murati, si një garanci reale jo vetëm për fitore në zgjedhjet e parakohshme në komunën e Kasharit, por edhe për drejtimin e kësaj komune me kompetencë, ndershmëri dhe përkushtim”, - është shprehur Saraçi.

Berisha takon ambasadorin e ri të Greqisë në Tiranë, Nicolas Pazios

Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me ambasadorin e ri të Greqisë në Tiranë Nicolas Pazios. Në fjalën e tij kryeministri Berisha vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe miqësinë tradicionale mes dy vendeve si dhe shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të punuar ngushtësisht me Qeverinë e Greqisë dhe Ambasadën e Greqisë në Tiranë për të forcuar më tej bashkëpunimin e ngushtë e të gjithanshëm që ekziston ndërmjet dy vendeve. Në këtë kuadër, kryeministri Berisha u shpreh se ekziston një interes i madh i investitorëve grekë, për të investuar në Shqipëri. Ai shtoi se qeveria shqiptare me reformat e saj të thella ka krijuar kushtet më të favorshme për biznesin dhe investitorët e huaj, të cilët janë plotësisht të mirëpritur dhe do të përkrahen maksimalisht nga qeveria të zhvillojnë bizneset e tyre në Shqipëri. Ambasadori Pazios, nga ana e tij, vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes dy vendeve si dhe bashkëpunimin e ngushtë e të gjithanshëm si dhe shprehu vullnetin e Greqisë për të forcuar edhe më tej këto marrëdhënie. Ambasadori Pazios gjithashtu vlerësoi arritjet e reformave dhe ritheksoi përkrahjen e Greqisë për perspektivën europiane dhe euroatlantike të Shqipërisë.

2 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›