Kashar, PD fituese me dy kutitë e para, LSI e dyta
ADI SHKEMBI
PD-ja udhëheq lehtësisht në zgjedhjet e pjesshme që janë zhvilluar dje në Kashar. Kështu, kandidati i PD-së, Besnik Fuçia, ka marrë gati 40% të votave, 131 vota në kutinë e parë dhe 242 vota në kutinë e dytë (373 në total). Ndërkohë në dy kutitë e para, të cilat u numëruan deri në mesnatë, rezulton se në vendin e dytë renditet LSI-ja, ku kandidati i saj Alfred Bakalli (mbështetet edhe nga PDS e PAD) ka marrë rreth 30% të votave, 152 vota në kutinë e parë dhe 123 vota në kutinë e dytë (275 në total). Ndërsa kandidati i PS-së, Sinan Egra, ka marrë në total në dy kutitë e para 164 vota (84 në të parën dhe 80 në të dytën). Ndërkohë në kutitë e numëruara vihet re një numër i madh votash të pavlefshme. Zgjedhjet në Kashar zhvillohen pas arrestimit pak kohë më parë të kryetarit të dalë nga zgjedhjet e 18 shkurtit, Alfred Sulaj.
Procesi
Në orën 19.00 përfundoi procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të komunës së Kasharit. Procesi i votimit nisi në orën 07:00, në të njëjtën kohë në të gjitha qendrat e votimit. Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Leonard Olli, "të 18 qendrat e votimit të komunës Kashar u mbyllën në orën 19:00 dhe kanë votuar mbi 6 mijë votues, një shifër që shkon fare pranë 50 për qind e zgjedhësve". I gjithë procesi i votimit ka ecur normalisht, ndërkohë përfaqësuesit e kandidatit socialist kanë pasur kontestime lidhur me certifikatat. Sipas tyre, gjendja civile në këtë komunë ka shkelur ligjin duke ndarë certifikata për votuesit edhe pas orës 14.00 të mesditës së djeshme, i cili është edhe afati maksimal që gjendjet civile duhet të rrinë të hapura. Në të njëjtën kohë sipas përfaqësuesve të kandidatit të PS-së, gjatë ditës së djeshme është vënë re një pjesëmarrje e madhe e deputetëve dhe ministrave demokratë, të cilët, sipas PS-së, kanë ushtruar presion mbi zgjedhësit. Mbi 13.000 votues u thirrën dje për të votuar për zgjedhjen e kryetarit të komunës Kashar. Në këto zgjedhje kandidonin Besnik Fuçia i Partisë Demokratike, Sinan Egra i Partisë Socialiste, Alfred Bakalli i LSI-së, dhe kandidati i pavarur Rustem Murati. Në 18 qendrat e votimit, KQZ-ja kishte përgatitur një ekip pune të ndarë në 2 me nga 13 anëtarë, për numërimin e këtyre votave. Në këto zgjedhje morën pjesë banorët e fshatrave Katund i ri, Kashar Qendër, Kashar Kodër, Fshati Mazrek etj.
40 per qind
Sipas të dhënave nga Komisioni Zonal i Qendrës së votimit në Kashar, PD-ja është në vend të parë me 40% të votave e ndjekur nga LSI, me 30% dhe PS rreth 20%.
50 per qind
Sipas zëdhënësit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Leonard Olli, në procesin e djeshëm morën pjesë afro 50 për qind e zgjedhësve të komunës Kashar.
4 kandidate
Në zgjedhjet e djeshme morën pjesë katër kandidatë. Përballë njëri-tjetrit ishin Besnik Fuçia i PD-së, Sinan Egra i PS-së, Alfred Bakalli i LSI-së, i pavaruri Rustem Murati.