Rrëmben 35-vjeçarin, pas sherrit për shtëpinë
TIRANE - Një 40-vjeçar ka zbuluar se apartamenti që kishte prenotuar në një pallat në ndërtim e sipër ishte blerë edhe nga një person tjetër dhe ka vendosur të rrëmbejë blerësin e dytë. Të paktën si e tillë është denoncuar ngjarja nga 35-vjeçari Klodian Stavri, i cili pretendon se është mbajtur peng në një makinë nga Ilirian Beqari, në periferi të Tiranës. Stavri e ka denoncuar ngjarjen në Komisariatin nr. 1, duke treguar për oficerët e policisë se ka debatuar me Beqarin për një konflikt pronësie dhe më pas ky i fundit e ka mbajtur peng për disa orë në makinën e tij tip “Jaguar”, në dalje të Shkozës. Sipas burimeve nga policia mësohet se Klodian Stavri është paraqitur në polici dhe ka deklaruar se Ilirian Beqari ishte personi që i kishte hequr lirinë dhe e kishte dhunuar. Fillimisht policia e ka marrë në konsideratë ngjarjen, duke shpallur në kërkim personin, ndaj të cilit ishte bërë denoncimi. Por menjëherë pasi ka mësuar veprimin që kishte bërë 35-vjeçari, personi i dyshuar është paraqitur vetë në polici duke mohuar akuzat e ngritura ndaj tij, madje u ka paraqitur oficerëve të policisë të gjitha dokumentet e rregullta, me të cilat ai pretendon se apartamenti në pallatin e ri që po ndërtohet është në pronësi të tij. Por të njëjtat dokumente dispononte edhe personi tjetër, Klodian Stavri, duke bërë që apartamenti të jetë në pronësi të dy personave. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ndërkohë që ka këshilluar dy pronarët që për këtë çështje t’i drejtohen gjykatës. Të dy personat kanë kërkuar që nga kjo histori të mos mbetet pa lagur edhe pronari i pallatit ku ata kishin prenotuar të njëjtin apartament. Mësohet se pritet që të merret në pyetje edhe pronari i pallatit për të sqaruar ngatërresën që është krijuar mes dy klientëve të tij, të cilët kanë paguar si kapar për apartamentin nga 15 mijë euro secili.