E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-kryepolici i Mirditës, dëshmon grabitjen e ish-SMT-së

 

TIRANE – Ish-kreu i policisë së Mirditës në vitin 2000, dëshmoi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda në procesin penal në ngarkim të së akuzuarve si anëtarë të bandës së Mirditës. Osman Hystri tregoi përpara togave të zeza si iu bë e ditur atij, në funksionin e shefit të Komisariatit, ngjarja ku mbeti i vrarë efektivi i policisë Gjon Pacuku dhe masat që mori për kapjen e autorëve. Sipas Hystrit, ngjarja e rëndë ndodhi shumë pak ditë para datës, që ai ishte emëruar në funksionin e shefit të Komisariatit në Mirditë. “Në 27 apo 28 qershor rreth orës 01.00 isha në ambientet e komisariatit të policisë në gjumë. Më ka thënë oficeri i rojës që ka ndodhur një ngjarje. Jam ngritur i alarmuar. Më thanë që është qëlluar mbi policinë. I kam kërkuar shpjegime të mëtejshme. Më tha që ‘ngjarja ka ndodhur te parkingu tek SMT-ja. Atje ishte futur një grup për të grabitur në ambientet e parkingut. Ka shkuar Nikollë Marku me grupin e gatshëm të policisë. Kur janë gjendur përpara portës së SMT-së janë qëlluar dhe janë plagosur. Ishte plagosur edhe efektivi Gjon Pacuku’. Unë ‘ngrita komisariatin në këmbë’ dhe njëkohësisht shkova tek spitali i qytetit, ku ishin efektivët e plagosur. Pak minuta më vonë, Gjon Pacuku ndërroi jetë. Policia e Rendit dhe Policia Kriminale janë vënë në ndjekje të autorëve. Një nga të dyshuarit kryesorë ishte Dritan Syziu. Që atë ditë është kontrolluar banesa e tij, por ai nuk u gjend aty. Të dhënat e para në vendngjarje flisnin për tre autorë. Për Dritan Syziun me vonë kam pasur informacione konfidenciale, sipas të cilave ai ishte zhdukur, se ishte vrarë. Por nuk kam informacion të saktë se si. Në analizën që u bë pas ngjarjes është thënë se ndërhyrja e policisë tek SMT-ja ka qenë e pasaktë”.   ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›