E Diel, 1 Nëntor 2026

Kaskada e Devollit, Berisha: Porositen 6 turbina, ndjesë ata që e quajtën mashtrim elektoral

TIRANE- Kryeministri në detyrë, Sali Berisha ka komentuar sot nëpërmjet faqes së tij në facebook, punimet për Kaskadën e Devollit. Sipas tij firma norvegjeze Statkraft ka porositur 6 turbinat e hidrocentraleve të Kaskadës së Devollit. Ndërsa e konsideron këtë një lajm të mirë, Berisha shprehet se duhet të kërkojnë ndjesë të gjithë ata që e konsideruan fillimin e punimeve të kësaj kaskave, si një premtim elektoral.

“Të dashur miq, një lajm i mirë vjen për Shqipërinë nga Kaskada e Devollit. Kompania norvegjeze Statkraft, njëshi në botë, në ndërtimin e hidrocentraleve e që ka marrë me koncesion ndërtimin e tre hidrocentraleve në këtë kaskadë, ka porositur 6 turbinat e hidrocentraleve të Kaskadës së Devollit me një vlerë 100 milionë euro tek kompania franceze Alstom dhe kjo lider botëror në prodhimin e turbinave. Ky është një hap tjetër madhor në ndërtimin e Kaskadës së Devollit, një investim në tërësi prej rreth 1 miliard euro pra investimi më i madh që është bërë ndonjëherë në Shqipëri. Ndërtimi i Kaskadës së Devollit filloi më dt 13 maj 2013. Ata që e quajtën mashtrim elektoral të kërkojnë ndjesë”, shkruan Berisha.

“Ajo do të punësojë direkt dhe indirekt mbi 5 mijë vetë në njërën nga zonat më të varfëra të vendit. Me përfundimin e kësaj vepre shtohet me 700 GWh prodhimi vjetor i energjisë elektrike në vend. Ky zhvillim është një dëshmi tjetër madhore e suksesit të qeverisjes së PD në tërheqjen e investimeve të huaja dhe projektin tonë Shqipëria vend i zhvilluar, lider në prodhimin e energjisë së rinovueshme në rajon dhe më gjërë”, përfundon Berisha.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›