E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni Levis, dy në pranga për kontrabandë

Tiranë Sollën nga Turqia 2300 palë këpucë, 1800 bluza dhe 1350 çanta të pa deklaruara në dogana

Dy persona kanë përfunduar në prangat e policisë së kryeqytetit për kontrabandë, ndërkohë që është sekuestruar malli i tyre, me vlerë mijëra eurosh. Operacioni “Levis” për zbulimin e linjës së kontrabandës është ndërmarrë nga antikrimi ekonomik, i cili ka sjellë prangosjen e tregtarëve. Artan Terziu, 34 vjeç dhe Arjon Lazimi, 21 vjeç, janë prangosur mëngjesin e djeshëm, pasi kishin futur mallra kontrabandë nga Porti i Durrësit. Burimet e policisë saktësuan se tregtarët kanë arritur të fusin në Shqipëri 2300 palë këpucë, 1800 bluza dhe 1350 çanta dore, të cilat janë sekuestruar nga krimi ekonomik në policinë e kryeqytetit. Kjo e fundit saktëson se hetimet për këta persona kishte disa kohë që kishte nisur, në bazë të informacioneve të marra në mënyrë operative. Gjithashtu në Policinë e Tiranës kishte mbërritur një informacion nga Tatim-Taksat për personat në fjalë dhe në bazë të verifikimeve dhe vëzhgimeve në terren është bërë i mundur dokumentimi i veprës penale dhe referimi i saj në prokurori nën akuzën e “kontrabandës”. Pas arrestimit të Terziut dhe Lazimit, agjentët e sektorit të krimit ekonomiko-financiar në policinë e kryeqytetit kanë kontrolluar në ambientet ku dyshohej se tregtohej ky mall, ndërsa bllokuan vetëm mallin kontrabandë.

Ky është rasti i dytë që policia sekuestron mallra kontrabandë që mbërrijnë në Shqipëri, kryesisht nga Turqia. Kontrabandistët përdorin pikat e kalimit kufitar, kryesisht ato detare. Disa ditë më parë, policia ndërmori operacionin “udhëtari” dhe prangosi një biznesmen dhe dy shoferët e tij. Ata kishin kontrabanduar nga Turqia rreth 20 mijë palë këpucë dhe nuk kishin paguar asnjë detyrim doganor si dhe tatime e taksa. Nisur nga të dhënat e fundit, Policia e Tiranës deklaron se do të bashkëpunojë me doganat dhe tatim-taksat për të mundësuar hetimin e të gjithë personave apo subjekteve private që merren me tregtim të mallrave kontrabandë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›