Kumbaro, Londra kërkon gjurmët e gishtave
Prokuroria dërgon në Londër vetëm foto. Mungesa e gjurmëve të gishtave rrezikon ekstradimin
TIRANË- Mungesa e gjurmëve të gishtave në skedarin e autoriteteve shqiptare për ish-drejtorin e SHIK-ut, Ilir Kumbaro, rrezikon ekstradimin e tij. Ky dyshim është ngritur nga drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët i janë përgjigjur kërkesës së autoriteteve londineze se shteti shqiptar nuk disponon gjurmë gishtash të Kumbaros, por vetëm foto të para vitit 1996. Këto foto i janë dërguar me anë të letër-porosisë zyrtare Gjykatës së Londrës, e cila po shqyrton kërkesën e shtetit shqiptar për ekstradimin e ish-shikasit Ilir Kumbaro, por ky i fundit vazhdon të ngulmojë se është shtetas çek, se e ka emrin Shaqir Shatri dhe se nuk ka asnjë lidhje me zhdukjen e Remzi Hoxhës.
Prokuroria e Krimeve të Rënda, me ndihmën e disa punonjësve të SHIK-ut që kanë punuar bashkë me Kumbaron para vitit 1996 kanë arritur të identifikojnë ish-kolegun e tyre me anë të fotove të sjella nga agjentët e Scotland Yard-it, të bëra në rrugën e Londrës, ku ai strehohej prej vitesh. Gjithashtu, organi i akuzës ka mbledhur një sërë fotosh që ish-punonjësi i SHIK-ut, Ilir Kumbaro ka bërë me kolegët dhe miqtë e tij në Shqipëri, para vitit 1996, foto këto që janë dërguar bashkë me provat që vërtetojnë akuzën e rrëmbimit dhe zhdukjen e biznesmenit kosovar Remzi Hoxha. Sipas prokurorisë, seanca e radhës për identifikimin e personit të arrestuar, që mendohet se është Ilir Kumbaro, do të shqyrtohet më datë 26 nëntor pranë Gjykatës së Londrës, ku ish-SHIK-asi do të vërtetojë pretendimet e tij, se nuk është Ilir Kumbaro. Mësohet se Prokuroria e Krimeve të Rënda, në qershor të këtij viti është lajmëruar nga autoritete londineze të Scotland Yard-it se personi i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritete shqiptare me emrin Ilir Kumbaro dyshohet se jeton dhe banon në pjesën veriore të Londrës.
“Organi i akuzës ka kërkuar nga autoritetet londineze një foto të tij për të kryer verifikimin. Pas kësaj kërkese, Interpol-Londra ka dërguar një foto të personit të dyshuar si Ilir Kumbaro, teksa ecte në rrugët e pjesës veriore të Londrës. Me marrjen e kësaj fotoje, prokuroria e Krimeve të Rënda ka bërë ballafaqimin e fotos me atë që autoritetet shqiptare disponojnë. Gjithashtu, me foton e ardhur nga Londra, prokurori i çështjes, Xhevat Hana ka marrë në pyetje disa ish-kolegë të Kumbaros, të cilët e kanë identifikuar personin e gjetur në Londër si kolegun e tyre deri në vitin 1996”-thuhet nga akuza. Kaq ka mjaftuar që t’i kërkohej Interpol-Londrës arrestimi i tij, duke i dërguar me anë të letër-porosisë provat materiale që akuzojnë atë për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës.
VERIFIKIMI
Seanca e vetme për Kumbaron, më 24 shtator
Me datë 24 shtator, në Londër është zhvilluar një seancë gjyqësore për verifikimin dhe paraqitjen e provave dhe akuzave ndaj Kumbaros. Pas kësaj seance gjyqësore, togat e zeza me kërkesë të të dyshuarit Kumbaro kanë vendosur të shtyjnë seancën e verifikimit me datë 6 tetor, ditën kur mbrojtja ka paraqitur pretendimet e saj, duke kundërshtuar se klienti i tyre është shqiptar. Por, pas shqyrtimit të kësaj seance, me kërkesë të mbrojtjes është kërkuar të sillen gjurmët e gishtave nga Shqipëria të shtetasit Ilir Kumbaro për ballafaqim me ato të të ndaluarit në Londër, i cili vazhdon të pretendojë se është çeku me emrinShaqo Shatri. Mungesa e këtyre gjurmëve ka bërë që prokuroria t’i kthejë përgjigje negative autoriteteve të Londrës. Pritet që mesditën e 26 nëntorit, para Gjykatës së Londrës prokurori i shtetit të vërtetojë se i arrestuari është shqiptari Ilir Kumbaro, pasi gjatë kontrollit të banesës së tij i janë gjetur një sërë dokumentesh shqiptare. Ilir Kumbaro akuzohet se bashkë me Arben Sefgjinin dhe Avni Koldashin e Budjon Meçen kanë rrëmbyer dhe rrahur shtetasit Ziso Kristopulli, Avdyl Loshaj e Remzi Hoxha.
Prokurori Xhevat Hana pritet të lexojë në seancën e ardhshme dëshminë e ish-shefit të SHIK-utVdekja e Gazidedes, në gjyq dëshmia e tij në prokuroriTIRANË- Vdekja e Bashkim Gazidedës e ka detyruar Prokurorinë e Krimeve të Rënda të kërkojë nga Gjendja Civile e njësisë bashkiake nr. 5 certifikatën e vdekjes. Sipas këtyre burimeve mësohet se Gazidede ka qenë dëshmitar i rëndësishëm në dosjen penale të rrëmbimit dhe zhdukjes së Remzi Hoxhës, por që vdekja e tij do të detyrojë organin e akuzës të lexojë e ish-kreut të SHIK-ut,dhënë para Prokurorit të çështjes gjatë marrjes në pyetje të tij. Pritet që në seancën e radhës të datës 18 nëntor, prokurori Xhevat Hana të lexojë dëshminë e të ndjerit Gazidede para oficerit dhe prokurorit të çështjes, ku mësohet se ka mohuar të ketë pasur dijeni për rrëmbimin, e aq më pak për zhdukjen e shtetasit Remzi Hoxha. Sipas prokurorisë, marrja në pyetje e tij është bërë me cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen, por shpjegimet e tij nuk kanë ndihmuar organin e akuzës në zbardhjen e rrëmbimit dhe zhdukjes së Remzi Hoxhës. Dyshohet që rrëmbimi i shtetasve Ziso Kristopulli, Avdyl Loshaj dhe Remzi Hoxha të jenë bërë me dijeninë dhe urdhrin e tij pas referimit të dyshimeve të ngritura nga agjentët operativë për veprimtarinë e personave të lartpërmendur. Bashkim Gazidede kryesonte listën e dëshmitarëve të prokurorisë, në procesin gjyqësor kundër Arben Sefgjinit, Avni Koldashit dhe Budjon Meçes, të cilët akuzohen se kanë rrëmbyer e më pas zhdukur pa asnjë gjurmë biznesmenin Remzi Hoxha. Gjatë seancave gjyqësore, disa punonjës të SHIK-ut të kohës së Gazidedes kanë pranuar operacionin për shoqërimin e Remzi Hoxhës, Kristopullit dhe Avdyl Loshajt në qendrën e Shik-ut në Vain të Lezhës, ku prej asaj kohe nuk dihet asgjë për fatin e Remzi Hoxhës.
SKEDA
Emri: Ilir
Mbiemri: Kumbaro
Atësia: Nazmi
Amësia: Fitnete
Vitlindjes: 1953
Vendlindja: Peqin
Vendbanimi: Tiranë
Arsimimi: I lartë
Hetuar: 18 dhjetor 2003, me masë sigurimi “arrest në burg” në mungesë
Akuza: “Rrëmbimi i personit” në tri raste të kryera në bashkëpunim dhe “Tortura me pasoja të rënda” në tre raste, të kryera në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 109/1-25; 109/1-25 e 109/1-25 dhe 87-25, 87-25 e 87025 të Kodit Penal.