Kastriot Islami: E vlerësoj faktin që do jem në listat e PD, do mbetem aktiv në politikë
Deputeti Kastriot Islami është shprehur i kënaqur pas deklaratës së kryeministrit Sali Berisha se tre deputetët e PS do të jenë në listat e PD.
Islami tha se ai do mbetet aktiv në politikë.
Vlerësoj maksimalisht dhe do ta konsideroj me shumë seriozitet propozimin e zotit Berisha. Ky është një propozim që rezonon plotësisht me vendimin tim të hershëm për tu angazhuar në politikë dhe për të qenë aktiv, bazuar në thënien e Platonit, se Një nga dëmet që mund të pësoni duke refuzuar të merreni me politikë, është që ju të përfundoni të qeveriseni nga inferiorët tuaj! Mediokriteti është armiku im kryesor dhe kam qenë dhe mbetem i vendosur ta luftoj me të gjithë mënyrat dhe nga të gjithë anët, pavarësisht pozicionit politik apo ideologjik.
Nga njëra anë ndihem shumë mirë që liria për të menduar, gjykuar dhe vepruar sipas bindjes dhe ndërgjegjes sime vlerësohen maksimalisht, shkruan Islami në gazetën Panorama.
Me eksperiencën dhe formimin tim unë nuk kam kohë për të humbur në spiralen e gabuar ku Rama ka futur aspiratat e socialistëve. As mundem të plotësoj kënaqësitë e inferiorëve me largimin tim nga politika. Prandaj dua të shpreh vendosmërinë time për një vendim në funksion të vazhdimit tim aktiv politik, në funksion të integrimit të vendit në BE dhe të interesave të vendit./ep