E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kastriot Islami: Listat e hapura kanë shumë defekte

• Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, deputeti socialist, Kastriot Islami, konfirmoi edhe njëherë dje para mediave qëndrimin e PS-së për listat e mbyllura të kandidatëve për deputetë.“Ka dy lloj listash kur bëhet fjalë për sistemet proporcionale, apo sistemet e përziera që kanë një pjesë të proporcionalit. Ose lista është e mbyllur dhe kjo vendoset nga partia në bazë të rregullave, mekanizmave dhe statutit të partisë, ose varianti i dytë është ai që quhet votë preferenciale”, tha Islami. Sipas tij, “votë preferenciale do të thotë që lista ka emrat e kandidatëve dhe është votuesi ai që përzgjedh emrin, apo emrat e kandidatëve që ai dëshiron, pra është votuesi që bën renditjen e tyre në listë”. “Lista që kërkohet në Shqipëri është jashtë standardeve, sepse lista që është aplikuar në Shqipëri është një listë ku kryetari i partisë vendos emrin e tij i pari dhe është e mbyllur për kryetarin dhe e hapur për të tjerët. Për më tepër votuesi nuk është ai që vendos kryqin apo renditjen, por ka një formulë që votuesi nuk e shikon dhe kjo vendoset mbas zgjedhjeve”, deklaroi Islami. Në këtë drejtim, ai konfirmoi se “PS është e hapur për cilindo model”, ndërkohë që sqaroi se “PS preferon listën e mbyllur, pasi vota preferenciale ka dy defekte të tjera”. “Shqipëria ende nuk ka realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe i sugjerohet një sistem sa më i thjeshtë. Sistemi sa më i thjeshtë është lista e mbyllur”, tha ndër të tjera Islami. Komisioni i posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore ende nuk ka dhënë asnjë rezultat, edhe pse ai ka hyrë në mandatin e tretë të tij, i cili është shtyrë për shkak të këtij rezultati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›