E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Dakord pesë “jo-ve” të Ramës

• Partia Demokratike është gati të pranojë pesë kërkesat e artikuluara nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, për kryerjen e reformës zgjedhore.Adi ShkëmbiSipas liderit të opozitës, pesë kërkesat, të cilat nëse nuk do të plotësohen nuk do të hyjnë në zgjedhje në vitin 2009, janë eliminimi i fenomenit të Dushkut, pragu jo më i ulët se 2.5%, zgjedhje me lista të mbyllura, procesi i votimit me kartat e identitetit dhe me lista zgjedhore të dala nga regjistra të kompjuterizuar. Duke folur në një prononcim për mediat, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, theksoi se ka një vullnet të përbashkët të forcave politike për kryerjen e reformës zgjedhore. Sipas tij, procesi nis me këmbë të mbarë edhe duke pranuar pesë kërkesat e opozitës, jo si kushte, por si detyrime të përbashkëta. “Të gjitha paragjykimet nuk shërbejnë në një proces të tillë siç është reforma elektorale. Konstatoj që ka një vullnet të përbashkët të palëve për të pasur objektiva të njëjta dhe besoj se në këtë frymë ne mund të arrijmë në një rezultat të pëlqyeshëm për të gjithë faktorët politikë. Besoj se mund ta nisim procesin me këmbë të mbarë në rast se pranojmë dhe ato që konsiderohen si 5 “jo”-të e artikuluara nga Partia Socialiste, duke i konsideruar ato jo thjeshtë si kushte, por si angazhime të përbashkëta”, theksoi dje Patozi. Duke iu referuar kërkesave të partive të vogla, kryetari i grupit parlamentar demokrat theksoi se PD-ja është e hapur për të pritur të gjitha propozimet që do të vijnë nga forcat politike, pasi, sipas tij, ky është një proces që kërkon konsensus të gjerë. “Unë mund të shpreh se Partia Demokratike është e hapur, sigurisht me të gjithë aleatët e saj, por edhe me forcat e tjera që janë në opozitë, sepse kjo është një reformë, e cila kërkon një konsensus sa më të gjerë të mundshëm. Gjykoj që në ditët në vijim të gjitha palët mund t’i shtrojnë opsionet e tyre në tavolinë dhe mund të gjendet zgjidhja, qoftë për sistemin, qoftë për pragun elektoral dhe për çështje të tjera që na interesojnë të gjithëve”, tha Patozi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›