Milo: Po kërkohen kompromise jashtë komisionit
• Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, kërkoi dje mbledhjen urgjente të Komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, me pjesëmarrjen e të gjitha partive parlamentare.“Tashmë është bërë mëse e qartë se po bëhen përpjekje për të gjetur kompromise dhe zgjidhje në favor të disa palëve të interesuara, jashtë vëmendjes dhe jashtë Komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore”, tha Milo. Duke folur në emër të të gjitha partive të vogla parlamentare, Milo tha se “ne kemi protestuar dhe protestojmë me vendosmëri dhe këtu nuk po flas vetëm në emër të PDS-së, por edhe të një numri partish të të gjithë spektrit politik, pasi nga dy partitë e mëdha bëhen përpjekje për të gjetur një zgjidhje jashtë komisionit parlamentar”. Kreu i PDS-së kërkoi nga Komisioni i Reformës Zgjedhore “që deri në fund të muajit shkurt, maksimumi fillimi i muajit mars, të jenë marrë të gjitha vendimet e rëndësishme që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore”.