E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama paralajmëron Berishën: “Mos guxo tu bësh presion njerëzve për votën!”

Kreu i PS-së: “Kryeministri po cenon standardet demokratike të zgjedhjeve”. Rama: “Po mbledhim dëshmi nga punonjësit që kërcënohen për votën”

Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste ka bërë sërish një tjetër paralajmërim, kësaj here të drejtpërdrejtë, ndaj kryeministrit Berisha, duke i kërkuar që të heqë dorë nga çdo formë presioni ndaj shqiptarëve për mënyrën se si do të votojnë në zgjedhjet e 28 qershorit. Gjatë takimeve të zhvilluara në qarkun e Gjirokastrës, në qytetet Sarandë, Tepelenë dhe Përmet, kryesocialisti Edi Rama tha se shqiptarëve nuk ua u ka dhënë dhe as nuk mund t’ua marrë të drejtën e votës Sali Berisha. Rama denoncoi presionet që u bëhen punonjësve të administratës dhe paralajmëroi masa të ashpra ligjore ndaj zyrtarëve që i kërcënojnë për të votuar për partinë në pushtet.
“Të gjithë ata drejtues të shtetit të sotëm që nuk bëjnë punën e shtetit, por mbrojnë interesat e pushtetit, qofshin nën uniformën e policisë, qofshin nën uniformën e burokratëve të lartë të administratës, për të cilët pas 28 qershorit do të kemi dëshmi se kanë kërcënuar qytetarët, se kanë kërcënuar vartësit e tyre, se kanë kërcënuar mësuesit dhe mjekët, ne do t’i vëmë përpara ligjit dhe nuk ka asnjë forcë që i mbron nga ndëshkimi i ligjit”, - tha kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

Vota
Gjatë fjalës së tij në takimin e zhvilluar në Tepelenë, Rama është ndalur te rëndësia e votës së lirë në këto zgjedhje. Kryesocialisti akuzoi kryeministrin Berisha se po përpiqet të deformojë votën e lirë dhe vullnetin e shqiptarëve për ta larguar atë përfundimisht nga politika. Rama tha se nuk është Berisha ai që ua u ka dhënë të drejtën shqiptarëve për të votuar dhe nuk mund të jetë Berisha ai që ua mohon këtë të drejtë shqiptarëve. “Të drejtën për të votuar nuk na e ka dhënë Sali Berisha dhe nuk na e merr dot Sali Berisha. Të drejtën për të jetuar nuk na e ka dhënë Sali Berisha dhe nuk na e merr dot Sali Berisha. Të drejtën për të qenë të lirë e për të ëndërruar, për të shpresuar një Shqipëri të lirë, me një votë kundër Sali Berishës nuk na e ka dhënë Sali Berisha dhe s’mund të na e heqë Sali Berisha, përkundrazi, falë kësaj të drejte Sali Berisha do të largohet më 28 qershor”, - vijoi kreu i PS-së.

Standardet
Në takimin e zhvilluar në Sarandë Rama ka deklaruar se standardet e zgjedhjeve të 28 qershorit janë duke u cenuar. Duke u nisur nga mbledhja e fakteve dhe dëshmive, të cilat flasin për presione të pushtetit në drejtim të punonjësve të administratës për t’u imponuar votën, kreu i PS-së theksoi se një fenomen i tillë cenon rëndë standardet demokratike të zgjedhjeve. “Për çfarë mund të flasim ne sot në vitin 2009, nëse nuk çlirohemi njëherë e mirë nga kjo lloj politike e vjetër e së shkuarës, e cila është politika e politikanëve, që krenohet për standardet demokratike dhe pastaj kërcënojnë mësues, kërcënojnë mjekë, kërcënojnë nëpunës, duke e vënë shtetin në gjunjë për interesat e një grushti njerëzish, e një oborri të korruptuarish, e një familjeje që ka marrë peng qeverinë e vendit tonë, e një kryeministri që e do me çdo kusht mandatin për të vazhduar të bëjë biznes me qeverinë për familjen e tij”, - vijoi kreu i PS-së, Edi Rama. Ai shprehu bindjen në fitoren e Partisë Socialiste, pasi sipas tij, Shqipëria nuk mund të humbasë të ardhmen e fëmijëve të saj. “Ne do të fitojmë sepse fëmijët e të gjithë Shqipërisë nuk mund të humbasin. Ne do të fitojmë sepse të moshuarit dhe fëmijët në të gjithë Shqipërinë nuk mund të humbasin. Ne do të fitojmë sepse ne të gjithë nuk mund ta humbasim betejën me varfërinë, me papunësinë, me korrupsionin, me injorancën, me dhunën”, - tha kryesocialisti Edi Rama.

20 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›