E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kastrioti i lë afat FSHF-së sot, deri në orën 12:00, për sqarim

Nga FATMIR THAÇI

Klubi krutan ka depozituar dje dy ankesa, një për gjyqtarin anësor në ndeshjen me Tiranën dhe një për faljen e Flamurtarit

Nga burime pranë klubit krutan bëhet me dije se dje drejtues të skuadrës së Kastriotit kanë depozituar një ankesë pranë sektorit të garave në FSHF, ku kërkojnë sqarime dhe ndërhyrjen e tyre lidhur me disa probleme që konsiderohen shqetësuese për këtë skuadër. Thuhet se midis të tjerave është kërkuar verifikimi dhe ndëshkimi i gjyqtarit anësor që vendosi në dhënien e golit të parë në favor të Tiranës, i cili konsiderohet prej tyre totalisht i parregullt.

Një vendim i tillë thuhet se ka ndikuar edhe në rezultatin e takimit, duke i mohuar Kastriotit të paktën një pikë. Së bashku me këtë pretendim, deklarohet se është dorëzuar edhe një kasetë me pamje filmike, me të cilën kërkojnë të bindin drejtuesit e këtij sektori se topi, në rastin e konsideruar si gol, nuk e kishte kaluar vijën fatale.

Më tej thuhet se edhe ata janë të bindur se gjithçka sa ndodhi në takimin me Tiranën nuk mund të zhbëhet më, por kërkojnë që tu bëjnë parapritë për të ardhmen rasteve të tilla si ky apo të disa gabimeve të tjera njerëzore, siç i ka ndodhur në jo pak raste në sezonet e kaluara.

Flamurtari Gjithashtu bëhet e ditur se janë kërkuar sqarime lidhur me bazën ligjore dhe me arsyetimin që është përdorur nga Komisioni i Apelit lidhur me vendimin e marrë për faljen e fushës së Flamurtarit dhe uljen me pesë herë të masës së gjobës. Burimi i lartpërmendur sqaron se drejtuesit e skuadrës krutane nuk kanë asgjë personale me ekipin vlonjat, por kërkojnë të vënë në vend drejtësinë, e cila nuk aplikohet e njëjtë për të gjithë.

Vetëm një ditë më parë trajneri Ramazan Ndreu bëri publik një sërë rastesh, ku evidentonte një qëndrim krejt tjetër ndaj skuadrës së tij, që jo rrallë ia vështirësuan edhe qëndrimin në superligë. Fakti që ky vendim merret pikërisht në prag të ndeshjes me Kastriotin, drejtuesit e kësaj skuadre e vlerësojnë si një vendim kundër saj.

Bëhet me dije se ata e presin një përgjigje deri sot në orën 12:00, prej së cilës varet edhe vendimi që do të marrin drejtuesit e Kastriotit për të marrë pjesë ose jo në takimin e radhës me skuadrën e Flamurtarit. Gjithashtu, thuhet se nëse kjo përgjigje mungon ose nuk sqarohen saktësisht ato që kërkohen në këtë ankimim, ata menjëherë do ti drejtohen UEFA-s, ashtu siç deklaronte edhe një ditë më parë trajneri Ndreu.

Stërvitja Në pritje të kësaj përgjigjeje, skuadra e Kastriotit edhe dje ka vazhduar normalisht seancën starvitore me pjesëmarrjen e të gjithë futbollistëve. Pretendohet se për momentin të gjithë futbollistët gëzojnë një formë të mirë sportive, çka është një ogur i mirë për ecurinë e mëtejshme të këtij ekipi në luftën për kreun e tabelës së klasifikimit.

Tifozë të shumtë të kësaj skuadre, të indinjuar së tepërmi për atë vendim të fundit të Apelit, që më së shumti godet psikologjikisht ekipin e Kastriotit, i kanë shprehur gjithë mbështetjen e tyre skuadrës, duke i premtuar se do të jenë edhe më të shumtë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›