Lika: Me Pogradecin merr rrugë Tirana e trofeve
Sipas portierit Ilion Lika, bardheblutë kanë eksperiencë të hidhur me ekipet e vogla në shtëpi, por nuk i diskutojnë tri pikët
Tirana Pogradeci (neser 15:00)
Në prag të përballjes me Pogradecin, që do të zhvillohet të dielën në Qemal Stafa, trajneri Rubio dhe lojtarët e tij synojnë vetëm tri pikët. Tirana përgatitet që të bëjë fitoren e parë në shtëpi për këtë sezon. Gardiani me eksperiencë i bardhebluve, Ilion Lika, në prag të ndeshjes me debutuesit liqenorë është i bindur se skuadra e tij nuk do të zhgënjejë para tifozëve të vet, por njëkohësisht bën thirrje edhe për kujdes.
Lika ka eksperienca të hidhura, madje kujton edhe sezonin e shkuar kur ekipe retes, duke luajtur në mbrojtje merrnin pikë, madje edhe fitonin lehtësisht në Tiranë. Por të dielën kjo nuk ka për të ndodhur sepse skuadra kryeqytetase do të dalë nga fusha me tri pikët në xhep. Në një prononcim për Sportin shqiptar, Ilion Lika ka pohuar: Pasi na rrëshqiti këmba me Teutën, ne bëmë autokritikë me Kastriotin.
Ne jemi në garë për titullin, sepse kampionati sapo ka filluar. Por kjo javë ka qenë e ngjeshur, sepse kemi pasur ndeshjen e Kupës me Himarën, të cilën e kemi vlerësuar maksimalisht dhe kemi fituar me rezultatin 3-0. Por, pas përballjes me himariotët, kemi filluar të përgatitemi për ndeshjen e radhës në kampionat me Pogradecin të cilën do ta zhvillojmë në stadiumin tonë. Do të kemi edhe mbështetjen e tifozëve, kështu që këtë javë jemi të dënuar për të fituar.
Jam i sigurt që, edhe pse luajmë me një ekip në dukje modest, nuk do ta kemi fort të lehtë. Sepse shumë skuadra, kur vijnë në Tiranë, mblidhen në mbrojtje dhe duan pikë. Na ka ndodhur edhe vjet që jemi ndëshkuar në shtëpi, megjithatë këtë sezon nuk ka për të ndodhur më. Kemi një trajner me eksperiencë dhe lojtarë që dinë ti përballojnë situata të tilla dhe ta zgjidhin ndeshjen,- u shpreh fillimisht Ilion Lika.
Kalendari Ne duhet ti marrim ndeshjet njëra pas tjetrës. E di që pas Pogradecit luajmë sërish në shtëpi me Flamurtarin. Kalendari duket sikur na favorizon, megjithatë nuk është kështu. Nuk fiton gjithmonë ekipi që është më i mirë por ndodh që del fitimtar edhe ekipi që gabon më pak në fushën e lojës. Prandaj ne duhet që të bëjmë kujdes në këto dy sfidat e radhës. Të marrim gjashtë pikët e plota dhe më pas të shohim vetëm prepara.
Konkurrenca Ndër të tjera, Lika foli edhe për konkurrencën që, sipas tij, këtë sezon do të jetë e madhe për ekipet që synojnë fitimin e trofeve. Të them të drejtën, javë pas javë kampionati bëhet më i vështirë dhe i bukur. Nuk e kam mendjen fare te rivalët, më shumë mendojmë për ndeshjet tona.
Vërtet u ndal Skënderbeu në dy javët e para, por ama janë shumë sfida të tjera përpara.Është ende herët që të bësh matematikë tani kur kanë kaluar vetëm dy javë. Llogaritë mirë është që ti bëjmë në fund. Tashmë duhet që të grumbullojmë sa më shumë pikë. Jam i bindur që do të jetë një kampionat me shumë surpriza, – theksoi mes të tjerash Lika.
Golat e Balës, ndihmë e madhe për skuadrën
Në fund të fjalës së tij portieri Ilion Lika foli edhe për golat e sulmuesit Bekim Bala, i cili nga java në javë po njeh rritje të formës së tij. Gjithashtu, Ilioni i bën elozhe edhe lojës së të riut 19-vjeçar Morina. Golat e Balës janë një ndihmë e madhe për atë dhe Tiranën. Shpresoj që të vazhdojë kështu dhe të rritet edhe më shumë. Ai shënoi në ndeshjen me Himarën, por edhe në Krujë një javë më parë. Shoh që Bala dhe Morina përshtaten shumë mirë me njëri-tjetrin, – e mbylli prononcimin e tij portieri i Tiranës, Ilion Lika.
3 Gola ka pësuar portieri Lika në këto dy ndeshjet e para në kampionat, një me Teutën në javën e parë në Qemal Stafa dhe dy në përballjen e transfertës javën që shkoi në Krujë
2 Vjet kontratë ka nënshkruar Ilioni me drejtuesit e skuadrës 24 herë kampione. Ajo skadon në fund të këtij edicioni, megjithatë ekziston edhe opsioni i shtyrjes nëse palët do të bien dakord
