E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani han me dy porta, hyjnë tre dhe dalin pesë

Nga ERJON HAMITAJ

Lista e futbollistëve nuk është përcaktuar ende, ndërsa seleksionimi vazhdon

Të enjten në darkë u hodh shorti për kategorinë e dytë. Ekipi i Partizanit u përfshi në Grupin B (marrin pjesë skuadra kryesisht nga jugu i Shqipërisë) dhe ndeshjen e parë do ta ketë pushim. Kjo si duket është bërë me një qëllim të caktuar nga organet e FSHF-së, për ti dhënë më shumë kohë skuadrës së kuqe në formimin e grupit. Edhe pse u fol shumë fundjavën e shkuar që te Partizani ishin përcaktuar futbollistët për sezonin e ri, dje gjithçka dukej ndryshe.

Stërvitja, e cila filloi në orën 16:00, mblodhi një numër të madh futbollistësh (mbi 30), por stafi teknik thuajse nuk e njihte fare shumicën e tyre. Futbollistët e rinj, që aspironin të vishnin fanellën e kuqe, duket se vinin të rekomanduar mik pas miku e shok pas shoku. Kjo ka lidhje me faktin që thuajse të gjithë lojtarët që mund ti bënin punë trajnerit Bajko kanë nënshkruar me skuadra të tjera, ndaj të cilave e kanë të vështirë të ndahen, të paktën deri në janar.

Nga seleksionimet që po bëhen ditët e fundit po kërkohet që të gatuhet bukë gruri me miell misri. Trajnerët e Partizanit në njëfarë mënyre janë dorëzuar për fazën e parë (kërkojnë që deri në fund të dhjetorit të renditen jo më poshtë se vendi i tretë), duke shpresuar në afrimin e lojtarëve cilësorë gjatë merkatos së janarit. Këtu nuk dihet kush hyn e kush del më parë, tre vijnë e pesë ikin.

Smerret vesh se çfarë bëhet. A keni dhe ju të Sportit shqiptar ndonjë djalë që doni ta sillni këtu? Hajde të hënën, ose të marten, që të shohësh listën që është përcaktuar. Këto janë fjalët e pjesëtarëve të stafit teknik, të cilët po e kuptojnë se ndërhyrja për të ringritur Partizanin është e vonuar, megjithatë jo e pashpresë.

Akademia Ditën e hënë, Shkolla e Bashkuar, ku stërvitet Partizani, hap dyer edhe për akademinë. Të gjithë të rinjtë që dëshirojnë të bëhen pjesë e akademisë së Partizanit mund të regjistrohen dhe të nisin stërvitjen në ambientet e reja.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›