Shtini: Jo euforikë, duam pikë me Tomorin
Mesfushori i ri Ariel Shtini kërkon suksesin e radhës me fanellën blu, pse jo, kësaj radhe me një fitore
Mesfushori me tipare sulmuese i Dinamos, Ariel Shtini, është në kërkim të suksesit me fanellën blu. Ai ka kaluar një provë të mirë përballë Skënderbeut. I aktivizuar në krahun e djathtë të mesfushës, kavajasi 19-vjeçar ka lënë mbresa tek dinamovitët. Por sigurisht është tepër e rëndësishme vazhdimësia.
Pikërisht në këtë këndvështrimin edhe ish-futbollisti i Besës analizon ndeshjen e rradhës ndaj Tomorit, të cilën e shikon si një sfidë edhe për elementin e ri, i cili pritet të ingranohet me grupin. Talenti kavajas, gjatë një prononcimi për Sportin shqiptar, kërkon të largojë euforinë. Ai vlerëson ekipin e Tomorit, por mendon se Dinamo, gjithnjë duke qëndruar me këmbë në tokë, do të arrijë një rezultat pozitiv ndaj beratasve.
Debutimi
Mendoj se në aspektin personal kam debutuar pozitivisht ndaj Skënderbeut. Kërkoj të vlerësoj në maksimum mundësin që më është dhënë, pasi Dinamo është një ekip me tradita. Në fillim pata pak vështirësi, por besoj se tashmë e kam justifikuar dhe do të vazhdoj ta justifikoj besimin e trajnerit Faruk Sejdini. Unë jam ende i ri në karrierë dhe ndihma morale që na jep trajneri ynë është tepër domethënëse dhe këtë se them për të bërë reklamë.
Tomori
Është një ndeshje tepër e vështirë për ne. Shkojmë për fitore, pasi një arritje e tillë do të na rriste akoma më tepër moralin. Në grup mbizotëron nje gjendje pozitive, ndërkohë që ju garantoj që nuk ka vend për eufori. Ne e vlerësojmë kundërshtarin, por në krahun tjetër njohim edhe forcën tonë. Edhe pse kemi vetëm pak kohë së bashku, mendoj se skuadra ka liderë si kapiteni Kuli, të cilët dinë të udhëheqin ekipin.
Beratasit i njohim pak a shumë, sepse janë luajtur dy javë kampionat deri tani. Por është puna e trajnerit dhe stafit tonë teknik për të analizuar ndeshjen e rradhës ndaj beratasve. Ndërkohë që në si futbollistë duhet të jemi ushtarë të bindur në fushën e blertë.
Kapiteni
Është privilegj të luash përkrahë një futbollisti si Bekim Kuli. Për ne djemtë e rinj është e nevojshme eksperienca e tij në fushë. Jam i bindur që jo vetëm mua, por edhe bashkëmoshatarëve të mi i nevojitet një lojtari si Bekimi në krah. Për më tepër, edhe për ne lojtarët me tipare sulmuese, me Kulin goli është më i lehtë. Gjithsesi, nuk dua ti heq meritat pjesës tjetër të ekipit.
Kemi lojtarë si Deliallisi, Arifaj, Malota dhe të tjerë, të cilët po i japin shumë Dinamo në këtë moment të vështirë. Të gjithë së bashku, duke futur edhe stafin teknik, jemi duke dhënë më të mirën që blutë të ngrihen atje ku i takon, pasi problemet e fundit e kanë çorituar me të padrejtë ambientin tonë,- përfundon i riu i talentuar Ariel Shtini.
