Lushnja, me Himarën për tu rifutur në shinat e superligës
Futbollistët me kontratë kanë marrë këstet e para të pagesave dhe në ndeshjen e sotme pritet të japin maksimumin
Skuadra lushnjare ka ditë që mendon për ndeshjen e sotme me Himarën, që do të luhet në stadiumin Roza Haxhiu. Miqtë janë debutues në kategorinë e parë, por verdhejeshilët, pas gabimit të pafalshëm në Vlorë, kanë mbledhur mendjen për të mos bërë më të tilla në vazhdim. Pas një jave përgatitore me një ndeshje të suksesshme kupe në mes, lushnjarët kanë më shumë mundësi të shfaqin vlerat më të mira para tifozëve të tyre.
Gjatë ndeshjes së kupës me Kamzën, stafi teknik ka provuar disa alternativa, por peshën kryesore do ta mbajnë futbollistët e formacionit kryesor. Me Kamzën u shfaqën disa të talentuar, ku spikati Ikonomi, mesfushori i ardhur nga të rinjtë. Nga shkolla lushnjare, përveç tij, u shfaqën edhe të tjerë si Liçka dhe Ruço, të cilët do të jenë në të ardhmen konkurrentë të denjë të titullarëve.
Klubi Sekretari i klubit, Judmir Shurdhi, konfirmon sërish seriozitetin e drejtuesve të Lushnjës. Sipas tij, janë kaluar për futbollistët me kontratë këstet e para të pagesave të premtuara. Kemi kaluar pagesat e para për futbollistët me kontratë, që përfshin shumicën e tyre.
Detyrimi moral dhe financiar nga ana e drejtuesve dhe presidencës është kryer, kështu që kemi shpresa se edhe futbolilstët do ta vlerësojnë më së miri një gjë të tillë. Mbetemi seriozë në synimet tona për kreun e renditjes. Futbollistët i kemi parë të impenjuar në maksimum gjatë javës për të bërë kthesën pas humbjes në Vlorë. Presim maksimumin me Himarën, – ka theksuar sekretari Shurdhi.
Stafi teknik Më në pozitë gjatë kësaj jave kanë qenë drejtuesit teknikë të Lushnjës. Një humbje e papritur në Vlorë ka sjellë shqetësim në Lushnjë, sepse skuadra nuk duhet ti diskutojë kundërshtarë si Vlora, pasi është projektuar për një të ardhme të sigurt në superiore. Trajneri Ramadan Baballëku mendon se ishte momentale ajo situatë e keqe dhe se tashmë ka kaluar:
Sigurisht që nuk e prisnim të humbisnim në Vlorë dhe kemi punuar të riparojmë defektet që patëm. E treguam në ndeshjen e kupës me Kamzën, ku skuadra edhe pse në disavantazh, arriti të fitojë. Këtë kemi ndër mend të bëjmë edhe me Himarën, duke bindur me lojë dhe rezultat. Ndeshjen e kemi vlerësuar shumë dhe mendoj se do të fitojmë, – ka thënë trajneri Baballëku.
