“Vllaznia në Kategori 1? Do ishte një katastrofë”
Për shumëkënd ecuria e ekipit kuqeblu është ndër më të këqijat e kësaj skuadre në gjithë historikun e saj. Por askush nuk e mendon dhe imagjinon këtë emër një kategori më poshtë. Të shumtë kanë qenë dhe specialistët shkodranë të cilët kanë dhënë mendimin e tyre për situatën aspak të këndshme në të cilën ndodhet ekipi. Për Ramzan Rragamin, ky nuk do të jetë vendi i Vllaznisë në fund të këtij kampionati. “Do të ishte një katasfrofë nëse do të mendohet e jo më të ishte e vërtet nëse ekipi i Vllaznisë do të zbriste në një kategori më poshtë. Unë nuk e mendoj një gjë të tillë, pasi ekipi ka vlera dhe këto vlera duhet t’i shprehë më mirë dhe unë kam besim se ekipi do t’i shprehë ato”, ka thënë mjeshtri i madh, i cili në moshën 17-vjeçare (1961-1962) ka qenë pjesë e ekipit i cili për të parën dhe të fundit herë deri tani ka zbritur në një kategori më poshtë. Ndërsa thuajse në të njëjtën linjë me të duket se është dhe tekniku i ekipit tonë Kombëtar Shpresa Artan Bushati. “Do të ishte një humbje e madhe jo vetëm për Shkodrën, por edhe për mbarë futbollin shqiptar. Por unë kam mendimin dhe besimin se gjërat shumë shpejt kanë për të ndryshuar për ekipin tonë. Me të gjetur besimin në vetvete ky ekip do të dijë të gjejë dhe gjërat, të cilat po i mungojnë. Tani të gjithë duhet ta mbështesin më fort këtë ekip”, ka thënë Bushati.