E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kataklizmi japonez

Tërmeti prej 8.9 shkallësh nxiti të premten një tsunami shkatërrues në Japoni. Shtëpitë, veturat, fermat dhe gjithçka tjetër që iu gjend në rrugë tsunamit, i cili goditi pjesën verilindore të Japonisë, u fshi nga faqja e dheut. Tërmeti shkundi edhe Tokion. Raportet e para flasin për disa qindra të vdekur. Të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë në Japoni janë shëndosh e mirë. Nga Express më 12 mars 2011 në ora 08:42

Pjesa verilindore e Japonisë u godit të premten nga një tërmet me manjitudë prej 8.9 shkallësh, i cili shkaktoi një valë të tsunamit mbi 10 metra të lartë. Vala shpërlau vetura dhe shkatërroi ndërtesa, në bregun afër epiqendrës.

Pamjet televizive shfaqën gjatë të premtes shkatërrimet e mëdha që i shkaktoi tsunami; qindra vetura, por edhe anije e ndërtesa që lundronin bashkë me valën e ujit oqeanik. Në xhirimet e shfaqura nga transmetuesi publik japonez, NHK, u pa se si në qytetin Kesennuma, të prefekturës Miyagi, një anije e madhe, e bartur nga tsunami, ishte përplasur drejt e në pendën mbrojtëse.

Raportet e para policore konfirmojnë gjetjen e trupave të të paktën 300 personave të vdekur, vetëm në qytetin bregdetar Sendai. Ndërkohë që të paktën edhe 349 të tjerë raportohen të zhdukur. Numri i viktimave sigurisht që do të vazhdojë të rritet, duke marrë parasysh nivelin e kësaj katastrofe natyrore, por edhe raportet e agjencive, sipas të cilave ende nuk dihet fati i të paktën 80 udhëtarëve të një anijeje, e cila konsiderohet e zhdukur.

Zyrtarët japonezë gjatë gjithë ditës së premte po mundoheshin të përcaktonin vlerën e përafërt të dëmeve dhe të personave të lënduar e të vdekur nga tërmeti, megjithëse munguan të dhëna të precizuara.

Sido që të jetë, sipas agjencive të lajmeve, vetëm dëmet materiale vlerësohen disa miliarda dollarë.

Alarmohet gjithë zona e Oqeanit Paqësor

Ndërkohë, alarmet për tsunami u dëgjuan edhe në ishujt amerikan Hawaii, por edhe në brigjet e shteteve federale amerikane Oregon, Washington, në disa pjesë të Alaskës dhe në Amerikën Jugore.

"Tsunami i krijuar mund të shkaktojë dëme përgjatë gjithë vijës bregdetare të të gjithë ishujve të shtetit të Hawaii’t”, thuhej në buletinin e Qendrës Paralajmëruese për Tsunami të Paqësorit.

"Duhen të ndërmerren masa urgjente për mbrojtjen e jetëve dhe të pronave”, nënvizohej tutje në buletinin që pasoi tërmetin dhe tsunamin shkatërrues në Japoni, derisa pritje që vala e tsunamit ta godas Hawaii’n të premten, në orët e mbrëmjes. Megjithatë, sipas vlerësimeve të para, vala e tsunamit që mund ta godas Hawai’n nuk pritet që të jetë më i lartë se 1.5 metra.

Shkret, dhembje, tmerr...

Ndërkohë, në zonën Isogo, të qytetit japonez Yokohama, u njoftua për tym të dendur që dilte nga zona industriale e qytetit. Në pamjet televizive shiheshin anije, vetura dhe kamionë që lundronin mbi ujë, pasi që një tsunami i vogël kishte goditur qytetin Kamaichi, në veri të Japonisë. Një mbikalim automobilistik dukej se ishte rrënuar në ujë.
Agjencia japoneze e lajmeve Kyodo bëri të ditur se ka raporte për shpërthime të zjarrit në qytetin Sendai, në verilindje të vendit.

Dridhja e fuqishme u raportua të jetë ndier edhe në Pekin.

Ndryshe, tërmeti ndodhi në orën 14:46, sipas kohës lokale, dhe ai pastaj u pasua nga disa tërmete tjera të fuqishme, përfshirë një me manjitudë prej 78.4 shkallësh, vetëm 30 minuta pas tërmetit të parë shkatërrues. Instituti Gjeologjik Amerikan (USGS) përcaktoi se fuqia e tërmetit ishte 8.9 shkallë, ndërkaq Agjencia Meteorologjike Japoneze njoftoi se ai kishte një fuqi prej 7.9 shkallësh.

Duke u thirrur në të dhënat e publikuara nga USGS, televizioni amerikan NBC News raportoi se, nëse është e saktë që tërmeti kishte fuqi prej 8.9 shkallësh, atëherë ky ishte tërmeti i pestë më i fuqishëm që goditi botën që nga viti 1900.

Të premten pasdite, sipas kohës lokale, në Japoni u ndjenë edhe disa tërmete tjera më të dobëta.

Përndryshe, epiqendra e tërmetit të parë ndodhej në një thellësi prej afro 9 kilometrash, rreth 120 kilometra nga bregdeti lindor, njoftuan agjencitë. Kjo zonë ndodhet rreth 190 kilometra në verilindje të Tokios.

Në qendër të Tokios u shkundën fuqishëm ndërtesat e larta, por punonjësit arritën të dilnin të sigurt prej atje. pamjet televizive shfaqën disa zjarre që shpërthyen në ndërtesat e larta, dhe një tym të dendur në distriktin Odaiba, të Tokios. Metrotë dhe trenat e shpejt u ndalën, ndërsa udhëtarët u panë derisa po largoheshin përgjatë binarëve.

Aeroportet e rajonit po ashtu u mbyllën, kurse njësitet e zjarrfikësve të Tokois raportuan për disa të lënduar, si pasojë e rënies së një kulmi gjatë një ceremonie të diplomimit, njoftoi Sky News.

Ndërkohë pamjet e shfaqura në NHK, të xhiruara nga zyra e këtij televizioni në Sendai, shfaqën punonjësit që kishin ngecur gjithandej, përderisa mbi ta binin libra dhe materialet e zyrës. U panë edhe dëme tjera të shumta që ndodhën jashtë zyrës në Sendai.

Panik në Tokio

Tridhjetë minuta pas tërmetit një ndërtesë e lartë në Tokio vazhdonte të lëkundej, ndërkohë që rrjetet e telefonisë celulare ende nuk po funksiononin.

Qindra punonjës zyrash dhe shitës të dyqaneve kishin mbushur rrugën Hitotsugi, një rrugë kjo tregtare në Akasaka, në qendër të Tokios.

Pajisjet shtëpiake, duke filluar që nga totalet-letra e deri tek qeset plastike, po valëviteshin rrugëve nga raftet e dyqaneve përreth.

Turmat e mbledhura para ekraneve televizive në një dyqan aty afër po mundoheshin të kuptonin detaje shtesë. Pas ndaljes së dridhjeve të para, turma po shikonte dhe analizonte drejt kraneve ndërtimore në një ndërtesë të afërt administrative. Disa zëra po dëgjoheshin duke bërtitur: “Ata ende po dridhen!” , “Athua do të rrëzohen?”
Web-dizajneri Asagi Machida (27), nga Tokio, u largua me vrap nga një kafeteri, sapo ndjeu dridhjet e tërmetit të fuqishëm.

"Pamjet e tërmetit që goditi Zelandën e Re janë ende të freskëta për mua, andaj edhe u frikësova së tepërmi. Nuk po mund të besoja se një tërmet kaq i fuqishëm po ndodhte në Tokio”, pohoi ai.

Vend i tërmeteve

Bregu verilindor i Japonisë përgjatë Oqeanit Paqësor, i quajtur Sanriku, edhe në të kaluarën përjetoi tsunami që u shkaktuan nga tërmetet. Një i tillë, që ndodhi të mërkurën, kishte një fuqi prej 7.2 shkallësh.

Në vitin 1933, një tërmet me manjitudë prej 8.1 shkallësh, që kishte goditur këtë zonë, shkaktoi vdekjen e më shumë se 3,000 njerëzve. Vitin e kaluar ndërkaq atje ishin dëmtuar repartet për përpunimin e peshkut, pasi që zonën e kishte goditur një tsunami, i cili paraprakisht kishte shkaktuar dëme dhe viktima të shumta në Kili.
Tërmetet janë të shpeshta në Japoni, ngase ishulli japonez konsiderohet të jetë një prej zonave më aktive sizmike në botë.

Në Japoni regjistrohen rreth 20 përqind e të gjitha tërmeteve botërore, me manjitudë gjashtë shkallë, ose më të fuqishme.
(Nga agjencitë)

Dëmtohet centrali bërthamor

Ministria Japoneze e Industrisë njoftoi të premten se, operatori i centralit bërthamor japonez ‘Fukushima No. 1’ raportoi se të premten në central është vërdatur “një abnormalitet”, menjëherë pasi që një tërmet i fuqishëm godit pjesën verilindore të vendit, përfshirë këtu prefekturën Fukushima.

Sistemet që ftohin bërthamën e reaktorit në rast emergjence, u ndalën në reaktorët Nr. 1 dhe Nr. 2 të centralit, i cili operon si pjesë e
Tokyo Electric Power Co., thuhet në njoftim.

Gjatë së premtes u raportua se kryeministri japonez shpalli gjendje të jashtëzakonshme nukleare, si pasojë e këtij defekti, dhe për evakuimin e mijëra banorëve që jetonin përreth centralit.

Probleme të ngjashme u raportua të jenë shfaqur edhe në tre centrale tjerë bërthamorë japonezë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›