E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’i përjashtojnë protestat

Nga Express më 11 mars 2011 në ora 22:20

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk e ka votuar rezolutën për bisedime me Serbinë e bindur se Kosova ka hyrë në këto bisedime e pa përgatitur.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj ka thënë për emisionin Inpol në Newstv, se AAK nuk është kundër bisedimeve me Serbinë. Por siç ka thënë ai është dashur që Kosova të ketë një përgatitje më të mirë në raport me këto bisedime dhe në agjendën e saj të ketë vija të kuqe të cilat nuk duhet shkelur.

Hapja e paketës së Ahtisarit dhe çështje tjera të brendshme, sipas tij janë të paprekshme dhe për këtë AAK-ja do të reagojë fort. Haradinaj ka deklaruar se AAK-ja do të përdorë çdo mundësi demokratike, qoftë edhe protestat për të mos lejuar kompromiset që shkojnë në dëm të vendit.

Sipas tij çështja e veriut do të hapet më vonë në këto bisedime, dhe kjo është e pa pranueshme.

Gjithashtu Haradinaj shpreson që vulës doganore të mos i ndërrohet emri nga Republika e Kosovës në “Kosovo”, sepse do të shkelej sovraniteti juridik i Kosovës.

Haradinaj mendon se nga këto bisedime Kosova do të përfitojë në aspektin teknik, kurse Serbia do të përfitojë më shume - statusin e anëtarësimit në BE.

Ai ka përmendur edhe çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Sipas tij, Kosova duhet të ketë në agjendë çështjen e tyre, në mënyrë që të përmirësohet jeta e qytetarëve në atë pjesë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›