Mungesa e osmanologëve pezullon hulumtimet

Nuk janë vetëm shkencat ekzakte të padëshiruara për studim nga ana e të rinjve kosovarë. Ndonëse zhvillimi ekonomik, e sidomos ai industrial bazohet në këto kuadro, e që vazhdojnë të jenë deficitare në vend, interesimi për studim në këto drejtime ka nisur të rritet, por shifrat nuk sjellin ende konkurrencë. Ngjashëm është ballafaquar tash e sa vjet edhe Departamenti i orientalistikës në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës (UP).
I hapur që nga themelimi i UP-së, ky departament nuk ka zgjuar shumë interesim për studim. Studimi i dokumenteve që lidhen me shqiptarët ka mbetur më së shumti peng i mungesës së osmanologëve shqiptarë, shkruan gazeta “Zëri”.
Si i vetmi departament në universitetet shqiptare, në këtë departament nuk funksionon niveli master i studimeve. Numri për të funksionuar një degë prej 20 studentësh që parashihet me statut ka ndikuar shpesh në pezullimin e këtyre studimeve, veçanërisht në nivelin master.
Për herë të parë ky departament ka aplikuar për program studimesh në këtë nivel në Agjencinë për Akreditim të Kosovës (AAK), duke u bazuar në një rritje të interesimit të studentëve për të studiuar në këtë fushë, vërejtur sidomos viteve të fundit, që udhëheqës të këtij departamenti në UP e lidhin me investimet që bën shteti turk në Kosovë, kontaktet dhe marrëveshjet që ka bërë Turqia me Kosovën dhe Shqipërinë.
Tani numri i studentëve në këtë degë ka arritur në 30 studentë të regjistruar në vitin e parë akademik 2012-2013.
Për këtë, Isa Memishi shef i departamentit të orientalistikës në UP shprehet i kënaqur, pavarësisht se pranon që mungesa e osmanologëve shqiptarë ka ndikuar që e kaluara shqiptare të mbetet e paeksploruar kënaqshëm në arkivat e shtetit turk.
Memishi ka thënë për “Zërin” se e kaluara shqiptare për të gjitha trojet etnike gjendet në arkivat turke me mijëra dokumente, pa përjashtuar mundësinë se ato mund të arrijnë në 1 milion copa.
Dega e orientalistikës në UP është e vetmja që funksionon me gjuhën arabe, turke dhe osmane (gjuhësia dhe letërsia), ndërsa sipas Memishit nuk ekziston në universitetet tjera shqiptare, kurse së fundi është hapur në Universitetin e Tetovës, por duhet kohë për të krijuar traditën që e ka, sipas tij, Fakulteti i Filologjisë në UP.
Në Departamentin e orientalistikës në UP për çdo vit, sipas Memishit, po rritet interesimi për orientin, dhe ai mendon se ndikohet edhe nga investimet turke, gjithashtu edhe për shkak të krijimit të marrëdhënieve me shtetet arabe duke vlerësuar se pasi të kryhet “Pranvera arabe” duhet të vendosen marrëdhënie dhe me këto shtete.
Memishi thekson se Kosova ka 3-4 osmanologë dhe se ky departament është duke bërë përpjekje që të nxjerrë sa më shumë kuadro të profesionalizuara në gjuhët orientale. Ai përmend se aktualisht ka disa studentë që po vazhdojnë këto studime në universitetet turke në fushën e osmanishtes.
Ai tha se do të dërgohen studentë atje që të krijohen kuadro për këtë fushë dhe të merren me përkthimin e rreth një milion dokumenteve që duhet të përkthehen nga osmanishtja, e të cilat iu dedikohen trojeve shqiptare nëpër arkivat e Turqisë.
“Dita-ditës dëgjojmë që nuk ka studime të periudhës osmane pa hulumtimin e arkivave të Turqisë. Si të bëhen ato hulumtime kur ne nuk kemi osmanologë”.
Sivjet për herë të parë kjo degë ka konkurruar për akreditim edhe me një program që është hyrje në studimet e gjuhës dhe letërsisë perse. “Gjuha perse është e nevojshme të studiohet për arsye se pa osmanishten, turqishten, arabishten dhe persishten është e pamundur të hulumtohen dokumentet dhe faktet mbi historinë e shqiptarëve”, thotë ai.
Me akreditimin e gjuhës perse, Memishi i quan të kompletuara studimet e orientalistikës. Ndonëse thekson se tash për tash në Kosovë janë tre osmanologë që merren në mënyrë aktive me osmanishten, Memishi e sheh të nevojshme që edhe institutet qoftë ai i Historisë, Albanologjisë dhe arkiva e shtetit, ato komunale që të tregojnë interesim më të madh për të angazhuar të diplomuarit në orientalistikë.
“Asnjë institut nuk ka orientalist të diplomuar. Kuadrot janë, por tani për tani ne nuk kemi një historian që e njeh osmanishten, me përjashtim të kuadrove të kësaj dege që janë orientuar në histori”, ka thënë ai për gazetën./Indeksonline/