E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katanec: Futbollistët shqiptarë s’kanë kualitet

Katanec ka porositur se futbollistët shqiptarë duhet të punojnë shumë më shumë për të arritur në nivelin që kërkon reprezentacioni. Ai nuk ka asnjë lloj inati kundër shqiptarëve, por ka vlerësuar se ata nuk kanë kualitet që të ballafaqohen me lojtarë të cilët janë pjesë e ekipeve të mëdha evropiane.Srecko Katanec ka folur për “Lajm” pas plotë një viti e gjysmë në kreun e reprezentacionit të Maqedonisë. Ai ka sqaruar rezultatet e deritanishme, mos-inkuadrimin e shqiptarëve në kombëtaren e Maqedonisë dhe ardhmërinë e tij. Me Maqedoninë Katanec ka zhvilluar shtatë ndeshje për kualifikimet EURO 2008, ku ka shënuar dy fitore, një barazim dhe katër humbje. Ka grumbulluar 7 pikë, kurse rezultati më i mirë konsiderohet barazimi pa gola në “Old Traford” kundër Anglisë.
LAJM: A jeni të kënaqur nga rezultate e deritanishme me Maqedoninë?
Katanec: Maqedonia nuk mundet të matet me rezultatet e arritura kohëve të fundit. Rezultatet janë në letër dhe aty tregohet se kemi fituar Estoninë dhe Andorrën, kurse kemi luajtur me Anglinë 0:0. Nuk jam i kënaqur pasi rezultatet nuk janë adekuate. Të them sinqerisht rezultate kanë mundur të jenë më të mira, por parë edhe nga renditja e FIFA-s edhe e UEFA-së ky është realiteti. Ndoshta do të kishim mundur të fitonim edhe një pikë me anglezët, si dhe tri pikë me Izraelin. Unë jam i kënaqur me punën time që bëj me reprezentacionin e Maqedonisë.
LAJM: Përse jeni të orientuar vetëm në futbollistët që luajnë jashtë Maqedonisë?
Katanec: Për shkak se këta lojtarë që luajnë këtu, nuk mundë të luajnë në nivelin e tillë sic e kërkojnë ndeshjet me reprezentacionin.
LAJM: Si iu është dukur ndeshja Vardari-Milano, të cilin e keni parë nga afër?
Katanec: Ndeshje e dobët dhe pa ritëm. Ndoshta ka qenë edhe temperatura më e nxehtë dhe kjo ka ndikuar te futbollistët, megjithatë jemi shumë larg futbollit modern. Do të shihni se si luajnë nigerianët të mërkurën.
LAJM: Ka shumë zëra që thonë se ndihmësi i juaj Vujadin Stanojkoviq e përpilon listën e lojtarëve të reprezentacionit...
Katanec: Le të thonë cfarë të donë. Stanojkoviq e ndjekë kampionatin e këtushëm. Thënë sinqerisht kam parë vetëm Rabotnickin me Hit Gorican dhe Vardarin me Milanon. Më janë dukur ndeshje shumë të dobëta dhe ne c’kemi cfarë të shtojmë këtu. Sa i përket ftesës së futbollistëve, unë bashkëpunoj me ndihmësin tim, por sërish unë në fund vendosi.
LAJM: A është e vërtetë se e injoroni ndihmësin tjetër Uran Ymeri?
Katanec: S’ka lidhje kjo. Ymeri bën punën e tij ashtu sic duhet.
LAJM: A ka ndonjë arsye pse nuk ftohen shqiptarët?
Katanec: Unë i kuptoj insistimet tuaja për më shumë futbollist shqiptarë në reprezentacion. Nëse ka super-lojtarë unë menjëherë do t’i thërras, por fatkeqësisht nuk ka. Nuk ka lojtarë cilësorë.
LAJM: Shumë trajnerë kanë vlerësuar se Nexhipi dhe Demiri duhet të jenë në reprezentacion...
Katanec: Ku ishte Nexhipi tani, a ishte ai në Kore, pse nuk e morën? Si ta ftojë unë tani. Në cfarë mënyrë, kur ai edhe tani nuk luan sic duhet. Ishte në prova në Kore, por e kanë parë se cfarë është dhe nuk e kanë marrë. Nuk e di saktë, por unë vetëm po supozoj. Le të luajë Nexhipi mirë këtu, le të shënojë 3-4 gola, le të vrapojë të paktë, unë do ta ftoj në reprezentacion. Ju po mendoni se nuk e ftojë atë vetëm pse është shqiptarë? Mos u tallni ju lutem. A mendoni ju se ai është tani i përgatitur fizikisht për të luajtur me Nigerinë. Ne duhet të luajmë me lojtarë që aktivizohen në Liverpool, në Chelsea, në Porsmouth etj. E shihni sic luanë Martins apo Canu etj. Në gjithmonë dëshirojmë të bëjmë dicka pa punë. Nuk shkon ashtu.
LAJM: Pas përfundimit të kontratës, a do të vazhdoni sërish me Maqedoninë?
Katanec: Nuk e di. Unë kam kontratë dhe do ta respektoj atë deri në fund.
LAJM: Po vërejmë se dicka nuk jeni të kënaqur?
Katanec: Nuk jam i kënaqur sepse unë nuk kam menduar se do të jetë situata e tillë edhe me FFM-në, edhe me një pjesë të medieve të cilat kërkojnë rezultat, por me cfarë kualiteti. Dikush mundë të jetë i pakënaqur me atë që nuk shënojmë gola, por kjo është pasojë e cilësisë së dobët. Nëse dikush hidhërohet për këtë që unë e them, le të hidhërohet.
LAJM: Pse Maqedonia kur luan në fushë mysafire, luan me më shumë shpirt, kurse në fushë të vet luan me pak vullnet dhe nuk ka rezultate. Mos duhet ndonjë psikolog të analizojë situatën?
Katanec: Këtu duhet psikologët të tregojnë për cfarë arsye ndodhë kjo. Duhet të analizohet loja dhe logjika e futbollistëve. Gjithashtu edhe fyerjet nga publiku kanë efektin e vet.
LAJM: Kur Maqedonia mundë të shpresojë të marrë pjesë në një kampionat evropian apo botëror?
Katanec: Ende nuk jemi kundërshtarë të denjë. Edhe ndeshja kundër izraelitëve tregoi se sa larg jemi. Të mirë jemi, por duhet punë dhe kohë për të arritur aty ku duhet. Rezultatet vijnë spontanisht. Kemi lojtarë të rinj, por gjithcka varet se si do të zhvillohen ata nëpër klubet ku aktivizohen. Shumica e lojtarëve të Maqedonisë nuk janë titullar nëpër klubet ku ata luajnë. Por ne i ftojmë ata sepse janë potenciali jonë.
LAJM: Cfarë ju bën nervozë kohëve të fundit?
Katanec: Bëhem nervoz kur dikush nuk më dëgjon. Nëse unë jam caktuar si shef këtu, atëherë duhet të më dëgjojnë. Më bën nervoz kur del dikush këtu në televizion dhe thotë ku është tani ai vendi i parë, apo i dytë që është premtuar. Kush ka premtuar ashtu! Unë kur kam ardhur kam thënë, të bëjmë rend, të punohet sipas disa rregullave që i kam mësuar. Ashtu aktualisht është duke u punuar, kurse te rezultatet kanë ndikuar shumë faktorë. Rezultate do të kemi, atëherë kur të gjithë do të bashkohen për të mirën e futbollit.
LAJM: A e keni shfrytëzuar autoritetin e juaj për t’i ndihmuar ndonjë futbollisti?
Katanec: Nuk mundet aty asgjë të ndihmohet. Unë mundë të flas për ndonjë futbollist vetëm nëse më pyet dikush edhe atë t’i tregoj drejtë për aftësitë e tij. Deri tani nuk më ka pyetur askush asgjë.
LAJM: A kanë mësuar dicka futbollistët nga ju dhe kur iu keni thënë që mos të përsërisin një gabim, a janë përmirësuar?
Katanec: Mendoj se kanë mësuar mjaft, por duhet t’i pyesni futbollistët. Problemi është se ne shumë pak jemi bashkë. Unë mundë t’i them që të luajë në këtë mënyrë, por ai është mësuar me mënyrën se si i thonë trajnerët e tij në klubin e vetë.
LAJM: A do të jetë Artim Pollozhani në reprezentacion?
Katanec: Do të jetë sepse është potencial i reprezentacionit. Edhe nëse nuk luan për një kohë të shkurtër, ai do të ftohet. Por jo edhe gjatë kohë nëse mungon në aktivizimin te klubi i tij.

Reshat Ibrahimi
LAJM - Maqedoni

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›