E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katari e njeh Kosovën

Nga Express më 04 janar 2011 në ora 17:21

(E plotësuar) Katari e ka njohur shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, ka bërë të ditur Ministria e Jashtme e Kosovës.

Sot në New York, përfaqësuesit e shtetit të Katarit ia dorëzojnë letrën e njohjes përfaqësuesve të Konsullatës së Kosovës, ka konfirmuar për Express zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Vlora Çitaku.

Konsullja e Përgjithshme e Kosovës në New York, Arta Rama, do të jetë ajo që do nënshkruajë aktin e vendosjes së raporteve diplomatike Kosovë-Katar, kanë saktësuar zyrtarë të MPJ-së.

Katari është shtet i rëndësishëm në gadishullin Arabik, në Lindjen e Afërme. Kufizohet me Arabinë Saudite dhe ka dalje në Gjirin Persik.

Njohja nga Katari ishte paralajmëruar qysh në shtator 2010, kur këtë shtet e pat vizituar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Njohja e fundit, Kosovës i ka ardhur në nëntor të vitit të shkuar, nga Tuvalu.

Me Katarin, numri i shteteve që e kanë njohur realitetin e ri në Kosovë, të krijuar pas 17 shkurtit 2008, rritet në 73.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›