Katastrofa ekologjike, Obama përballet me “British Petrolium”
Pas fjalimit drejtuar popullit amerikan, presidenti Barak Obama është takuar me drejtuesit e kompanisë përgjegjëse për katastrofën, “British Petrolium”. Krerët e “BP” janë takuar në Shtëpinë e Bardhë dy muaj pas fillimit të derdhjes të naftës në Gjirin e Meksikës. Më herët, Obama mbajti një fjalim, ku njoftoi se do të detyronte kompaninë të paguante dëmet e shkaktuara nga derdhja e naftës. Në këtë fjalim televiziv Obama deklaroi se do t’u kërkonte presidentëve të “BP” që firma të ngrinte një fond për të kompensuar të prekurit nga katastrofa. Nafta vazhdon të derdhet në Gjirin e Meksikës që prej shpërthimit të platformës së “BP” më 20 prill, ku humbën jetën 11 punëtorë. Që në atë periudhë retorika politike në SHBA është bërë shumë e hidhur, ndërkohë që çmimet e aksioneve të kompanisë britanike kanë pësuar një rënie të ndjeshme, duke humbur biliona dollarë.
Fjalimi
Në fjalimin e tij të parë televiziv nga Zyra Ovale, presidenti Barak Obama tha se nuk do të ndalet derisa kompania e naftës BP të paguajë dëmin e shkaktuar nga derdhja e naftës në Gjirin e Meksikës. Ai e ka përshkruar atë si një sulm ndaj bregdetit dhe qytetarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Mos u gaboni. Ne do ta luftojmë këtë rrjedhje me të gjitha mjetet pavarësisht se sa kohë do të marrë. Ne do ta bëjmë BP-në që të paguajë për dëmin që ka shkaktuar kompania. Dhe ne do të bëjmë ç’është e mundur për të ndihmuar bregdetin e gjirit dhe që njerëzit e këtij rajoni ta marrin veten pas kësaj tragjedie”, tha presidenti amerikan, Barak Obama. Më tej ai u shpreh se do t’i komunikonte kryesuesit të BP-së, që të themelojë një fond për të paguar dëmin që u ka shkaktuar njerëzve që jetojnë dhe punojnë në bregdetin e Gjirit. Vlerësimet e reja për shkallën e katastrofës se rrjedhja e naftës është shumë më e madhe se sa ishte menduar fillimisht. Një panel i qeverisë amerikane i përbërë nga shkencëtarë thotë se shifrat e reja tregojnë se shkalla e derdhjes së naftës mund të jetë e lartë deri ne 60 mijë barrela në ditë.
Pastrimi
British Petrolium ndërkohë ka rifilluar punën për mbledhjen e naftës së lëshuar në det dhe pastrimin e ujërave në Gjirin e Meksikës. Lajmi u bë i ditur nga vetë kompania, e cila kishte lajmëruar ndërprerjen e punës për shkak se një rrufe shkaktoi flakë në një prej anijeve të kompanisë. Studiuesit amerikanë njoftuan se rrjedhja nga pusi i naftës i mbetur, i hapur pas shpërthimit që shkaktoi vdekjen e 11 personave, është dyfishuar.
17 Qershor 2010