E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshojnë kriteret për marrjen e licencës për transportet rrugore



Laureta Rryçi

Ndryshojnë kriteret për marrjen e licencës për transportet rrugore. Këshilli i Ministrave kaloi dje projektligjin e Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit. Specialistët e këtij dikasteri kanë bërë disa ndryshime, të cilat prekin mjetet që kryejnë transport me udhëtarë si dhe ato që kryejnë kryesisht transport me mallra. Gazeta “Albania” po boton në numrin e sotëm të gjitha ndryshimet që përmban projektligji në fjalë. Në të janë përcaktuar llojet e mjeteve që preken nga këto ndryshime, si dhe ato që përjashtohen. Nga ky projektligj nuk preken vetëm mjetet që do të kryejnë transporte rrugore brenda territorit të vendit tonë.
Ndryshimet
Një nga ndryshimet më thelbësore ka të bëjë pikërisht me autoritetin që i jep kompetenca për dhënien e licencës. Sipas projektligjit, licenca për shërbimin taksi jepet nga kryetari i bashkisë ose i komunës përkatëse, në përputhje me rregullat e përcaktuara në udhëzimin e ministrit. Nga ky projektligj nuk preken vetëm mjetet me kapacitet transportues nën 1500 kg.
Mjetet që preken përfshihen transportuesit që kryejnë veprimtari transporti në, nga dhe nëpër territorit tokësor të Republikës së Shqipërisë janë të detyruar të zbatojnë dispozitat e këtij ligji dhe: të përdorin mjete transporti që kanë kaluar kontrollin e nevojshëm teknik; të mbajnë në mënyrë të rregullt regjistrime e dokumente për çdo mjet dhe për veprimtarinë e vet transportuese, si dhe t’i ruajnë ato për 5 vjet nga data e transportimit; të plotësojnë evidenca statistikore sipas formateve të miratuara nga organet përkatëse dhe t’i raportojnë ato sipas mënyrës së përcaktuar me ligj. Përmbajtja, mënyra e regjistrimit, mënyra e raportimit dhe afatet përcaktohen në rregullore të posaçme të ministrit; në mjet, gjatë qarkullimit, duhet të jenë dokumentet përkatëse sipas këtij ligji.
Penalizimet
Shkeljet e dispozitave të këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë e me masa plotësuese të pezullimit të lejes së transportit (ose të certifikatës) dhe të lejes së qarkullimit. Në projektligjin e ri është rritur masa e penalizmit për ata që kryejnë transportin rrugor por nuk respektojnë kriteret e vendosura në ligj. Sipas ndryshimeve, gjoba më e vogël nis nga 10 mijë lekë dhe varion sipas shkeljeve.

Ishte
Neni 8
Licenca për veprimtarinë e transportit hiqet nga organi që e lëshon atë kur:
a) kërkohet nga mbajtësi i saj;
b) veprimtaria nuk fillon në kohën e përcaktuar në të;
c) mbajtësi i licencës nuk plotëson një ose më shumë nga kërkesat e nenit 6;
ç) mbajtësi i licencës shkel detyrimet e përcaktuara në këtë ligj.

Bëhet
Neni 8
Në nenin 8 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
1. Paragrafi i parë ndryshohet, si më poshtë vijon:
Licenca për veprimtarinë e transportit pezullohet ose hiqet, kur:
2. Në fund të nenit shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:
Procedurat për pezullimin dhe heqjen e licencës përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Ishte
Neni 35
Këshilli bashkiak përcakton mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të këtij shërbimi brenda juridiksionit të vet.
Kriteret për caktimin e numrit maksimal të taksive, në shkallë vendi, vendosen me udhëzim të ministrit.
Licenca për shërbimin taksi jepet nga kryetari i bashkisë përkatëse, duke respektuar kriterin e numrit, siç përmendet në paragrafin e mësipërm të këtij neni.
Licenca për shërbimin taksi jepet me afat 5 vjet, me të drejtë rinovimi automatikisht, kur subjekti ka përmbushur detyrimet e përcaktuara në këtë ligj.

Bëhet
Neni 35
Në nenin 35 bëhen këto ndryshime:
1. Në paragrafin e parë, emërtimi “... Këshilli bashkiak...” zëvendësohet me “... Këshilli bashkiak ose komunal ...”.
2. Paragrafi i dytë shfuqizohet.
3. Paragrafi i tretë ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Licenca për shërbimin taksi jepet nga kryetari i bashkisë ose i komunës përkatëse, në përputhje me rregullat e përcaktuara në udhëzimin e ministrit”.

Ishte
Neni 46
Dispozitat e këtij ligji nuk do të zbatohen për mjetet me kapacitet transportues nën 500 kg.

Bëhet
Neni 46
Dispozitat e këtij ligji nuk do të zbatohen për mjetet me kapacitet transportues nën 1500 kg.

Nen i ri 521
1. Pa cenuar dispozitat e nenit 2, të këtij ligji, ministri lejon kryerjen e transportit brenda territorit të Republikës së Shqipërisë nga një transportues i huaj (kabotazh), që nuk e ka selinë në Shqipëri edhe kur nuk parashikohet në marrëveshjen ndërkombëtare me shtetin, ku transportuesi i huaj ka selinë, vetëm për arsye të emergjencës civile.
2. Kushtet e lëshimit, të refuzimit e të heqjes së lejes për kryerjen e kabotazhit; detyrimet e transportuesve e të drejtuesit të mjetit; përmbajtja e dokumentacionit që shoqëron mjetin gjatë kryerjes së kabotazhit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Ministri përgjegjës për transportin lëshon lejen për kryerjen e operacioneve të kabotazhit.

Ishte
Neni 68
Shkeljet e dispozitave të këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë e me masa plotësuese të pezullimit të lejes së transportit (ose të certifikatës) dhe të lejes së qarkullimit.
Për shkelje të dispozitave të parashikuara në nenet:
a) 5, 11, 23/1 shkronjat "a" dhe "b", 23/2, 30, 31 dhe 38 dënohen me gjobë nga 5 000 deri në 100 000 lekë dhe me masën plotësuese të pezullimit të lejes së qarkullimit nga 1 deri në 3 muaj;
b) 10 shkronja "b", 21, 23/1 shkronja "c", 25, 26, 27, 28, 36 paragrafi i tretë dhe 37 dënohen me gjobë nga 50 000 deri në 200 000 lekë, si dhe me masën plotësuese të pezullimit të lejes së transportit ose të certifikatës nga 3 deri në 6 muaj.
c) 54 shkronja "c", 56, 57, 60 dhe 61 dënohen me gjobë nga 50 000 deri në 200 000 lekë, si dhe me masën plotësuese të pezullimit të lejes së transportit ose të certifikatës nga 3 deri në 6 muaj.

Bëhet
Neni 68
Në nenin 68 bëhen ndryshimi dhe shtesa, si më poshtë vijon:
1. Në paragrafin e parë dhe në shkronjat “b” dhe “c”, fjalët “...lejes së transportit...” zëvendësohen me fjalën “... licencës ...”.
2. Pas shkronjës “c” shtohet shkronja “ç”, me këtë përmbajtje:
“ç) kur transporti i mallrave, kabotazhi, kryhet pa lejen e nevojshme, transportuesi i huaj dënohet:
i) me gjobë 100 000 deri në 200 000 lekë;
ii) me heqjen e lejes për kryerjen e kabotazhit”.

17 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›