E Shtunë, 31 Tetor 2026

TELASHET E VIP-ave, pranga Erion Korinit, përplasjet e VIP-ave shqiptarë me policinë



Artan CENA
TIRANË - Këngëtari Erion Korini është vënë në pranga për dhunën e ushtruar ndaj të fejuarës së tij 24-vjeçare. Policia ka bërë të ditur dje se arrestimi është bërë pas denoncimit të bërë nga M. Stefa, e cila tentoi të vetëhidhej nga kati i katërt i pallatit ku jetonte, pas dhunës së ushtruar ndaj saj. “Nga specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit u krye arrestimi në flagrancë i Erjon Korinit, 33 vjeç, banues në Tiranë”, - thanë dje burimet zyrtare të Policisë së Tiranës. Sipas tyre, arrestimi i tij është bërë pasi rreth orës 18:00 të dy ditëve më parë, në rrugën “Bab Rexha” në Tiranë, në ambientet e banesës së tij, Korini dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj 24-vjeçares, e cila më pas ka tentuar të hidhet nga ballkoni i pallatit.
Por Korini nuk është i vetmi nga VIP-at shqiptarë që është përballur me historinë. Kohët e fundit, disa prej tyre, duke përfituar dhe nga fama, kanë përfituar dhe në mënyra të ndryshme kanë shkelur ligjin. Anëtarët e dy grupeve muzikore, Noizy dhe Stresi, u përplasën me armë përballë zyrave të Presidencës. Ndërsa një javë më parë gjykata liroi Alban Rexhën, i njohur dhe si Ujku i Kafazit.
Dëshmia
I ndaluar mbrëmjen e dy ditëve më parë, këngëtari 33-vjeçar mësohet se e ka pranuar faktin që e ka qëlluar të fejuarën e tij me shpulla. Dëshmia e tij është dhënë para oficerëve të Seksionit të Krimit Kundër Jetës dhe Shëndetit. Ai është marrë në pyetje nga policia menjëherë pasi është shoqëruar në ambientet e Komisariatit Nr. 2. Kur uniformat blu kanë mundur ta zbresin 24-vjeçaren M. Stefa nga kati i katërt ku ndodhej dhe kërcënonte që do të hidhej, menjëherë ajo është marrë në pyetje. Ajo ka deklaruar se kishin pasur një zënkë dhe më pas Erion Korini e kishte goditur duke ushtruar dhunë mbi të. E gjendur në këtë situatë pas dhunimit nga i fejuari i saj, e reja doli jashtë apartamentit dhe më pas tentoi që t’i jepje fund jetës. Po ajo është ndaluar nga uniformat blu, që shkuan në vendin e ngjarjes menjëherë pas marrjes së informacionit.
Ngjarja
Kur policia arriti ta bindte vajzën të mos hidhej, një grup specialistësh të Komisariatit Nr. 2 mbërritën në banesën e saj dhe menjëherë e shoqëruan vajzën në Spitalin Ushtarak për t'i dhënë ndihmën nevojshme mjekësore për shkak të tronditjes që kishte pësuar. Nga veprimet e para hetimore të kryera në vendin e ngjarjes dhe nga deklarimi i marrë të fejuarës së këngëtarit, policia ka ngritur dyshimin për ushtrim dhune nga i fejuari i saj, këngëtari Korini. E dëmtuara M. Stefa ka pretenduar se i fejuari i saj në mënyrë të vazhdueshme, ushtronte dhunë ndaj saj në mënyrë sistematike. Një fakt i tillë, sipas policisë, vihej re edhe në shenjat që kishte në trup e dëmtuara, e cila për këtë shkak si dhe për shkak të tronditjes së shkaktuar, u dërgua në spital. Pas marrjes së deklarimit verbal të vajzës, policia shoqëroi dhe më pas arrestoi të fejuarin e saj, këngëtarin Erion Korini. Gjatë ditë së sotme ai pritet të paraqitet në gjykatë ku do të njihet dhe me masën e sigurisë që do të caktohet ndaj tij. Pritet që masa të jetë detyrim paraqitje, thanë burime nga Akuza, si dhe disa sanksione në marrëdhëniet që do të ketë në vazhdim me 24-vjeçaren e dhunuar. Dosja me materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprës penale të “shkaktim të vetëvrasjes e mbetur në tentativë”.

Alban Rexha dhe sherri me policinë
Pak ditë më parë gjykata pranoi kërkesën e Alban Rexhës, i njohur dhe si Ujku i Kafazit, për ndryshimin e masës së sigurisë. Rexha, personazhi i njohur i Kafazit të Artë, akuzohej bashkë me miqtë e tij se në shkurt të këtij viti qëlluan me armë kundër një patrulle policie. Ai ishte shpallur në kërkim që në fillim të muajit janar për sulmin me armë të bërë ndaj policisë më datë 29 dhjetor 2009, ku më parë janë arrestuar Pajtim Serjani, Shamet Mejdani dhe Enea Gega. Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe policia e kanë shpallur në kërkim ish-futbollistin, i njohur ndryshe me nofkën “Ujku”. Të rinjtë që udhëtonin me një mjet tip “Benz” nuk i janë bindur thirrjes së policisë për të ndaluar, duke qëlluar më pas në ajër. Pas kësaj policia është vënë në ndjekje të autorëve duke vënë në pranga fillimisht njërin prej tyre, ndërsa ka bllokuar mjetin me të cilin ata udhëtonin. Në makinë janë gjetur 2 armë zjarri, një pistoletë dhe një kallashnikov. Ndërsa dy të rinjtë e tjerë u arrestuan pak orë më vonë.

Përplasja mes këngëtarëve Noyzi dhe Stresi
"Far West" mund të quhet përplasja me armë mes dy grupeve, njërit të quajtur “OTR” dhe një tjetri rival me ta “TBA”. Ngjarja ndodhi në kryeqytet, në sheshin pranë Pallatit të Kongreseve, përpara nisjes së një festivali të organizuar nga një kompani private, ndërsa plumbat u drejtuan për nga pjesëtarët e njërit prej grupeve rivale, nuk u hezitua që të drejtohen edhe për nga uniformat e policisë. Këta të fundit madje shkëmbyen zjarr me ta. Pas pushimit të zjarrit policia mundi të arrestonte në flagrancë njërin prej të dyshuarve të ngjarjes, Jetnis Dollapajn, 24 vjeç, banues në Tiranë, në rrugën "Bajram Curri", ndërsa bllokoi një armë automatike të një modeli të vjetër. Ndërkaq, veç tij, policia shoqëroi në ambientet e saj afërsisht 10 persona, mes të cilëve 5 pjesëtarë të grupit “OTR” dhe 5 të tjerë të grupit “TBA”. Vokalist dhe drejtues i grupi “OTR” është Noyzi, apo siç quhet ndryshe Rigels Rajku, ndërsa i grupit “TBA” është Arkimed Lusha, i cili në emrin e artit thirret Stresi. Policia i pajtoi dy të rinjtë tre ditë më pas.

Arrestimi i Liliana Kondakçiut për drogë
Këngëtarja e njohur, Liliana Kondakçi, është arrestuar në qytetin e Selanikut vitin e kaluar për llogari të Drejtësisë italiane. Sipas Policisë së kryeqendrës greke të Veriut, Kondakçi ishte shpallur në kërkim prej disa vitesh dhe është një ndër anëtaret e një bande të trafikut të lëndëve narkotike në Itali. Ajo është dënuar në mungesë prej Drejtësisë italiane me burg, ndërsa emri i saj ka dalë sërish në listën e personave të shumëkërkuar prej Drejtësisë për një tjetër trafik lëndësh narkotike. Ajo jetonte e fshehur në qytetin e Selanikut, në një banesë të marrë me qira prej të afërmve të saj në këtë qytet. Arrestimi i 58-vjeçares u bë i mundur prej agjentëve të Antidrogës greke, pas evidentimit të banesës së saj prej policisë italiane. Më 18 maj të vitit 2006, Liliana Kondakçi ishte arrestuar nga policia italiane siç raportoi atëherë agjencia e lajmeve “ANSA”, pasi u gjet në një makinë me të cilën lëvizte në Katanxharo pranë Kalabrisë, me tre kilogramë e 300 gramë kokainë.

Dhunohen dy gra, policia i merr në mbrojtje
DURRËS - Dy gra janë vënë në mbrojte pasi dhunoheshin nga të afërmit e tyre. Burime nga Policia e Durrësit thanë se ditën e djeshme është plotësuar kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes për 26-vjeçaren me inicialet S. B., banuese në Durrës, me arsim të mesëm, e divorcuar, me 1 fëmijë. Ajo ka denoncuar se 38-vjeçari me inicialet G. L., 38 vjeç, banues po në Durrës, i cili është ish-bashkëshorti i saj, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike mbi të në mënyrë të herëpashershme edhe pas divorcit. Gjithashtu, në mbrojtje është marrë dhe 54-vjeçarja me inicialet Q. Xh., lindur e banuese në Koxhas, Shijak. Ajo pretendon se në mënyrë sistematike është dhunuar e fyer nga djali i saj me inicialet T. Xh., 24 vjeç, banues ne Lagjen Popullore, Shijak, i padënuar më parë. Lidhur me dy rastet në fjalë, nga ana e policisë janë kryer veprimet procedurale dhe materialet iu dërguan për ndjekje Gjykatës së Rrethit Durrës.

17 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›