E Diel, 1 Nëntor 2026

Pagat e administratës, punonjësi e zgjedh vet bankën e tij



Ervin KOÇI

Në mbledhjen e djeshme Këshilli i Ministrave miratoi vendimin “Për përzgjedhjen e bankës për kryerjen e shërbimit të mbajtjes së llogarive bankare të institucioneve qendrore, institucioneve të varësisë, si dhe ndërmarrjeve dhe shoqërive tregtare shtetërore”. Banka që do të marrë këtë shërbim duhet të plotësojë disa kritere. Në bazë të vendimit të qeverisë, banka duhet të nënshkruajë marrëveshje me institucionin. Kjo marrëveshje duhet të jetë vjetore, me të drejtë përsëritjeje. “Të jepen të drejtat dhe detyrimet e palëve, si dhe e drejta e zgjidhjes së marrëveshjes në mënyrë të njëanshme”,- thuhej në vendimin e qeverisë. Nga ana tjetër procesi i përzgjedhjes së bankës t’i referohet rregullave, të vendosura nga ligji për ‘Ankandin publik’, nëpërmjet një komisioni, të caktuar nga titullari i institucionit. Gjithashtu banka duhet të vendos “kritere reference për kualifikimin e bankës lidhur me nivelin e komisionit bankar për mirëmbajtje llogarie, kostos minimale për transaksion, interesin për llogari depozite pa afat, shpejtësisë në depozitimin e pagave”.

Ligji
Sipas relacionit të vendimit të qeverisë, ky akt ligjor ka për qëllim mirëpërdorimin e fondeve publike, sigurimin e integritetit dhe transparencës në procedurat e përzgjedhjes se bankës për çeljen e llogarive bankare të institucioneve qendrore e të varësisë dhe shoqërive me kapital shtetëror, si dhe uljen e kostos se shërbimeve bankare, për menaxhimin e likuiditeteve të punonjësve. “Në kuadrin e ekzekutimit të pagesave në llogaritë personale bankare të punonjësve publike ka dalë e nevojshme edhe rregullimi i procedurave dhe kritereve të përzgjedhjes së bankës, në të cilat institucionet e qeverisjes qendrore e të varësisë dhe shoqëritë me kapital shtetëror mund të hapin dhe të mbajnë llogaritë e tyre bankare”,- thuhet në vendimin e qeverisë.

Përzgjedhja
Bankat private do të kryejnë shërbime të ndryshme për punonjësit e administratës si: mbajtje të llogarive bankare për vet punonjësit ose dhe për institucionin qendror dhe ata të varësisë, çeljen e llogarive bankare të institucioneve buxhetore dhe të shoqërive tregtare me kapital shtetëror, uljen e kostos së shërbimeve bankare, administrimin e likuiditeteve të punonjësve, etj. Përzgjedhja e bankës ose e degës së bankës së huaj për shërbimin e mbajtjes së llogarive realizohet nga institucioni, me konkurrim, në përputhje me këto parime të përgjithshme: a) Mosdiskriminim dhe trajtimin e barabartë të bankave ofertuese; b) Transparencë në procedurën e përzgjedhjes; c) Nxitjen e pjesëmarrjes e të konkurrencës së bankave në procedurën e përzgjedhjes. Për përzgjedhjen e bankës ose të degës së bankës së huaj, që do të kryejë shërbimin e mbajtjes së llogarive, titullari i institucionit krijon një komision i cili në përbërje të ketë një jurist prokurimesh dhe, të paktën, katër punonjës të tjerë, që nuk janë në përbërje të strukturës së shërbimeve mbështetëse të institucionit. Komisioni i ngritur për këtë qëllim, për procedurat e përzgjedhjes, sipas parimeve të përcaktuara të këtij vendimi, zbaton parimet dhe procedurat e parashikuara në dispozitat e ligjit “Për ankandin publik”.

Kriteret
Për kualifikimin e bankës ose të degës së bankës së huaj duhen të mbahen parasysh kriteret e mëposhtme: a) Komision minimal deri në vlerën 0, për transaksionin e transferimit të pagesave të pagave të individëve, si dhe të pagesave të tjera të lidhura me punën, në bankat e kërkuara nga vetë ata; b) Komision minimal deri në vlerën 0, për mirëmbajtje llogarie të pagave e të pagesave të tjera, të lidhura me punën për individët që i kanë llogaritë e pagave në të njëjtën bankë me atë të llogarisë së vetë institucionit; c) Kosto minimale për transaksion; ç) Interes maksimal për llogari depozite pa afat; d) Shpejtësi në kryerjen e depozitimit të të ardhurave të lidhura me punën, të përmendura në shkronjat “a” dhe “b”, të kësaj pike; dh) Shpejtësi dhe cilësi në kryerjen e transaksioneve nga llogaritë e punonjësve publikë; e) Komision minimal për blerje të titujve shtetërorë;
ë) Cilësi shërbimi për sa i përket transparencës me subjektet, të cilat përdorin sportelet e bankës së përzgjedhur nga institucioni; f) Shpejtësi në dhënien e informacionit për mbajtësin e llogarisë, sa herë që kjo të kërkohet nga ky i fundit; g) Të tjera që mund të shtohen nga institucioni.

17 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›