E Diel, 1 Nëntor 2026

Bonot e Thesarit shtrenjtohen përsëri, rritet kësti i kredisë



Shqiptarët që kanë marrë kredi në monedhën vendase, lek, duhet të shqetësohen pas rritjes së djeshme të interesit të bonove njëvjeçare të Thesarit të shtetit. Sipas një norme të vendosur nga të gjitha bankat e nivelit të dytë, këto të fundit e lidhin koston e kredive në lekë me nivelin e interesit të bonos 12-mujore, të emetuar nga qeveria. Kështu, sa më shumë të ulet ky i fundit, aq më të “lehta” do të jenë këstet e një kredie që një subjekt apo një qytetar e ka marrë në lekë. Dhe e kundërta, në rast se interesi rritet, do të shtohen edhe shpenzimet mujore për të shlyer kredinë e marrë. Gjatë ditës së djeshme, në sportelin e BSH-së, që shërben për shitjen e bonove të Ministrisë së Financave, u përforcua një tendencë e ndrojtur e rritjes së interesit të bonove 12-mujore. Dje janë shitur 5.86 miliardë lekë bono me maturim njëvjeçar, interesi mesatar i ponderuar i të cilave ka qenë 7.91 për qind. Më 1 qershor, në ankandin e mëparshëm të bonove me këtë afat maturimi, interesi i tyre ka qenë 7.90 për qind dhe 7.89 për qind ka qenë ai, i regjistruar më 18 maj të po këtij viti. Ky i fundit ka qenë edhe interesi më i ulët, i shënuar pas një kohe të gjatë, me interesa mbi 8 dhe, madje, mbi 9 për qind, që tërhoqën shumë blerës të letrave me vlerë të qeverisë në investim direkt për blerjen e tyre. Gjatë këtij viti, interesi ka zbritur gradualisht, nga 8.99% më 18 janar, deri në 7.89 në maj. Zbritja ka filluar që më 15 tetor të vitit 2009, kur është shënuar edhe niveli më i lartë, prej 9.43 përqindësh.

Një vit pa paga, punëtorët bllokojnë punimet në Levan-Vlorë

Punimet e dy linjave të autostradës Levan-Vlore dhe Levan-Tepelenë, u bllokuan ditën e djeshme si pasojë e një proteste të punonjësve të firmës që po zhvillon punimet në këto akse. Dje paradite rreth 50 punonjës të kantierit të ndërtimit në Levan, vendosën që në formë proteste të bllokonin punimet në të dy lotet e autostradës, pasi firma nuk u ka dhënë atyre pagat që nga qershori i vitit 2009. Mungesa e likuidimit të punëtorëve për punën e bërë në 1 vit, i ka çuar ata në bllokimin e punimeve duke vendosur në kantier 30 mjetet e rënda të punës e duke mos lejuar njeri t’u afrohet këtyre mjeteve. Shpesh herë punonjësit kanë ngritur zërin për mungesën e pagave, por ka kaluar 1 vit dhe ende nuk është bërë asnjë masë në drejtim të likuidimit të tyre.

Tirana preket nga ndërprerjet e energjisë elektrike, shkak remontet

Puna në linjat e transmetimit që menaxhohen nga OST-ja ka sjellë dje ndërprerje të energjisë në kryeqytet për pak orë. Por sipas OST-së, remontet që po bëhen do të sjellin të tjera ndërprerje të energjisë elektrike. Ndërkohë OSSH-ja ka saktësuar dje në lidhje me këtë çështje se, i është dashur të stakojë linjat për shkak sigurie dje në orët e para të mëngjesit. Kufizime kanë pasur disa zona të Tiranës, si: “Misto Mame”, Kombinati, Yzberishi, dhe fshatrat përreth, Vaqar, Ndroq e Arbanë. “Kufizimi vjen për shkak të punimeve që po kryen OST-ja në linjat 220 kv të Komanit”,- sqaron OSSH-ja. Probleme ka pasur edhe në veri të vendit, në Bajram Curri, ku për shkak të një defekti në rrjet kanë mbetur pa drita rreth 40 mijë banorë.

Interesat bankare
Përditësimi i fundit: 15.06.2010
Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 4.23%
12M 12-mujor 6.94%
6M 6-mujor 6.11%
3M 3-mujor 5.33%
1M 1-mujor 5.14%
1Ë njëjavor 4.96%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.66%
1Ë njëjavor 6.31%
o/n njëditor 6.03%
12M 12-mujor 8.73%
6M 6-mujor 7.83%
3M 3-mujor 7.04%

17 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›