E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, zbulohet një varrezë masive me kosovarë



Autoritetet maqedonase dhe ato kosovare bëjnë të ditur se po planifikohet një hetim i përbashkët për një varrezë masive me kosovarë të vrarë gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë. “Kosova dhe Maqedonia janë në kërkim të një mënyre për të organizuar dhe vepruar lidhur me varrezën masive që dyshohet se gjendet afër lumit Lepenc në Shkup”, ka thënë Skender Durmishi, ambasador i Kosovës në Shkup për agjencinë “DPA”. Durmishi thekson se është duke u punuar lidhur me grupet e punës dhe ende nuk dihet se sa do të zgjasë kjo procedurë. Burime nga qeveria në Shkup thanë se ka mundësi që përgjatë shtratit të lumit të jenë varrosur rreth 40 trupa. Viktimat kanë vdekur në Kosovë, por trupat e tyre janë sjellë nga refugjatët shqiptarë dhe varrosur në Maqedoni, afër kufirit me Kosovën. Disa javë më parë një varrezë masive me kosovarë u zbulua në Rashkë të Serbisë me 200 trupa. EULEX-i së bashku me Serbinë po punojnë për identifikimin e kosovarëve të vrarë.

Serbi
Familja i kërkon gjykatës ta shpallë Mlladiçin të vdekur

Familja e të shumëkërkuarit për krime lufte, Ratko Mlladiç i ka bërë sërish kërkesë gjykatës serbe që ta shpallë atë zyrtarisht të vdekur. Kërkesa është paraqitur nga avokati i familjes, i cili tha se të afërmit e 86-vjeçarit prej vitit 2003 nuk kanë të dhëna për të. “Edhe nëse do të ishte gjallë, Mlladiç do të ishte shumë i sëmurë dhe nuk do të mbijetonte pa kujdes mjekësor”, ka deklaruar avokati. Por autoritetet serbe kanë deklaruar se kërkesa në fjalë synon minimizimin e përpjekjeve për arrestimin e gjeneralit, që kërkohet për krime lufte, genocid dhe masakrën e Srebrenicës.

Britani e Madhe
Kryeministri Kameron kërkon falje për viktimat e 1972-t

Kryeministri britanik, David Kameron ka kërkuar falje zyrtare për vrasjen e protestuesve të paarmatosur katolikë në vitin 1972 në Irlandën e Veriut në atë që njihet “E Diela e Përgjakshme”, duke i quajtur vrasjet të pajustifikueshme. Kameron foli para parlamentit, ndërkohë që qeveria publikoi raportin shumë të pritur mbi vrasjet nga forcat britanike. Kryeministri tha se të gjithë të vrarët me 30 janar 1972 në Londonderry ishin të pafajshëm dhe se askush prej tyre nuk ishte i armatosur. Ai tha se ushtarët britanik nuk paralajmëruan para se të hapnin zjarr.

Kirgistan
Përleshjet, UNHCR paralajmëron katastrofë

Komisioneri i Lartë për Refugjatë tha se kriza në Kirgizi mund të shndërrohet në “katastrofë” nëse bashkësia ndërkombëtare nuk reagon shpejt. Antonio Guterres i bëri këto komente gjatë një vizite në Berlin. Ai tha se “fqinjët dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjnë çmos të ndihmojnë qeverinë e përkohshme kirgize që të rivendosë paqen dhe stabilitetin”. Autoritetet e përkohshme thonë se rreth 180 njerëz janë vrarë dhe 2.000 janë plagosur prej 10 qershorit kur shpërthyen përleshjet ndërmjet kirgizëve dhe uzbekëve etnikë.

Iran
Teherani projekton ndërtimin e një reaktori atomik

Shefi për energji atomike i Iranit, Ali Akbar Salehi, thotë se Teherani po e projekton një reaktor të ri për prodhimin e radio izotopeve, që do të jenë “më të forta” se ato nga kapaciteti ekzistues kërkimor. Zoti Salehi tha se radio izotopet e prodhuara do të shiteshin dhe eksportoheshin në vendet e rajonit dhe tek ato myslimane. Vendet perëndimore kanë dyshime se programi atomik iranian paraqet mbulesë për përpjekjet e këtij vendi për të prodhuar armatim bërthamor. Irani i refuzon këto akuza.

Përgatiti: Blerina Olldashi

17 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›