Kategori të reja për ndihmën ekonomike, prezantohet projektligji
Zëvendësministri i Punës, z. Kastriot Sulka, raportoi dje në Kuvend për projektligjin për ndihmën ekonomike. Ai prezantoi kategoritë e reja që përfitojnë nga ky projektligj, të cilat nuk do të llogariten në bazë të kushtit ekonomik për të marrë ndihmën. “Ndryshimet e propozuara në skemë parashikojnë zgjerimin e kategorive të përfituesve. Kjo, pasi në praktikë u vërejt se kishte lindur nevoja e garantimit të përfshirjes së disa grupeve të papërfshira në skemë”, - tha z. Sulka.
Sipas tij, këto kategori do të përjashtohen nga llogaritja e të ardhurave, kur familjet në nevojë kanë si kryefamiljar njërin nga fëmijët, për arsye të vdekjes së prindërve ose kur njëri prej prindërve është dënuar, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton. “Po ashtu, parashikohet të përfshihen ato familje që kanë si kryefamiljar një person me aftësi të kufizuara fizike e mendore, paraplegjikë dhe tetralegjikë ose invalidë pune, familjet që kanë si kryefamiljare nënën, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton; si kryefamiljar një individ që është mbi moshë pune dhe që nuk përfiton pension, si dhe kur anëtarët e familjes së tij janë mbi dhe nën moshë pune, të cilët nuk përfitojnë pension. Ky projektligj përcakton gruan si kryefamiljare në rastet kur ka praktika divorci për të tërhequr pagesën e ndihmës ekonomike”, - tha ai.
Në këtë mënyrë, parashikohet që si pasojë e këtyre ndryshimeve, të përfitojnë ndihmë ekonomike për herë të parë rreth 800 persona jetimë, 400 persona viktima të trafikut, 500 gra në rastet e praktikave të divorcit. Si masë për të shmangur informalitetin dhe abuzivizmin, Sulka tha se është parashikuar shpërndarja e ndihmës ekonomike nëpërmjet sistemit bankar.
Këto ndryshime në ligj jo vetëm që zgjerojnë kategoritë e përfituesve, por edhe e kushtëzojnë marrjen e ndihmës ekonomike me disa kushte që nuk ekzistonin deri më sot.
“Përcaktimi i ri: “Ndihma ekonomike është një pagesë e përkohshme e kushtëzuar”, do të krijojë mundësinë që ajo të kushtëzohet jo vetëm me punë në komunitet, por edhe me ndjekjen e arsimit të detyruar nga fëmijët, pagesën e energjisë elektrike etj. dhe do të krijojë mundësinë për të administruar më mirë skemën e ndihmës ekonomike, duke përcaktuar kohëzgjatjen e familjeve në skemë etj.”, - tha zëvendësministri.
Raportimi në Kuvend ishte kërkuar nga kryetari i Komisionit Kuvendor, z. Tritan Shehu, i cili tha: “Ministrisë së Punës i është kërkuar të raportojë rreth rrugëve që ajo ka zgjedhur për ndryshimin e skemës së ndihmës ekonomike dhe shpërndarjen e saj, me qëllim minimizimin e informalitetit dhe abuzivizmit, që ende është në nivele të larta”.
Projektligji në fjalë pritet të miratohet brenda këtij viti dhe ndryshon rrënjësisht mënyrën e konceptimit të kategorive që përfitojnë nga ndihma ekonomike, duke mos u ndalur më në kriterin ekonomik, i cili deri më sot ishte i paprekshëm.