Unë, koloneli që skicova Gërdecin dhe hodha në letër tragjedinë e tij
AFRIM IMAJ
Ka ndodhur vërtet kështu. Njëri nga kolonelët e ushtrisë ka përfunduar hetimet e tij për Gërdecin. Madje, Myslim Pasha që ka hedhur në letër tragjedinë, është njëri nga konstruktorët e infrastrukturës ushtarake, mbi të cilën u ndërtua më vonë fabrika e vdekjes. Në librin e tij “Gërdeci në motin e Asteroidit” nuk është thjesht një përjetim artistik i katastrofës së 15 marsit, por një rrëfenjë poetike me një lëndë shumë herë më tronditëse nga ato të tragjedive të Shekspirit. Ka në të ngjarje të lidhura me vdekjen, krimin, plane zhdukjesh, personazhe misteriozë të dërguar nga forca madhore, llogari për fitime marramendëse, takime të fshehta në dikaster, në errësirën e natës diku në skutat e padukshme të metropolit, telefonata të regjistruara me teknologji moderne, porosi për blerje apo ofrim femrash, zëra që vijnë nga mijëra milje larg, nga kontinenti në kontinent, nga Tora Bora deri në Poliçan, gazetarë të NYT( New York Times) që vijnë vërdallë dhe nuk e lënë të futet në punishtet e vdekjes. Myslim Pasha, autori i “Gërdecit në motin e Asteroidit”, nuk ka prodhuar thjesht një dramë pjellë të fantazisë artistike, por ka artikuluar me mjeshtëri në konturet e një drame tragjedinë e shpërthimit katastrofik të 15 marsit. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai rrëfen mesazhin filozofik, që ka dashur të përcjellë nëpërmjet saj dhe përjetimet e tij nga procesi i formësimit të karaktereve e situatave mbi lëndën e katastrofës së Gërdecit...
Zoti Myslim! Kemi të bëjmë me një ngjarje tragjike, e pahetuar ende, apo që vijon të hetohet dhe s’dihet kur do të jepet një version përfundimtar për të. Ky është Gërdeci. Me se ka të bëjë nxitimi tuaj kur një vepër e tillë duhet të vijë në jetë pak më vonë, pasi të jetë rrahur, harrur e përzgjedhur materiali, e, prej këtij realiteti që shumë komentohet mund të vijë, mandej, përgjithësimi artistik?
Nuk besoj se çdo shqiptar, nuk ka sjellë në mend dhe nuk e nëpërmend tragjedinë që ka ndodhur. Pse të mos themi se ai ka bërë një hetim të tijin, ka krijuar një skemë të asaj që ndodhi dhe shkaqeve të saj. Pse të mos themi se është si një shkrim, apo hartim oral epik, i cili cilësisht mund të dallojë nga analizat që janë bërë, të shkruara apo të kumtuara në media. Por ama janë prapë versione miniveprash dramatike, që jetojnë brenda gjithsecilit. S’ka pse të merret e zmadhuar, veçse të provohet, të pyetet fshatari më i largët, në Shqipërinë tonë dhe të dëgjosh prej tij, se si ndodhi ai mort i madh, ai krim. Të ndjekësh se si njeriu të flet, për barutin e armët e shpërndara andej këndej në lugina, magazina e tunele, duke të treguar se barutin e kishim, në dorë ne të gjithë. E kishin sjellë nga ana e anës, të futur andej-këndej, për të mbrojtur Shqipërinë, “nga armiqtë dhe koalicione armiqsh, që kërcënonin vijimisht”
Sidoqoftë, kjo mund të jetë një konsideratë e përgjithshme…
Gërdeci është ajo flaka kërpudhore si erupsion Vezuvor, apo një mikrohiroshimë, ku ende s’mund t’i vesh gishtin dikujt e t’i thuash se ti vure zjarrin me qëllim dhe solle gjëmën. Po ama ka pasur një lakmi e makutëri kriminale, për të fituar dhe vetëm për të fituar, që e pruri kaq afër, kaq dhimbshëm. që tregon shumë më tepër. Tregon se fati i tragjedisë është me ne, rrotull nesh, këtu poshtë nesh, gërmo pak dhe do ta hasësh, të llafosesh me të. Vet fati shqiptar është tragjik, që vjen plot mister prej së shkuarës, lind rritet, bie e ringrihet, kërkon veten dhe prapë gremiset, merr jetë prej asaj që është ngjizur hershëm në këtë gjeohapësirë dhe në një kohë tjetër, ai në nënvetëdijen e tij, thërret. S’ka pse të ndërmendim shumë, mjafton të kujtojmë zjarrvënien vetvetes në ‘97, pa harruar ndërkaq konfliktin anakronik të partive politike, këto krijesa që e kanë nismën tek ne, që endin në gojën e tyre kullufitjen dhe urrejtjen… Ç’mund të them më tej? Pra, kjo vepër dramatike është e shkruar tek të gjithë ne. Unë kam sjellë vetëm pamoren time. Nuk kisha se pse të prisja. Nuk kam se ç’pres, sa të vijë “brumi” i bukës së hetimit. Asnjë shqiptar s’mund të besojë se do të dalë, ajo që e presin, si të vërtetë. Unë s’kam ardhur herët. Është tjetër gjë se sa jetë, energji ka në veten e saj kjo vepër e shkruar, me një frymë.
E shkruar me një frymë, në nxitim? Mos kjo tregon pamaturinë dhe pse të mos themi nxitimin apo një lloj “spekulimi” me vet jehonën e kësaj ngjarjeje dhe vendzënien e toponimit “Gërdec” në përditshmërinë tonë?
Unë vij nga bashkësia e ushtarake dhe aktualisht jam kolonel në rezervë. Më ndodhi nja tre vite më parë, që të dërgoja një grup topografik për të matur dhe hartuar një planvendosje të atij reparti ushtarak që kërkohej me urgjencë. Një i tillë, mesa kujtoj kërkohej me të shpejtë edhe për një repart diku në komunën e Maminasit për grumbullim dhe përpunim të mbeturinave të ndotjeve qytetore. Patjetër që në ato planvendosje ka mbetur dhe firma ime. Po ku ta dinim ne, se ajo do të matej që të digjej, se asaj do t’i hartonim nja pasaportë “biometrike”, që të bëhej një mikrohiroshimë. Vetëm pas tragjedisë, vetvetja ime shkoi atje, në atë truall të zhuritur. Edhe unë “isha gjysmëdjegur dhe i lënduar”. Kështu mu shpall në ëndërr Dhemetra, ëndërr që ia kam vënë në sy dhe gojë personazhit kryesor, se ajo Dhematësja, me rrënjë në ilirishten tonë, kish thënë “Mos matni, mos vendosni instrument!... atje poshtë kambanores së Prezës...etj., etj”.
Kështu rrodhi natyrshëm kjo dramë, e cila mund të shkruhej edhe në gjininë e romanit. Them se, natyrshëm, sa fillova dukjen e parë, rrjedha ishte spontanisht, në vargje të bardhë. Ajo mori formën e një poeme dramatike. Jam përpjekur që të shkruaj një vepër letrare, ta thur atë sipas kuptimësisë klasike të saj. Jetojmë në një Shqipëri, ku ende rron “gogoli”, i frikshëm sa që në dy shtëpi botuese që trokita për ta botuar, më thanë afërsisht se “ç’na duhet, të merremi me këtë Gërdecin, se na dërgojnë një ekip kontrolli financiar dhe na rroftë Gërdeci yt.”
Ndër të tjera, te kjo vepër ju vini nga një lidhje reale me ngjarjen si njëri nga inxhinierët, që ke hedhur në letër planvendosjen e Gërdecit. Diçka nga përjetimi njerëzor dhe artistik për ngjarjen dramatike të 15 marsit...
Padyshim që unë e kam një pozicionin tim. Kam një perceptim për ngjarjen. Në thelb ajo çfarë është bindje sado që të zbukurohet apo të rrëshqasë, prapëseprapë, ashtu, tinëz përsëri do ta tregojë pamoren. Ajo logjikë që ndiqet në këtë vepër dramatike është dhe bindja e vetë autorit. Ajo më ka tërhequr branë e ndofta më ka dhënë edhe “xanxën” që mund t’u duket dikujt. Dëshpërimi shqiptar, më ka futur edhe mua në thesin e tij. Kështu që unë pa dashje, po sipas natyrës së rrjedhës, bëj pjesë në këtë gjykim. Po vepra është një krijim letrar dhe çdo personazh, vetëm mund të hamendësohet, por jo t’i vihet gishti se ishte ai apo ky.
Ju i kini ndjekur ashtu sikundër dhe unë, faktet. Në këtë kohë moderne, vjen një lëndë, shumë herë më tronditëse sesa tragjeditë e Shekspirit. Ngjarje që kanë lidhje me vdekjen, krimin, plane zhdukjesh, personazhe misteriozë si të dërguar apo pseudodërguar nga forca madhore, llogari për fitime të majme, takime të fshehta, në dikaster, në errësirë të natës diku në mes apo anë të metropolit, telefonata dhe regjistrime të tyre në teknologji moderne, porosi për blerje apo ofrim parash apo femrash, zëra që vijnë nga mijëra milje larg, nga kontinenti në kontinent, nga Tora Bora deri në Poliçan, gazetarë të NYT( New York Times) që vijnë vërdallë dhe nuk i lënë të futen në punishtet e vdekjes. Janë të gjithë lëndë dhe thurje të gatshme. Dëshpërim kolonelësh dhe gjeneralësh, që kanë inspektuar vendin e ardhshëm të shpërthimit, të pasigurt, por të detyruar nga forca madhore, siç edhe e tregojnë dëshmitë e derisotme. E shihni se sa lëndë që ka. Përballë kësaj lënde, ky njeriu ynë i lashtë e i ri, bën çmos që të shuajë, të varrosë, të ridjegë të vdekurit, vetëm e vetëm që të mohojë faktet, që lartpërmendëm. Secili nga ne ka një pjesë nga ajo barutndezje. A nuk iu duket tragjike që të thuhet tani; “se aty ishte një kodrinë e tërë me barut, e hedhur pakujdes e pa rregull... ja kështu erdhi zjarri... Ne s’kishim dije, më besoni!”
Ka diçka që përbën shqetësim, pasi personazhet kryesorë janë gjallë, nën hetim apo gati për hetim, të tjerë që hamendësohen...
Kjo është e vërtetë. Si krijim letrar, ashtu sikundër e thashë edhe më sipër, ka lëndë reale, por që duhej të ndryshohej dhe metamorfizohej, për t’i dhënë veprës njëjtësimin dhe fytyrën e saj, do duhej që të krijoheshin personazhe që kanë po atë identitet të interpretueshëm, për të risjellë konfliktin, për të hiperbolizuar edhe më shumë dukjen e së keqes së fshehur tek këta personazhe etj. Kjo nuk ka qenë e lehtë. Për shembull, autorit i është dashur që përmes fiksionit letrar të riformësojë personazhe, nga ata që janë të zakonshëm, vetëm urdhërzbatues ndaj së epërmes, nga ata që ai i njeh drejtpërdrejt. Me ata ka punuar e ka marrë pjesë në sa e sa mbledhje. Jua njeh karakterin dhe guximin qytetar dhe ushtarak, për aq sa e kanë. Prej pamjaftueshmërisë së figurës së tyre të plotë, prej diktimit të epërm që përgjithësisht ka qenë absolut, iu la dorë të lirë që të vijë butë-butë tragjedia. Kjo është dhimbja ime që do të donte edhe më shumë shpjegime të tjera.
Pra, lexuesi mund t’i identifikojë lehtë personazhet realë...
Lexuesi ka kuptimësinë, interpretueshmërinë e tij. Ai përqas, kujton. Kësaj nuk mund t’i shmangesh dot.
Të vijmë te simbolika e veprës. Mesa duket nuk gjeni dot zgjidhje nga të gjallët dhe thërrisni perënditë, të cilat i shfaqin si personazhe bashkë me ‘97...
Perënditë kanë ardhur, jo si një kopjim i traditës së baballarëve të tragjedisë as dhe shtërzimit që iu ndodh krijuesve, në përgjithësi. Perënditë erdhën vetë, në vendin dhe dukjen e duhur, beson apo nuk beson autori. Gjersa nuk gjendet asnjë zgjidhje dhe as mposhtje të së Keqes (kupto, së keqes njerëzore) nga njeriu, gjersa nuk u gjend asnjë gjeneral, që të përplaste dorën në tavolinën e eprorit për t’ia vërvitur sysh antiveprën e tyre, gjersa nuk u gjend asnjë personazh i shtetit, që edhe kur u pa me sy tragjedia, të fliste si shëmbëllim i Mirës (kupto së mirës njerëzore) por para nesh të gjithëve u kumtua, aq bukur se “e keqja erdhi fshehtas, pa dije e ne dhe shteti nuk ishim vigjilent...”
Prandaj zbritën Hadi, Dhemetra, Hefesti, Hypnosi. Nuk kisha se ku të gjeja, shëmbëllime të tjera. Ndërsa Nëntëdhjeteshtata, është pjesë e jona, ajo shfaqet hera-herës edhe në këtë dramë, sepse ajo ka lidhje me atë që ne e thamë aty sipër, me prirjen për gremisje dhe djegie. Ne jemi dëshmitarë se si dolën armët dhe baruti nga sqetullat e Shqipërisë dhe i vunë flakën tokës dhe qiellit. Ajo shfaqet edhe këtu si një kërcënim real.
Kam përshtypjen se një zezonë e madhe e mbulon ndërtimin tuaj tragjik...
Nëse iu kuptoj drejt, kjo ka lidhje me vdekjen. “Kërkoni të fshehtën e vdekjes?” thotë tek “Profeti” Kahlil Gibran: “Po si do ta gjeni nëse nuk e kërkoni atë, në zemër të jetës? Nëse dëshironi të shikoni shpirtin e vdekjes, hapjani zemrën tuaj trupit të jetës”. Zezona që ju thoni, është një medium artistik. Ajo klith për të ardhur dritë. “Pavarri” është një personazh i nëntëdhjeteshtatës, që pasi e varrosën të gjallë, ai e shtyu dheun dhe doli, por kishte humbur mendjen dhe endej për vite me radhë për të gjetur një varr të ri, mirëpo s’kish ngelur asnjë copë tokë. Kështu që orientimi e solli tek punishtja e vdekjes në Gërdec...
A nuk ju duket se vetë ajo bashkësi ushtarake, ku ju keni shërbyer për një kohë të gjatë, në këtë vepër del si “e ngrirë” “e shurdhër” pa forcën e duhur dhe vendimmarrjen e arsyeshme të sigurisë për të cilën i shërben shtetit ?
Duke qenë se ne nuk po merremi me hetim, as edhe analizë se çfarë ka ndodhur në këtë mjedis, vetë krijimi ynë letrar jep versionin e tij, ku përmes dhimbjes mund të zbulohet se edhe kur personazhet kundërshtojnë, japin arsye, mposhten nga indiferenca e të tjerëve dhe nga pushteti i eprorit. Këta zëra shfaqen, por shuhen, natyrshëm në një dikaster, që endet me dy koka, njëra prej të cilave është koka kryesore e ndaj saj përsillet orientimi.
Ju jeni një kolonel në rezervë. Besoj e keni lexuar, romanin e njohur “Kolonelit nuk ka se kush t’i shkruajë”. Pavarësisht se janë kohë të ndryshme, a është ky kolonel i sotëm shqiptar një zë i kërkimndjesës, për atë çka ndodhi?
Vepra nuk e ka këtë qëllim. Edhe mua “ka se kush më shkruan” dhe “unë kam se çfarë shkruaj dhe mendoj”. Por ajo që ndodhi, ngriti shumë pikëpyetje, ashtu sikundër edhe tek unë. Bashkësia e ushtarakëve nuk mund të përbaltet nga mosvendosja e rregullsisë dhe përgjegjësive në vendin e duhur dhe në kohën e duhur. Përfaqësuesit e epërm e lanë këtë bashkësi me supe ngritur dhe me ballin e rrudhur. Ajo nuk e meritonte atë. Po këtu nuk jemi për të bërë analiza.