Pesë deputetët e PS-së, negociata për të krijuar grup parlamentar
Pesë deputetët e Partisë Socialiste, përfaqësues të Lëvizjes për Mendim Ndryshe, prej kohësh kanë paralajmëruar thyerjen e vendimit politik që ka të bëjë me bojkotin e Kuvendit nga ana e partisë më të madhe të opozitës. Paralelisht me përgatitjen e rrugës për të hyrë në Kuvend, pesë deputetët “rebelë” kanë menduar edhe për krijimin e një grupi parlamentar. Për këtë arsye, deputetët Blushi, Malaj, Bello, Harasani dhe Islami kanë zhvilluar negociata me deputetë të tjerë të Partisë Socialiste. Qëllimi i këtyre negociatave ka qenë bindja e deputetëve të PS-së për të hyrë në Kuvend, por, nga ana tjetër, këto negociata kanë synuar që të realizohet edhe numri i nevojshëm që duhet për krijimin e grupit parlamentar. Aktualisht, për krijimin e një grupi parlamentar duhen 7 deputetë dhe minimalisht për të arritur këtë objektiv, deputetët e Lëvizjes për Mendim Ndryshe nevojiten të kenë të paktën mbështetjen e dy deputetëve socialistë.
Grupi parlamentar
Hyrja në Kuvend e deputetëve të Lëvizjes për Mendim Ndryshe do të sillte automatikisht përjashtimin e tyre nga radhët e Partisë Socialiste. Një gjë e tillë parashikohet edhe në statutin e kësaj partie, i cili parashikon përjashtimin e deputetëve nga partia në rast se thyejnë vendimin politik të grupit parlamentar. Duke pasur parasysh këtë kosto të madhe që do të sillte hyrja në Kuvend, “të pestët” do të përpiqen që të jenë të organizuar politikisht, duke pasur të paktën një grup parlamentar. Për këtë u duhet të paktën të bindin dy deputetë të tjerë socialistë, ndërkohë që hyrja në Kuvend si grup parlamentar do të bënte që ata të ishin faktor dhe me peshë në vendimet e marra nga Kuvendi.
Paralajmërimi
Teksa shumica e deputetëve të Partisë Socialiste janë shprehur të vendosur për të vazhduar deri në fund zbatimin e vendimit politik për bojkotin e Kuvendit, një grup deputetësh të PS-së pritet ta thyejnë atë dhe të hyjnë në Kuvend në një të ardhme shumë të afërt. Këta janë kryesisht deputetët që përfaqësojnë Lëvizjen për Mendim Ndryshe brenda Partisë Socialiste. Ben Blushi, Arben Malaj, Kastriot Islami, Andis Harasani dhe Marko Bello, teksa kanë kundërshtuar vazhdimisht vendimin e PS-së për bojkotin e Kuvendit, kanë paralajmëruar hyrjen në Kuvend. Deputeti socialist Ben Blushi, duke paralajmëruar thyerjen e bojkotit, deklaroi se nuk kishte ndërmend që të digjte mandatin e deputetit për një tekë të Edi Ramës. Të njëjtën gjë deklaroi edhe Harasani, ndërkohë që deputeti tjetër, Kastriot Islami, tha se do të hynte në Kuvend dhe do të votonte pro çdo ligji që ka të bëjë me reformat që nxisin integrimin e vendit.
Maxhoranca, presion të fortë politik ndaj deputetëve bojkotues
Qëndresës së deputetëve socialistë për të vijuar bojkotin, maxhoranca i është kundërpërgjigjur me një presion gjithnjë e në rritje ndaj tyre. Ka qenë kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ajo që ka deklaruar se në rast se deputetët socialistë do të vijojnë bojkotin pas gjashtë muajsh nga fillimi i Kuvendit, ata do të zëvendësohen nga kandidatët e listës shumemërore të partive. Edhe kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, pohoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i gatshëm të shqyrtojë ndërprerjen e mandatit të deputetëve menjëherë pasi një gjë e tillë do të kërkohet nga ana e Kuvendit të Shqipërisë. Ristani tha se në rast se Këshilli i Legjislacionit pranë Kuvendit bën kërkesë për të vepruar mbi mandatet e deputetëve të PS-së, KQZ-ja do të orientohet në zgjidhjen e kësaj çështjeje në Nenin 164 të Kodit Zgjedhor. Kjo dispozitë ligjore parashikon vetëm ato raste kur humbet vetëm mandati i një deputeti, dhe jo i të gjithë grupit parlamentar. Në të përcaktohet se deputetit që i humb mandati zëvendësohet me pasardhësin e listës shumemërore të paraqitura nga ana e subjektit politik fitues apo e koalicionit fitues. Përveç kësaj, nuk kanë munguar edhe presionet e brendshme në radhët e Partisë Socialiste. Të paktën dy kandidatë për deputetë të PS-së në zgjedhjet e 28 qershorit u shprehën të gatshëm të merrnin mandatin dhe të hynin në Kuvend në rast se deputetëve që renditeshin para tyre në listë do t’u zëvendësohej mandati.
Naço: “Në dhjetor do të ndodhë zëvendësimi nëse vazhdon bojkoti”
Nënkryetari i Kuvendit, Nasip Naço, deklaroi se në rast se bojkoti do të vijojë më gjatë, edhe pas dhjetorit, atëherë do të zbatohet Rregullorja e Kuvendit dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Sipas Naços, deputetët mund të zëvendësohen në rast se ata refuzojnë të bëjnë betimin. “Detyrimisht, nëse do të vazhdojë me rrugën e bojkotit, do të zbatohet si Rregullorja e Parlamentit, ashtu dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Parashikohet që deputeti duhet të vijë dhe të bëjë betimin. Në rast se ai i shmanget betimit, atëherë sekretariati i përkohshëm do t’i drejtohet KQZ-së me një relacion për t’i shpjeguar se një grup deputetësh apo një deputet i veçantë nuk pranon të bëjë betimin, detyrimisht do të zbatohet Kodi Zgjedhor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, - tha Naço.
6 Nentor 2009