Rezart Taçi vetëdorëzohet në polici pas vendimit të Gjykatës
Laureta Rryçi
Biznesmeni Rezart Taçi është shfaqur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë një orë pasi Gjykata e Tiranës e kishte shpallur në kërkim. I akuzuar për goditje për shkak të detyrës ndaj gazetarit Mero Baze, Taçi ka mbrojtur edhe në momentet e vetëdorëzimit teorinë se nuk e ka goditur gazetarin Baze. Bashkë me të ishte edhe avokati mbrojtës, Maks Haxhia, i cili, me sa duket, do të marrë përsipër mbrojtjen e tij ditët në vazhdim. Ndërsa Taçi është vetëdorëzuar rreth orës 16:00 të ditës së djeshme, menjëherë Policia e Shtetit ka përgatitur një komunikatë për mediat. Ndërkohë, dy truprojat e tij janë rikthyer sërish në qeli me një vendim gjykate “arrest me burg”. Masa e sigurisë ndaj tyre u dha dje nga gjyqtarja Fahrije Budo si për truprojat, ashtu dhe për biznesmenin Taçi.
Vetëdorëzimi
Pas dhënies së masës së arrestit “burg pa afat” nga Gjykata e Tiranës, Rezart Taçi është shfaqur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës. Drejtuesi i kompanisë “Taçi Oil” ishte shpallur në kërkim pas denoncimit nga ana e gazetarit Mero Baze, i cili e akuzon për dhunë fizike ndaj tij. Përpara vetëdorëzimit në polici Rezart Taçi deklaroi se situata e krijuar është vetëm strategji e një lufte ndaj biznesit të tij, duke hedhur poshtë akuzat e gazetarit për konflikt fizik me të. “Jam i gatshëm të respektoj në çdo moment çdo instancë ligjore dhe në rastin konkret vendimin e Gjykatës së Rrethit Tiranë, por nuk mund të mos shpreh bindjen time të plotë se e gjithë kjo situatë është rezultat i një strategjie dhe lufte të filluar shumë kohë më parë ndaj personit tim dhe bizneseve që unë zotëroj. Dua të theksoj faktin se nuk është në edukatën dhe formimin tim personal përdorimi i dhunës ndaj askujt dhe për më tepër ndaj përfaqësueseve të mediave, prandaj hedh poshtë të gjitha akuzat e ngritura ndaj personit tim. Sapo rashë në dijeni të vendimit të Gjykatës vihem në dispozicion të Drejtësisë dhe shpreh bindjen se rasti në fjalë do të trajtohet në bazë të ligjit”, - deklaroi biznesmeni Rezart Taçi.
Masat e sigurisë
Me gjithë deklaratat e Taçit duket se faktet që e akuzojnë atë janë kokëforta. Të paktën këtë mendim ka pasur gjyqtarja e gatshme Fahrije Budo, e cila, pasi i dëgjoi të gjitha palët, la në fuqi kërkesën e Prokurorisë për të tre të akuzuarit, duke dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”. Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë dha masën e arrestit në mungesë “burg pa afat” për presidentin e kompanisë "Taçi Oil", Rezat Taçi, si dhe për dy truprojat e tij, që akuzohen si autorë të ngjarjes ku mbeti i dhunuar gazetari Mero Baze. Në seancat ku mungonte vetëm Rezart Taçi ishin të pranishëm: gjyqtarja Fahrije Budo, prokurori Gjergji Tako, avokati Arben Prifti dhe 2 truprojat që u ndaluan një ditë pas ngjarjes. Gjykata vendosi në një seancë të veçantë të japë masën e arrestit në mungesë “burg pa afat” për Rezart Taçin dhe në një seancë tjetër “burg pa afat” ndaj shtetasve të pranishëm në sallë, Blerad Liro dhe Yrgen Selfo, punonjës pranë kompanisë “Taçi Oil”. Kjo masë sigurie është kërkuar nga prokuroria për dy shtetasit që akuzohen se ushtruan dhunë ndaj gazetarit Mero Baze. Menjëherë pas vendimit të Gjykatës reagoi avokati mbrojtës i të akuzuarve, Arben Prifti. Sipas këtij të fundit, do ta apelojnë vendimin në Gjykatën e Shkallës së Dytë, duke e konsideruar të padrejtë atë, ndërsa kërkoi si masë sigurie detyrim me paraqitje për dy klientët e tij.
Dhuna që u ushtrua ndaj gazetarit Mero Baze
Mbrëmjen e së hënës, rreth orës 23:00, biznesmeni Rezart Taçi dhe disa nga truprojat e tij dhunuan në një lokal në kryeqytet gazetarin Mero Baze. Të pranishëm në vendngjarje ishin dy gazetarët e njohur Arban Hasani dhe Andi Bushati. Policia arrestoi truprojën e tij, Bledar Lilo dhe shtetasin Arjan Selfo, ndërsa shpalli “në kërkim policor Rezart Taçin. Prokuroria nisi hetimin për pronarin e ARMO-s pas denoncimit të bërë nga gazetari Baze. Pasditen e së martës, Rezart Taçi bëri një deklaratë për mediat, ku tha se nuk ka ushtruar dhunë fizike ndaj gazetarit dhe e gjitha kjo bëhet për t’i marrë bizneset. Një deklarim i tillë bie ndesh me deklaratat e bëra në media nga dëshmitarët në vendngjarje. Dy ditë më parë pati reagime të shumta për ngjarjen, përfshirë edhe organizatat dhe ambasadat e huaja, të cilat u shprehën të skandalizuara për ngjarjen.
Deklarata e plotë e Rezart Taçit para se të vetëdorëzohej
“Në vijim të akuzave të zotit Mero Baze se në ngjarjen e ditës së djeshme në lokal “C....” kam ushtruar dhunë në drejtim të tij, deklaroj me përgjegjësi të plotë se nuk kam pasur asnjë lloj kontakti verbal apo fizik me zotin Mero Baze. Në të gjithë aktivitetin tim profesional kam respektuar, bashkëpunuar dhe nuk kam cenuar kurrë qoftë dhe njëherë të vetme dhe në situatat e mia më të vështira, integritetin e ndonjë gazetari apo medie, e cila ka qenë kritike ndaj meje apo bizneseve të mia. Akuza me të cilën po përpiqen të më përbaltin së fundi nuk është gjë tjetër veçse vazhdim i një strategjie denigruese me të cilën tashmë opinion publik është i mirinformuar, e cila ka si target falimentimin e kompanisë që unë përfaqësoj. Hedh poshtë me indinjatë këtë akuzë të ulët në drejtimin tim dhe siguroj të gjithë opinionin publik se nuk u shmangem, por jam i gatshëm të përballem me këta shpifës në çdo kohë përpara drejtësisë së vendit tim”.
6 Nentor 2009