E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitet punonjësja e postës, iu rrëmbyen 1.5 milionë lekët e pensioneve



GJIROKASTËR - Grabitet në mes të ditës një punonjëse e filialit të Postës Shqiptare në qytetin e Gjirokastrës. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Varosh” kur një punonjëse e postës, e cila po transportonte lekët e pensionistëve, është grabitur nga dy të rinj ende të panjohur për policinë. Burimet zyrtare nga policia lokale thanë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:20. Ka qenë vetë punonjësja e postës me inicialet L. K. që ka njoftuar policinë. Ajo ka deklaruar se në rrugën e lagjes “Varosh” të qytetit Gjirokastër, dy të rinj i kanë marrë me forcë çantën ku mbante një shumë të konsiderueshme lekësh. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë së Gjirokastrës të drejtuara nga drejtori i Policisë së qarkut dhe zv.drejtori. Sipas tyre, 49-vjeçares me inicialet L. K., punonjëse e filialit të Postës Shqiptare në Gjirokastër, me detyrë postiere, dy të rinj i kanë marrë nga dora me forcë çantën e lekëve ku kishte brenda rreth 1.4 milionë lekë, të cilët janë larguar me vrap dhe s’ka mundur t’i njohë. Çanta tjetër, me një milion lekë të vjetër, mbeti në rrugë pasi nuk mundën t’ia merrnin dot. Menjëherë forca të shumta policie kanë bërë rrethimin e zonës dhe janë ngritur menjëherë postblloqe të shumta policie në akset rrugore Gjirokastër-Tepelenë, Gjirokastër-Përmet dhe Gjirokastër-Sarandë. Nga veprimet e para hetimore dhe ligjore, si dhe nga dëshmia e punonjëses së postës është bërë skicimi dhe identifikimi i autorëve të mundshëm dhe po punohet për kapjen e tyre. Për arsye hetimi nuk bëhen me dije gjeneralitetet e tyre. Policia ka sqaruar se kjo punonjëse, rreth orës 12:00, ka tërhequr nga filiali i Postës Shqiptare në Gjirokastër shumën e lartpërmendur për t’ua shpërndarë në banesa pensionistëve dhe ka lëvizur e vetme në këmbë, në kundërshtim me rregullat që duhet të respektonte për transport të lekëve në shuma të mëdha. Sipas verifikimeve në postë rezultoi se të gjithë postierët nuk lejohet që të tërheqin më shumë se një 100 mijë lekë, ndërsa kjo punonjëse kishte tërhequr 1.5 milionë.

5 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›