Drogë në botin e betonit, arrestohet shoferi transportues
GJIROKASTËR - Një person është vënë në pranga dhe 5 kg marijuanë janë sekuestruar në një automjet tip bot që transportonte çimento. Burime nga Policia e Gjirokastrës thanë se dje në orën 07:00 të mëngjesit, pas marrjes së informacioneve në rrugë operative mësuan se një automjet bot tip “Volvo”, që transporton çimento, po transportonte një sasi të konsiderueshme lënde narkotike nga Gjirokastra në drejtim të Vlorës. Sipas policisë, automjeti tip “Volvo” me targa koka e botit GJ 5924 A dhe Gj 03 99 B targa e botit, u konstatua duke lëvizur nga Gjirokastra në drejtim të Vlorës, ku është mbajtur nën vëzhgimin e agjentëve dhe Specialistëve Kundër Narkotikeve. Çanta me lëndën narkotike marijuanë është gjetur në botin e çimentos. Bllokimi i makinës u bë në afërsi të qytetit Memaliaj, ku u ndalua edhe drejtuesi i saj. Nga kontrolli i ushtruar në këtë automjet, policia, në pjesën e sipërme të kokës së botit, nga ana e jashtme, gjeti një çantë të zezë, brenda së cilës kishte 4 pako me peshë të ndryshme, të mbushura me lëndë narkotike, gjithsej rreth 5 kilogramë, lëndë narkotike të llojit marijuanë. Policia sekuestroi të gjithë lëndën e gjetur, automjetin bot si dhe arrestoi drejtuesin e automjetit, 40-vjeçarin Maksim Shahu, nga lagjja “Manalat” e qytetit Gjirokastër. Sipas të dhënave, Shahu udhëtonte nga Gjirokastra për në Vlorë për të ngarkuar çimento për llogari të një firme betoni në Lazarat.
Mbjellja e Cannabisit, dy kryepleq vihen në pranga
SHKODËR - Kryepleqtë e dy fshatrave në Shkodër janë vënë në pranga pasi nuk kanë treguar se në territorin e tyre mbillej Cannabis. Është Policia e Shkodrës ajo që ka bërë të ditur ndalimin e dy personave. Burimet zyrtare nga uniformat blu thanë se, dy ditë më parë në orën 18:00, në kuadër të operacioneve të organizuara për luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, bënë të mundur arrestimin e shtetasve, Gjon Bunga, 48 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Plan, komuna Pult të rrethit Shkodër, me detyrë kryeplak i këtij fshati, dhe Gjon Nikas, 61 vjeç, banues në fshatin Mgullë të komunës Pult, rrethi Shkodër, me detyrë kryeplak i fshatit Mgullë. Arrestimi i tyre është bërë pasi ata të dy nuk kanë dhënë informacion për kultivim të bimëve narkotike në zonat përkatëse. Nga ana e policisë janë kryer veprimet e duhura procedurale dhe materialet në ngarkim të dy kryepleqve, Gjon Bunga dhe Gon Nikës, i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale të “moskallëzimit të krimit” dhe “shpërdorimit të detyrës”.
Sherr mes dy grupeve shqiptare, një emigrant i vrarë
NAPOLI - Një shqiptar është vrarë gjatë një sherri mes emigrantëve në Napoli, Itali. Lajmi është bërë i ditur nga media italiane. Sipas tyre, ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, rreth orës 16:00, kur dy grupe të rinjsh janë konfrontuar në një nga baret e qytetit në rrugën “Antonio Gramsci”. Konkretisht, në sherr u përfshinë 5 djem, të gjithë shqiptarë të ndarë në 2 grupe, ndërsa njëri prej tyre qëlloi me 2 plumba ndaj viktimës Rrahman Sula, 23 vjeç, i cili ka mbetur i vdekur në vend. Pas kësaj të gjithë janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa ai që ka treguar detajet e zënkës ka qenë baristi i lokalit, i cili është shprehur se nuk i kishte parë kurrë më parë të rinjtë në atë zonë. Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për identifikimin e autorëve të krimit.
5 Gusht 2010