E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vinte nga Afganistani, arrestohet kosovari i dënuar për krime në SHBA



TIRANË - Prej dhjetë vitesh ishte i kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka rënë në pranga në Rinas. Kosovari me shtetësi maqedonase, Xhelal Sherifi, është vënë ditën e djeshme në pranga sapo ka zbritur nga një avion i linjës që po vinte nga Afganistani. Lajmi është bërë i ditur nga burime të Policisë së kryeqytetit. Sipas tyre, Sherifi, që prej vitit 2001 ishte i kërkuar për dy vrasje të kryera dhe një plagosje. Burimet policore shqiptare kanë bërë të ditur se gjatë kalimit të pasagjerëve që kishin nga Afganistani dhe futjes së emrave të tyre në sistemin TIMS, është zbuluar se ndaj 25-vjeçarit Xhelal Sherifi ishte një urdhër arresti ndërkombëtar i lëshuar nga Drejtësia amerikane. Menjëherë ai është vënë në pranga duke u shoqëruar për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Arrestimi
Xhelal Sherifi, 25 vjeç, kosovar i lindur në Gjilan, por me pasaportë maqedonase, është arrestuar në Rinas sapo ka zbritur nga avioni, pasi figuronte në listën e të kërkuarve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Siç është mësuar nga burimet policore shqiptare, ai po kthehej me avion nga Afganistani ku kishte qëndruar vitet e fundit. Ai kishte ardhur me qëllim që të shkonte në Kosovë, por gjatë kontrollit është zbuluar identiteti i tij. Menjëherë është vënë në pranga dhe janë njoftuar dhe krerët e Policisë së kryeqytetit. Ka qenë kontrolli në sistemin TIMS që ka bërë që ai të identifikohej si i kërkuar nga SHBA-të që prej vitit 2001. Në fletë-arrestin e lëshuar nga Interpoli, vendlindja e Sherifit shkruan Gjilan, e shtetit ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. Sipas këtij fletë-arresti, ai kërkohet për "krime kundër jetës dhe shëndetit" dhe atë e kërkon Gjykata Supreme në New Britain, Konektikat.
Akuzat
Mbi 25-vjeçarin nuk rëndon ndonjë akuzë për terrorizëm, siç u fol më parë. Ai është i kërkuar për vrasje dhe plagosje, ndërkohë që është i dënuar në mungesë. Në vitin 2001, Xhelal J. “Jack” Sherifi, kur ishte vetëm 16 vjeç, kishte qëlluar me thikë një të ri amerikan, i cili kishte marrë plagë të rënda. Ai jetonte me të vëllanë në Konektikat, SHBA. Por, që pas krimit ai ishte larguar dhe për disa vite rresht mësohet se ka jetuar në Afganistan. Ndaj tij ishte lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar dhe pas nëntë vitesh është bërë i mundur arrestimi i tij në Shqipëri. Tani pritet që të përfundojnë procedurat dhe Sherifi të ekstradohet në SHBA, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga gjykata.

Brenda pak ditësh do të nisë sjellja e 93 shqiptarëve të dënuar në Belgjikë

TIRANË - Brenda pak ditësh do të fillojë sjellja e shqiptarëve të dënuar që janë në Belgjikë. Një javë më parë, kryeministri Sali Berisha firmosi marrëveshjen me homologun e tij belg për kthimin e 93 të dënuarve që ndodhen në burgjet e atjeshme. Belgjika ka shërbyer si strehë për shumë prej eksponentëve të rëndësishëm të botës së krimit. Aktiviteti kriminal i shqiptarëve, të cilët kanë pasur madje edhe rol drejtues në rrjetet e trafikut ka qenë shqetësim i vazhdueshëm për autoritetet belge. Shumica prej 93 shqiptarëve kanë marrë dënime nën akuzën e trafikimit të sasive të mëdha të drogës në Belgjikë dhe në vende të tjera të Europës. Pjesa tjetër i takojnë trafikut të prostitucionit dhe më pak veprës penale të falsifikimit. Në listën e të dënuarve nuk mungojnë as të dënuarit për vrasje. Ka mes tyre nga ata që kanë ende hesape të pambyllura edhe me Drejtësinë shqiptare. Ose kanë qenë të dënuar në mungesë, ose kanë qenë të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Të ardhurat e rrjedhura nga veprimtaria e paligjshme janë investuar më së shumti në vendet ku janë këto vepra penale. Ndërkaq, autoritetet shqiptare shprehen të rezervuar në dhënien e informacionit zyrtar. Emrat e 93 të dënuarve nuk bëhen publikë, por konfirmohet fakti që ata kanë një të kaluar të pasur kriminale.

Tre shqiptarë përfundojnë në pranga nën akuzën për vjedhje

PEZARO - Kanë përfunduar në pranga tre shqiptarët e ndjekur nga policia në Pezaro të Italisë, qytet në bregdetin e Adriatikut, pjesë e rajonit Marche. Ndjekja përfundoi me përmbysjen e një makine të karabinierëve dhe plagosjen e dy ushtarëve, tashmë të shtruar në gjendje të rëndë në spital. Sipas agjencisë së lajmeve “ANSA”, ajo që i tradhtoi tre shqiptarët e dyshuar për disa vjedhje ishte pikërisht makina e përdorur gjatë arratisjes, e gjurmuar në lokalitetin Case Bruciate, e cila iu nënshtrua një kontrolli të menjëhershëm. Tre shqiptarët që sapo kishin zbritur nga një tjetër makinë, tentuan të hapin në distancë dyert e makinës dhe pikërisht në atë moment u hodhën në aksion karabinierët. Sipas policisë, shqiptarët reaguan me shqelma e grushte, por në fund iu vunë prangat. Sipas agjencisë “ANSA”, ata janë Spartak Gjoka, 28 vjeç dhe banues në Misano Adriatico, Gentjan Loku, 23 vjeç klandestin dhe Altin Prenga, 32 vjeç. Në automjetin e tyre u gjetën edhe 6 celularë, bizhuteri dhe 3650 euro në kartëmonedha, që dyshohet të jenë fryt i ndonjë vjedhje nëpër banesat e vëna në shënjestër nga kjo bandë në zonën mes Riminit dhe Bolonjës.

5 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›