Katër arkivolë për 9 janarin,PD: Të dëshmojnë ish-zyrtarët
SHKODER / RITVAN DIBRA
Katër vetë në grevën e urisë. Dje, tre të ngujuarve për ngjarjen e 9 janarit i është bashkuar dhe Mark Grizha nga fshati Torovicë. Ai humbi në tragjedinë e Karaburunit të birin Gjin dhe gruan e tij shtatzënë, Ermira Grizha. Grevistët kanë shfaqur problemet shëndetësore në ditën e pestë të qëndrimit të tyre pa ushqim. Njëri prej tyre, Ndoc Bjeshka ka përfunduar në spitalin e Shkodrës, pasi kishte probleme me tensionin dhe është trajtuar me serum. Ndërkohë që shoku i tij i grevës, Ndue Zajeti edhe pse ishte me tension të lartë e ka refuzuar marrjen e ndihmës mjekësore. Grevistët u vizituan dje nga prefekti i Shkodrës, Maxhid Cungu si dhe dy deputetët e PD-së, Astrit Bushati dhe Arenca Trashani. Bushati u shpreh se i përket një subjekti politik që i ka mbështetur që më 9 janar 2004 të gjithë këto familje që pësuan një tragjedi të tillë, duke kërkuar që kjo çështje të zbardhet. “Pas bisedës me familjarët mësuam se ata posedojnë fakte të reja që hedhin dritë mbi këtë tragjedi, që me vullnetin e mirë të prokurorisë do të bëhet e mundur që të rihapet kjo çështje. Ne do t’i mbështesim në kërkesat e tyre grevistët, sepse i quajmë të drejta ato”. Ndërsa Trashani u bëri thirrje zyrtarëve të lartë që ishin në funksion në vitin 2004, që të japin me ndërgjegje kontributin e tyre për zbardhjen e ngjarjes së rëndë. “Ka njerëz që kanë të dhëna të cilat faktojnë rimorkimin e gomones me 8 trupat e pajetë, por për çështje sigurie të jetës së dëshmitarit”. Në grevë të urisë ndodhen Ndoc Bjeshka, Ndue Zajeti, Ilir Xhila dhe Mark Grizha. Ata kanë vendosur në dhomën ku qëndrojnë 4 arkivole bosh, pasi kanë deklaruar se më mirë të vdesin, sesa të dalin nga greva pa u gjetur trupat e fëmijëve të tyre.
Mbërrijnë viktimat
Mbërrijnë nga Italia trupat e tre viktimave të tragjedisë së gazit në një provincë të Firences. Ashtu siç ishte lajmëruar, rreth orës 17:00 në Rinas u sollën të pajetë tre anëtarët e familjes Gonaj, nëna Angjelina dhe dy fëmijët e saj, Dorian e Doriana. Me të njëjtin avion udhëtuan dhe shumë italianë e shqiptarë që do u japin lamtumirën në varrezat e Malësisë së Madhe. Komuna ka ofruar strehim për të gjithë ata dhe ka ndihmuar familjen Gonaj me një shumë prej 150 mijë lekësh.